Takimi i dështuar i Ohrit

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Dje në datën 18 mars u mbajt në Ohër takimi i dytë midis Kosovës dhe Serbisë për planin europian të normalizimit. Kishte shumë shpresa nga komuniteti ndërkombëtar që të dy vendet të binin dakord dhe të nënshkruanin një marrëveshje, por edhe pas mbi 10 orë diskutimi, kjo nuk u arrit.
Përfaqësuesi i lartë i BE Z. Borrel tha pas takimit maratonë se u arrit një marrëveshje por pa nënshkrim.
Në fakt kjo do të thotë se takimi ka dështuar dhe nuk është arritur asnjë marrëveshje. Këtë e konfirmoi edhe presidenti i Serbisë i cili tha se nuk ka nënshkruar asgjë, veçse kanë rënë dakord gojarisht për disa pika. Me sa duket mbi asociacionit e komunave serbe në Kosovë dhe personat e pagjetur që nga koha e Luftës.
Ashtu siç e kishim parashikuar, Serbia nuk nënshkroi asgjë edhe këtë radhë, megjithëse nuk bëhej fjalë për njohje të ndërsejllë. Dhe Serbia nuk ka për të nënshkruar asgjë, por është thjesht duke fituar kohë për t’iu shmangur saksioneve eventuale të BE apo SHBA.
Por ajo që është shqetësuese është fakti se Serbia po shpie përpara projektet e saj në Kosovë me asociacionin dhe statusin e Kishës ortodokse serbe. Menjëherë pas takimit të Ohrit, BE i kërkoi Kosovës që të fillojë menjëherë punën për draftin e asociacionit. Po këtë gjë kërkoi edhe Serbia, e cila, pa lëvizur fare nga pozicioni i saj, kërkon që Kosova të bëjë lëshime.
Ka pak të ngjarë që Serbia të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen edhe sikur asociacioni i komunave serbe në Kosovë të implementohet. E ka provuar këtë edhe në shumë raste të tjera, dhe e thotë atë qartë edhe sot.
Atëherë lind pyetja: a duhet Kosova të vazhdojë me implementimin e asociacionit? Llogjika e thjeshtë thotë që jo derisa Serbia nuk ka nënshkruar. Edhe në planin europian thuhet shprehimisht se drafti i parë i asociacionit duhet paraqitur jo më vonë se « 15 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes bazë ». Prandaj Kosova nuk ka asnjë detyrim që ta bëjë këtë pa nënshkrimin e Serbisë.
Përfaqësuesi i BE Z. Borrel duhet të jetë koherent në ato që kërkon. Përpara se t’i kërkojë Kosovës të përgatis asociacionin, duhet t’i kërkojë Serbisë të nënshkruajë marrêveshjen bazë.

Xhemil Meço

Author

Back to Top