Shqipëria edhe një hap më pranë një diktature neo-komuniste

Aktualiteti Comments Off

Zgjedhjet vendore të 14 majit u « fituan » sërish nga Partia Socialiste. Gati 90% përqind e bashkive u « fituan » nga partia në pushtet. Natyrisht partia socialiste përdori administratën, blerjen e votës me lekë në dorë apo me përfitime, bandat e armatosura, patronazhistët, kërcënimet publike për bashkitë që votojnë për opozitën, frikësimin e votuesve etj. Risi në këto zgjedhje ishte edhe ndryshimi i qendrës së votimit kryesisht për zgjedhësit e opozitës, për t’ua pamundësuar votimin. Vetë kryeministri Edi Rama u kërkoi votuesve të opozitës të mos dalin në votime atë ditë, një formë e hapur kërcënimi. Ditën e votimit pajisjet e identifikimit të votuesve « u prishën » dhe nuk funksionuan, tjetër tregues ky i manipulimit që po ndodhte. Video të shumta tregojnë vjedhjen në masë të gjerë të votave si dhe shkeljen e rregullave të vendosura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të ligjeve të miratuara nga vetë qeveria socialiste. Sigurisht pa asnjë ndëshkim serioz.
Nga ana tjetër opozita u pengua haptas të merrte pjesë në zgjedhje dhe qeveria ndërhyri në mënyrë të paligjshme për t’a bllokuar dhe për ta përçarë duke mos i lënë shumë hapësirë veprimi.
Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021 ku partia socialiste tregoi se ishte në gjendje të fitonte zgjedhjet me anë të deformimit të votës, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 ajo tregoi se është në gjendje t’i kontrollojë tërësisht zgjedhjet, t’i fitojë ato në zonën që dëshiron dhe me rezultatin që dëshiron, me anë të metodave të sipër-përmendura. Pas këtyre zgjedhjeve duket e pamundur për opozitën, cilado qoftë ajo, që të fitojë zgjedhjet përballë partisë socialiste, e cila ka ndërtuar një makineri elektorale që duket e pasfidueshme. Sigurisht kjo makineri nuk pyet për ligjin dhe pandëshkueshmëria i jep asaj një fuqi të pamasë.
Për fat të keq kjo makineri elektorale i dha një goditje vdekjeprurëse në këto zgjedhje demokracisë së re dhe të brishtë shqiptare 30 vjeçare. Në fillimet e kësaj demokracie shqiptarët me naivitet besuan në ligjin e pashkruar të një rotacioni politik çdo 8 vjet. Por nuk e mendonte punën kështu partia socialiste, trashëgimtarja e Partisë së Punës, e cila humbjen e pushtetit e ka konsideruar gjithmonë si diçka të përkohshme dhe që duhej korrigjuar. Pasi e rifitoi pushtetin në vitin 2013 partia socialiste e ka konsoliduar atë dhe tani nuk ka ndërmend ta lëshojë më.
Pasojat për Shqipërinë janë dramatike. Që nga viti 2013 mbi 1 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi sepse nuk shohin më shpresë në këtë regjim. Pas këtyre zgjedhjeve hemoragjia e largimit do të vazhdojë edhe më shumë, sepse për shumë shqiptarë sot nuk ka më asnjë shpresë për ndryshim. Partia socialiste nuk shqetësohet nga kjo, përkundrazi e ka nxitur dhe vazhdon ta nxit këtë largim sepse është ky një nga objektivat e saj: ta zvogëlojë popullsinë e Shqipërisë që të mund ta sundojë atë më kollaj. Nëse do t’i duhet fuqi punëtore, sipas vetë fjalëve të kryetarit të saj Edi Rama, po i merr dhe do t’i marrë nga vende si Paksitani apo Bangladeshi, sepse partisë socialiste i duhen vetëm skllevër që nuk mund të ankohen por vetëm të shfrytëzohen pa mëshirë.
Socialo-komunistët shqiptarë që nga viti 1944 e kanë sunduar dhe shfrytëzuar pa mëshirë popullin shqiptar dhe kanë ndërmend edhe sot të vazhdojnë si më parë. Pasi i kanë përvetësuar dhe i shfrytëzojnë të gjitha pasuritë kombëtare nuk u kanë lënë shqiptarëve asnjë rrugë tjetër veçse skllavërinë dhe varfërinë në Shqipëri ose rrugën e gjatë dhe pa kthim të mërgimit.
Pasojë tjetër e humbjes së demokracisë në Shqipëri do të jetë izolimi nga Perëndimi. Është mëse e qartë se një vend jo-demokratik nuk mund të hyjë kurrë në Bashkimin Europian. Por partia socialiste, e cila ka nevojë për një përkrahje të jashtme, e ka gjetur zgjidhjen e cila është hyrja në Ballkanin e Hapur të krijuar dhe dominuar nga Serbia, i cili më vonë do të mundësonte edhe rivendosjen e lidhjeve dhe marrjen e ndihmave nga Rusia dhe Kina. Duke vazhduar në këtë drejtim regjimi socialo-komunist shqiptar rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë edhe nga NATO, të cilën ka qenë i detyruar ta pranojë nga halli, por që nuk e dëshiron për arsye ideologjike dhe historike. Rezultati surprizë në Tiranë i një partie marksiste është një tregues që e majta shqiptare po ristrukturohet dhe po shkon drejt pozicionimit të saj tradicional në raport me demokracitë perëndimore dhe vendet lindore.
Por a mund të shpëtohet demokracia shqiptare ? Duket mision tepër i vështirë por ndoshta ka mbetur edhe një mundësi me zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025. Shpëtimi i demokracisë në Shqipëri nënkupton fitoren e opozitës. Por kjo ka disa parakushte. Në radhë të parë duhet të kemi një opozitë të vetme dhe të bashkuar. Deri tani pushteti socialist ka arritur ta përçajë opozitën, ta mbajë të ndarë dhe t’i shfrytëzojë të gjitha gabimet e saj. Koha do të na tregojë nëse kjo opozitë do të arrijë të bashkohet dhe të pretendojë seriozisht për fitoren. Por një gjë është e sigurt: nëse opozita futet në zgjedhjet e vitit 2025 me konfiguracionin e sotëm, ajo është e destinuar përfundimisht të dështojë.
Një parakusht tjetër do të jetë organizmi i mbrojtjes së votës gjatë gjithë procesit zgjedhor. Votimi ose numërimi duhen bllokuar në parregullsinë më të vogël. Problematika si ajo e listave zgjedhore nuk duhen lënë në heshtje, por duhen vënë edhe si kusht për futjen në zgjedhje.
Një element tjetër që mund ta shpëtonte demokracinë shqiptare është edhe vota e emigrantëve. Për shkak se nuk e kontrollon dot votën e emigrantëve, ka pak mundësi që partia socialiste të lejojë emigrantët të votojnë në vendet ku jetojnë. Por kjo votë mund të sillte me të vërtetë ndryshimin dhe opozita duhet të gjejë një zgjidhje që emigrantët të votojnë.
Në zgjedhjet e 14 majit u pa gjithashtu se partia socialiste përdor një inxhineri elektorale të avancuar për të parë se ku i duhet ta ndryshojë rezultatin. Sigurisht ka akses të paligjshëm në baza të dhënash shtetërore, të cilat nuk ka të drejtë t’i përdor. Sfida e opozitës do të jetë të përdorë një inxhineri elektorale po aq të avancuar me baza të dhënash publike.
Problemi kryesor në zgjedhje në Shqipëri është pandëshkueshmëria e krimit ndaj votës. Ose, edhe kur ka ndëshkime, ato nuk janë në lartësinë e duhur dhe shkelësit nuk e kanë problem t’i përballojnë. Raste flagrante në zgjedhjet e 14 majit ishin « këshilla » e kryeministrit Edi Rama për mbështetësit e opozitës që « të mos dalin të votojnë », e cila në të vërtetë është një kërcënim i koduar për shqiptarët të cilëve u rrezikohet buka e gojës nëse dalin në votime. Dhe rasti i dytë është ai i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj i cili në datën 13 maj në mbrëmje, në periudhën e heshtjes zgjedhore dhe në shkelje flagrante të kodit zgjedhor, kurorëzoi një martesë në një transmetim direkt të një emisioni shumë të ndjekur në Shqipëri. Sigurisht këto raste do të kalojnë pa asnjë problem në Shqipëri, në një kohë që në një vend demokratik do të ishin të patolerueshme dhe do të kishin sjellë dorëheqjen e autorëve të tyre.
Nëse analizojmë rezultatet e opozitës në zgjedhjet e 14 majit ato janë në të vërtetë inkurajuese. Sepse të paktën 550 mijë shqiptarë votuan për ndryshimin dhe kundër pushtetit aktual. Po të marrim parasysh vjedhjen dhe deformimin e votës, pamundësimin e votimit me anë të ndryshimit të vendvotimit etj. kuptohet qartë se shqiptarët nuk duan më të qeverisen nga partia socialiste. Harta mavi është rezultat i manipulimit të zgjedhjeve por edhe i reformës territoriale dhe i inxhinerisë elektorale të partisë socialiste. Nëse opozita arrin të organizohet, të dalë e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2025 dhe të mbrojë votën, do ta ketë edhe një mundësi për të dalë fitimtare duke mbrojtur demokracinë në Shqipëri por edhe kombin shqiptar nga copëtimi dhe kthimi mbrapa që po i përgatit partia socialiste.

Xhemil Meço

Author

Back to Top