Kur do ta njohë Greqia minoritetin çam?

Kur do ta njohë Greqia minoritetin çam?

Aktualiteti, Historia Comments Off

Para dy ditësh kryeministri i Greqisë Micotaqis vizitoi minoritetin grek në Shqipëri. « Minoriteti grek në Shqipëri është një urë miqësie midis Greqisë dhe Shqipërisë » deklaroi ai në Himarë. Do të dëshironim shumë që të ishte kështu. Por është e vështirë që ta besojmë këtë kur këto fjalë thuhen në Himarë, qytezë historikisht shqiptare që nga lashtësia, e cila nuk ndodhet në zonën e minoritetit grek. Pasi i përgëzoi të pranishmit që e kanë mbajtur gjallë flakën « e helenizmit dhe ortodoksisë në zemrat e tyre », Micotaqis iu premtoi atyre që do t’i « mbështesë kërkesat e tyre ». Nuk është e qartë se cilat janë këto kërkesa por ajo që është e qartë është se z. Micotaqis po trajton si zona të minoritetit grek edhe terrritore shqiptare të cilat më parë nuk janë trajtuar si të tilla. Në një kohë kur Greqia po tenton të zgjerojë hapësirën e saj detare për të arritur deri përballë Himarës.

Ka kohë që Greqia punon për aneksimin e Shqipërisë së jugut. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, duke përfituar nga gjendja e vështirë e shqiptarëve, shumë prej të cilëve kanë emigruar në vendet e Europës, Greqia i ka detyruar shumë emigrantë shqiptarë që të deklarohen si grekë etnikë ose « homogjenë » për të marrë dokumente qëndrimi në Greqi. Në këtë mënyrë tenton sot të zmadhojë artificialisht numrin e popullsisë së minoritetit grek në Shqipëri duke shkuar deri në shifrën absurde të 250 apo 300 mijë sipas organizatave më ekstremiste greke. Dhe meqenëse Dropulli, zona tradicionale e minoritetit grek në Shqipëri nuk mund ta mbajë këtë popullsi, Greqia duket se ka qëllimin për ta zmadhuar artificialisht zonën e minoritetit në një pjesë të madhe të Shqipërisë së jugut, duke realizuar ëndrrat më ekstremiste të « Vorio-Epirit ».

Ajo që është shqetësuese këtu është se kjo politikë e rishikimit të zonave minoritare greke në Shqipëri duket se përkrahet në mënyrë aktive nga kryeministri i Greqisë Micotaqis, i cili aplikon strategjinë e vjetër greke të identifikimit të fesë ortodokse me kombësinë greke. Vizita e tij e fundit tregon pikërisht këtë. Për më tepër censusi i fundit zyrtar i vitit 2011 në Shqipëri tregonte se vetëm 25 mijë vetë janë deklaruar grekë, shifër kjo më e ulët se e censusit të vitit 1989, por që mund të shpjegohet me emigracionin drejt vendeve të Europës dhe veçanërisht drejt Greqisë, si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë.

Shqetësues është edhe mos-reagimi i qeverisë shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë Rama, mori madje pjesë në përurimin e një sheshi në Dropull me emrin e kryeministrit grek dhe prej dy vitesh është futur në bisedime të dyshimta për kufirin detar me Greqinë ku është treguar mëse tolerant dhe i gatshëm për lëshime.

Greqia tashmë ka aneksuar mjaft toka shqiptare, në radhë të parë Çamërinë, të cilën ia njohu Greqisë Konferenca e Londrës në vitin 1913. Një census otoman i vitit 1908 tregon se në Çamëri kishte 73 mijë banorë nga të cilët 93 për qind ishin shqiptarë, myslimanë dhe ortodoks. Në censusin grek të vitit 1913 vetëm 25 mijë shqiptarë myslimanë u numëruan si shqiptarë, kurse shqiptarët ortodoks u numëruan si grekë, sipas strategjisë greke që identifikon fenë ortodokse me kombësinë greke. Një census i vitit 1941 i realizuar nga forcat okupuese italiane tregonte se në krahinën e Çamërisë jetonin 54 mijë Shqiptarë, 26 mijë ortodoks, 28 mijë myslimanë dhe 20 mijë grekë.

Në verën e vitit 1944 bandat greke të gjeneralit Zervas u lëshuan mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë duke vrarë djegur dhe tmerruar. Më shumë se 20 mijë çamë, të ndjekur këmba-këmbës u futën në Shqipëri duke lënë tokat e tyre stërgjyshore. Si rrjedhim në censusin grek të vitit 1947 u numëruan vetëm 113 çamë myslimanë dhe në pikëpamjen e autoriteteve greke nuk kishte më çamë në Greqi!

Nëse vërtet kryeministri i Greqisë dëshiron marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe nëse mendon se minoritetet janë « ura miqësie » ai në radhë të parë duhet të vlerësojë trajtimin që Shqipëria i bënë minoritetit grek. Por duhet edhe të pranojë ekzistencën e minoritetit çam në Greqi, i cili është një realitet edhe sot. Midis 35 dhe 40 mijë çamë banojne sot në Greqi në tokat e tyre dhe mbi ta ushtrohet një presion i jashtëzakonshëm që të mos përdorin gjuhën shqipe dhe të mos kërkojnë të drejta kulturore. Duke vënë shenjën e barazisë midis fesë ortodokse dhe kombësisë greke, Greqia i konsideron si grekë dhe ua mohon të drejtat etnike.

Nga ana tjetër, Greqia ka detyrimin që t’iu njohë çamëve viktimë të spastrimit etnik të vitit 1944 dhe fëmijëve të tyre të cilët jetojnë sot në Shqipëri, të drejtën e tyre të kthimit në shtëpitë dhe tokat e tyre që kanë mbetur shkretë. Për këtë, Greqia duhet të heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë dhe t’ia kthejë zyrtarisht pronat e sekuestruara familjeve çame që u deportuan në Shqipëri. Deportimi i çamëve në vitin 1944 është një nga problemet më të mëdha në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe nuk mund të lihet pa u trajtuar nëse dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira afatgjate midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Natyrisht që Greqia nuk do t’i ndërmarrë vetë këto iniciativa. Do të duhet që qeveria shqiptare ta bëjë diçka të tillë. Qeveria shqiptare duhet të vazhdojë të kërkojë me insistim heqjen e Ligjit të Luftës dhe kthimin e të gjitha të drejtave për pronat e tyre në Greqi çamëve që jetojnë në Shqipëri. Për sa kohë që kjo nuk është realizuar, çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare, si për shembull ajo e përcaktimit të kufirit detar, duhet pezulluar.

Xhemil Meço

Author

Back to Top