Boll kompromise ka bërë Kosova!
Aktualiteti, Kosova 19 Shkurt, 2023, Comments OffNë këtë 15-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së saj, Kosovës po i kërkohet të bëjë, në kuadër të planit të quajtur « franko-gjerman», të tjera kompromise të rënda të rënda për të « normalizuar » marrëdhëniet me Serbinë, në fakt për të kënaqur Serbinë dhe për të mbajtur gjallë dhe ndihmuar planet e saj shoviniste.
Por Kosova tashmë ka bërë shumë kompromise.
Kompomisi i parë i Kosovës ka qenë ai i mos-bashkimit me Shqipërinë. Që në fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, Kosova ka synuar të jetë pjesë e një shteti kombëtar shqiptar. Jo rastësisht Lidhja e Prizrenit u mbajt në Kosovë. Sepse kosovarët ishin pjesa më dinamike e lëvizjes kombëtare shqiptare. Lidhja e Prizrenit kishte si qëllim bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një entitet autonom shqiptar në kuadër të perandorisë otomane.
Më pas përfaqësuesit e Kosovës me në krye Isa Boletinin morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912. Pavarësia e shpallur në Vlorë përfshinte edhe Kosovën, por për fat të keq Fuqitë e Mëdha e lanë Kosovën nën Serbi në Konferencën e Londrës një vit më pas.
Pasoi një shekull rezistence i Kosovës ndaj të gjitha mizorive të Serbisë për ta shkombëtarizuar dhe shpopulluar Kosovën nga shqiptarët, të cilët hidheshin në kryengritje sapo krijoheshin rrethanat, me qëllimin për t’u çliruar nga sundimi serb dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Në vitin 1999 rezistenca paqësore dhe më pas lufta e UÇK-se realizoi përpjekjet një-shekullore të Kosovës për liri dhe çlirim nga Serbia. Nëse Kosova kësaj radhe synoi Pavarësinë dhe jo bashkimin me Shqipërinë, kjo ndodhi sepse Fuqitë e Mëdha në kuadrin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë lejuan vetëm shtetet e dala në kufijtë federativë.
Shqiptarët e Kosovës sigurisht dëshironin bashkimin me Shqipërinë. Lufta e UÇK-së u bë me flamurin kuq e zi, dëshmorët e Kosovës nderuan dhe ranë për atë flamur të bekuar. Dhe vijmë këtu te kompromisi i dytë i Kosovës dhe ai më i vështiri: çështja e Flamurit. Për të siguruar njohjen nga komuniteti ndërkombëtar Kosovës iu desh që të pranonte një flamur të ri, ku nuk janë as ngjyrat kuq e zi. Edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, Kosova e kishte të drejtën të përdorte flamurin kuq e zi! Pra ishte ky një kompromis i dhimbshëm dhe një hap prapa në aspektin e të drejtave kombëtare.
Kompromisi i tretë ishte ai i karakterit të shtetit të Kosovës. Popullsia shqiptare përbën 92 për qind kurse pakicat 8 për qind. Vështirë të gjesh një shtet tjetër që të konsiderohet multi-etnik në këto kushte. Në shtetet mult-etnike, etnitë duhet të kenë përqindje të përafërta, ose të paktën të kosniderueshme. Por përsëri karakteri multi-etnik iu imponua Kosovës nga plani i Ahtisaarit dhe nga komuniteti ndërkombëtar për të kënaqur Serbinë. Pasojat e karakterit multi-etnik të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës janë që serbët me vetëm 4% për qind të popullsisë janë në gjendje të bllokojnë ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Kosovës dhe kanë dy herë me shumë vende të garantuara në Kuvend (10) se sa do t’iu takonin proporcionalisht.
Por përsëri Serbia nuk është e kënaqur me të gjitha këto dhe tashmë kërkon një asociacion serb në Kosovë. Dhe komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë totalisht inkoherente, përsëri i kërkon Kosovës që të bëjë edhe një kompromis tjetër të rrezikshëm për integritetin dhe sovranitetin e saj, për të krijuar një asociacion mono-etnik në një shtet multi-etnik! Asociacion që është totalisht anti-kushtetues dhe askush nuk duhet të guxonte ta mendonte. Madje një nga negociatorët që ndërmjetësojnë bisedimet Kosovë-Serbi shkoi deri aty sa të thoshte se Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshojë për të realizuar asociacionin serb!
Por përse e kërkon Serbia asociacionin? Nuk e kërkon për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të serbëve të Kosovës, sepse ato i garanton në mënyrën më të mirë Kushtetuta e Kosovës. Nuk e kërkon as edhe për të justifikuar tek opinioni publik serb pranimin e planit franko-gjerman. Sepse, të mos harrojmë, Serbia është një shtet autokratik i cili nuk e ka aspak të vështirë të orientojë opinionin publik dhe ta bëjë bashkë-përgjegjës të vendimeve të marra. Për më tepër populli në Serbi ka kohë që e ka marrë vesh që Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë dhe se Serbia ka nënshkruar kapitullimin në Marrëveshjen e Kumanovës në vitin 1999. Eshtë regjimi autokrat serb që mundohet ta bëjë opinionin publik serb ta harrojë këtë fakt dhe i jep shpresa për ripushtimin e Kosovës.
Në fakt Serbia e kërkon asociacionin sepse ka ndërmend të rikthehet në Kosovë sapo t’i jepet mundësia. Sot nuk mundet sepse Kosova mbrohet nga KFOR-i, por Serbia shpreson se një ditë KFOR-i do të largohet nga Kosova dhe ajo do të ketë mundësinë ta ripushtojë, edhe nëse Kosova do të jetë e njohur nga OKB. Pikërisht për këtë i nevojitet asociacioni, që të ketë një mjet që të mund ta përdorë si shkak ndërhyrje. Për këtë qëllim i duhet edhe mbrojtja e objekteve fetare serbo-ortodokse në Kosovë. Serbia, të paktën në të ardhmen e afërme, nuk ka për ta njohur Kosovën, edhe sikur ajo të njihet nga OKB, pikërisht për t’i lënë hapur rrugën një ndërhyrje ushtarake. Serbia ka për të hequr dorë nga Kosova vetëm atëhere kur ta kuptojë se ushtarakisht nuk i mund dot shqiptarët dhe nuk e okupon dot Kosovën. Sepse Serbia beson që luftën e ka humbur ndaj NATO-s dhe jo ndaj shqiptarëve.
Në këto kushte Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën e implementimit të planit franko-gjerman. Nëse do të duhej një prioritet i vijave të kuqe që duhen mbajtur, në radhë të parë nuk duhet toleruar asnjë humbje sovraniteti përsa i përket objekteve fetare. Kushtetuta e Kosovës e garanton mbrojtjen e trashëgimnisë kulturore dhe fetare dhe kjo duhet të mjaftonte. Por në asnjë rast nuk duhet të përfshihej direkt Serbia. Kjo çështje është me shumë rëndësi, sepse, ndonëse në vendet perëndimore aspektet fetare nuk kanë rol në vendimmarrjen politike, opinionet publike të atyre vendeve janë të ndjeshme ndaj çështjeve fetare dhe përfundimisht do të kenë ndikim në këtë vendim-marrje.
Në radhë të dytë vjen çështja e asociacionit. Ndonëse Kosova është zotuar për ta realizuar, ajo nuk është e detyruar ta realizojë për të gjitha komunat ku serbët janë shumicë. Në vendet perëndimore asociacionet e komunave (apo ndryshe bashkësitë ose komunitetet e komunave) janë grupime gjeografike të komunave që kanë kufi të përbashkët, dhe qëllimi i tyre është bashkëpunimi ekonomik, planifikimi i urbanistikës etj. pra është një bashkëpunim i bazuar në afërsinë apo vazhdimësinë gjeografike dhe jo atë kulturore apo gjuhësore. Në asociacionin e kërkuar nga Serbia kemi të bëjmë me një keqpërdorim të nocionit të bashkësive të komunave. Nga ana ekonomike apo e planifikimit hapësinor apo të infrastrukturës, komunat me shumicë serbe të veriut nga kanë asnjë interes të përbashkët me ato të jugut, prandaj mund të trajtohen ndaras.
Në radhë të tretë, çështja e karakterit të shtetit të Kosovës është e përcaktuar në kushtetutë. Nëse Kosovës i kërkohet të bëjë ndryshime kushtetuese për të krijuar një asociacion mono-etnik, atëherë fare mirë Kosova mund të kërkojë ta heqë karakterin multi-etnik të shtetit të saj dhe po ashtu edhe privilegjet e komuniteteve pakicë siç janë vendet e garantuara në Kuvend dhe bllokimi i ndryshimeve kushtetuese me 2/3 e vendeve të rezervuara për minoritetet. Në këtë mënyrë Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendime me rëndësi për ndryshimin e Kushtetutës në rast se paraqitet nevoja. Për shembull në rast se Kuvendi i Kosovës vendos bashkimin me Shqipërinë. Një vendim i tillë sot mund të mos duket aktual dhe nuk mundësohet nga Kushtetuta e Kosovës. Por nëse sovraniteti dhe liria e Kosovës kërcënohen realisht nga këto kompromise dhe lëshime që i kërkohen dhe që duken pa fund, atëhere bashkimi me Shqipërinë do të ishte një opsion, sidomos nëse KFOR-i nuk do të ndodhej në Kosovë pas pranimit eventual të Kosovës në OKB.
Sot as Kosova dhe as Shqipëria nuk janë të gatshme për një bashkim të tillë, por mundësia e tij duhet mbajtur e hapur në Kushtetutën e Kosovës në rast se asaj i imponohet asociacioni i komunave me shumicë serbe duke ia hequr de fakto shtetit të Kosovës karakterin multi-etnik. Sidoqoftë duke pasur parasysh që Serbia nuk ka hequr dhe nuk dëshiron të heq dorë nga Kosova pa u bindur se Shqiptarët janë në gjendje ta mbrojnë vetë pavarësinë e tyre, bashkimi kombëtar do të jetë zgjidhja e vetme e cila do ta zgjidhë çështjen shqiptare dhe do të qetësojë dhe vendosë paqen dhe ekuilibrat në Ballkan. Deri atëhere shqiptarët, si në Shqipëri edhe në Kosovë duhet të përgatiten dhe të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake për ta përballuar me sukses edhe këtë sfidë të historisë. Shqiptarët mund ta përballojnë Serbinë vetëm të bashkuar.
Xhemil Meço