Premtimet angazhojnë vetëm ata që i besojnë!

Aktualiteti, Kosova Comments Off

« Premtimet angazhojnë vetëm ata që i marrin »* Është kjo një frazë e famshme e ish-presidentit francez Zhak Shirak. Kjo frazë të vjen menjëherë në mendje kur lexon planin europian që i propozohet sot Kosovës. Kur e lexon këtë plan ka dy gjëra që bien menjëherë në sy: nga njëra anë Serbisë i ofrohen avantazhe shumë konkrete siç janë asociacioni, statusi dhe mbrojtja e Kishës serbe në Kosovë. Kurse nga ana tjetër Kosovës nuk i ofrohet asgjë tjetër përveç shpresave me shumë « nëqoftëse » përpara.

Disa konsiderojnë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Serbia e njeh « de facto » Kosovën, sepse njeh pasaportat, vulat e Kosovës etj. Nuk është e qartë nëse kjo apo përmendja e kartës së OKB-së në marrëveshje vlen si njohje « de facto ». Sidoqoftë duhet vërejtur se më vonë nuk do të ishte e vështirë për Serbinë t’i anullonte këto njohje, për shembull duke e dërguar marrëveshjen në Gjykatën e saj Kushtetuese. Nga ana tjetër Serbia vazhdon ta quajë Kosovën pjesë të sajën e cila administrohet përkohësisht nga OKB në bazë të rezolutës 1244. Dhe deri tani nuk ka pranuar asgjë që del jashtë këtij këndvështrimi. Edhe këtë marrëveshje mund ta konsideronte në kuadrin e një « autonomie të gjerë ». Prandaj edhe njohja « de fakto » nga Serbia në këtë marrëveshje është e diskutueshme, e interpretueshme dhe jo e pakthyeshme.

Ajo që i ofrohet Kosovës në këtë marrëveshje është mos-pengimi i hyrjes së Kosovës në institucione ndërkombëtare nga Serbia. Duke i dhënë shpresë Kosovës se 1/ mund të njihet nga 5 vendet e BE që ende nuk njohin 2/ mund të futet në Këshillin e Europës 3/ dhe ndoshta edhe në NATO.

Në radhë të parë ajo që i intereson Kosovës është pranimi në OKB, dhe në marrëveshje askund nuk flitet për këtë. Sidoqoftë, përsa kohë Rusia vendos veton, Kosova nuk mund të pranohet në OKB. Edhe sikur Serbia të mos nxjerrë asnjë pengesë, Rusia e sotme nga ana e saj, për interesa të saj do të kundërshtojë hyrjen e Kosovës në OKB.

Në radhë të dytë nuk ka asnjë garanci që 5 vendet mosnjohëse të BE do ta njohin Kosovën. Por edhe sikur ta njohin nuk ka asnjë garanci që ato, ose vende të tjera, do të votojnë pro futjes së Kosovës në KE, në BE apo në NATO. Dhe sidoqoftë Kosova përsëri nuk do të futej në OKB.

Pra është e mundur që Kosova të mos përfitojë asgjë nga kjo marrëveshje.

Është interesant presioni që ushtrohet sot nga ndërkombëtarët ndaj Kosovës për nënshkrimin e një marrëveshje të tillë, e cila nuk zgjidh asgjë dhe rrezikon të shkaktojë probleme të rënda në të ardhmen. Por me sa duket ky presion ka të bëjë me përpjekjet për pengimin e rrezikut të hapjes së një fronti të dytë në Ballkan nga Rusia. Me ketë marrëveshje merret me të mirë Serbia që të mos shkaktojë probleme. Paradoksalisht lufta në Ukrainë duket se nuk po e ndihmon Kosovën në rrugën e saj të Pavarësisë. Përkundrazi, po e penalizon atë, duke e vënë në një pozicion ku i kërkohen kompromise të dhimbshme dhe me pasoja.

Këto kompromise përmblidhen në pikën 7 të planit, ku thuhet se i duhet ofruar « një nivel i përshtatshëm vetë-administrimi komunitetit serb në Kosovë », si dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë si dhe « mbrojtja e fortë e zonave të trashëgimnisë fetare dhe kulturore serbe nga palët », pra edhe nga Serbia.

Pranimi i këtyre kompromiseve pa u njohur pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nga Serbia apo në OKB janë shumë të rrezikshme dhe do të shënonin një pikë kthese në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë. Sepse Serbia përfiton mjete legale që pas një apo dy dekadash, kur marrëdhëniet të jenë « normalizuar » dhe forcat e KFOR-it të kenë ikur, të ndërhyjë në Kosovë për ta shkatërruar përfundimisht pavarësinë dhe për ta zëvendësuar me një autonomi të gjerë.

Me sa duket nuk është sot momenti më i mirë që Kosova të nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë. Duhet pritur fundi i luftës në Ukrainë kur situata do të jetë krejt tjetër dhe shumë më e favorshme për Kosovën, sepse Serbia nuk do të ketë mjete presioni mbi Perëndimin. Deri atëherë Kosova do të bënte mirë të fitonte kohë dhe të mos nënshkruante asgjë.

Xhemil Meço

*Në frëngjisht: « Les promesses n’engagent que ceux qui les reçoivent » – Jacques Chirac.

Author

Back to Top