Rinia e Abas Ermenjit
Aktualiteti, Botime, Historia, Personalitete 10 Mars, 2024, Comments OffAbas Ermenji lindi më 12 dhjetor 1913 në Ermenj të Skraparit, fshat që gjendet në zemrën e Shqipërisë së jugut. Lumi i Tomorricës e ndan me malin e Tomorrit në perëndim kurse në lindje një varg malesh e ndajnë me Korçën. Në këtë krahinë të bukur plot gjelbërim, në mes të kodrave dhe maleve, Abas Ermenji kaloi vitet e para të fëmijërisë.
Ishte koha kur shkëputja e Kosovës dhe Çamërisë nga trungu shqiptar ishin të freskëta dhe kishin shkaktuar një tronditje të madhe tek shqiptarët. Bisedat e të rriturve do t’i përcillnin këto ngjarje edhe tek Abas Ermenji i ri, të cilit kjo padrejtësi i bën aq shumë përshtypje saqë me një zemërim fëmijënor thotë: “një ditë unë do t’i bashkoj Kosovën dhe Çamërinë me Shqipërinë!”. Këtë pikësynim tejet të vështirë nuk arriti dot ta realizonte, por që nga ajo ditë e deri në frymën e fundit, jeta e tij iu kushtua atij qëllimi.
Familja e Abas Ermenjit ishte e njohur në krahinë për drejtësi dhe ushtronte funksionin jo-zyrtar të zgjidhjes së çështjeve dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme. I ati, Fejziu, ishte i rreptë por gjithmonë e dinte se cila ishte e drejta. Dhe banorët e krahinës i bënin besim dhe e pranonin gjykimin e tij pa mëdyshje. Nga i ati Abazi i ri trashëgoi ndjenjën dhe pasionin për të drejtën. “E drejta është instinktive”, – do të thoshte vite më vonë, “njeriu instiktivisht e ndien se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo”. Dhe do të shtonte se “njeriu e adhuron të drejtën prandaj ndikimi i saj është tepër i madh”.
Këto dy ide, Shqipëria dhe drejtësia, do ta përcaktonin të gjithë fillin e jetës së Abas Ermenjit.
Shkollën fillore e përfundon në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës, qytet i cili me historinë dhe kulturën e tij, do të linte mbresa të pashlyera tek ai. Fëmijëria dhe adoleshenca i japin rastin të udhëtojë nëpër Shqipëri dhe ta njohë mirë atë, duke e ndezur më shumë “pasionin e tij mistik”, siç do ta quante ai më vonë, për këtë vend të bekuar. Rituali i udhëtimeve në tokën amtare do të përsëritet në periudha të ndryshme, në fëmijëri, më vonë gjatë luftës dhe më së fundi pas rënies së komunizmit.
Sigurisht në këto udhëtime shikon dhe gjendjen e vështirë të Shqipërisë në ato kohë. Shteti i ri shqiptar përpiqej me mundim të ecte përpara në mes të fqinjve armiqësorë, pas Luftës I Botërore e cila e kishte vëne në dyshim edhe vetë ekzistencën e tij, pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912. Djaloshi nga Ermenji, si shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe, mendon të punojë dhe të ndihmojë që të rregullohet dhe të përparojë Shqipëria. Por jo me revolucion siç mendonin disa. Abas Ermenji nuk besonte tek revolucionet, të cilët, siç do të shkruante më vonë : « janë si një valë e rrëmbyer që, bashkë me vleftat më të larta, nxjerrin në sipërfaqe pasionet më të ulëta, fundërritë më neveritëse të natyrës njerëzore ». Por ai besonte tek evolucioni, i cili mundëson të ecet përpara duke mos harruar të shkuarën, duke u bazuar në të tashmen dhe duke e rregulluar dhe përmirësuar atë.
Në vitin 1934, me një bursë të shtetit shqiptar, shkon për studime në Francë. Regjistrohet në Universitetin e njohur të Sorbonës në degën e Letrave (letërsi) me specializim Historinë. Aty, përveç studimeve klasike, lexon dhe dëgjon edhe për revolucionin bolshevik në Rusi, metodat e gënjeshtrës dhe terrorit që përdor, tmerret dhe tragjedinë njerëzore që ai shkakton. Kjo i tërheq vëmendjen sepse edhe në Shqipëri ka disa grupe të vogla komuniste që adhurojnë bolshevikët dhe propagandojnë revolucionin komunist.
Përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1938 kthehet në Shqipëri ku emërohet profesor në liceun e Korçës. Në lice fiton respektin e nxënësve dhe rinisë korçare. Aty gjen edhe Enver Hoxhën, udhëheqësin e ardhshëm të Shqipërisë komuniste, i cili punonte në lice si profesor zëvendësues. Shumë vite më vonë, në një intervistë do të thoshte se e dinte se Enver Hoxha ishte komunist dhe qëndronin larg njeri-tjetrit. Dhe shton se nuk e mendonte në atë kohë se do të vihej në krye të revolucionit komunist në Shqipëri.
Pushtimi fashist më 7 prill 1939 e tronditi rininë e atëherëshme e cila aspironte për ndryshime shoqërore, por ishte edhe tejet nacionaliste. Profesori, siç do ta thërrisnin tashmë, nuk mund të rrinte duarkryq përpara kësaj padrejtësie dhe këtij dhunimi që i bëhej Shqipërisë. Në ditët e para të prillit 1939 Profesor Ermenji nis përgatitjen ushtarake të rinisë korçare për të luftuar kundër pushtimit fashist.
Disa muaj më vonë, me ndihmën e kolegëve dhe nxënësve të liceut, organizon manifestimin e parë kundër pushtimit fashist në Korçë më 28 nëntor 1939. Manifestim që do të përvetësohej paturpësisht më vonë prej komunistëve, të cilët as që lëvizën fare në atë kohë. Në ditët e para të dhjetorit 1939 Abas Ermenji arrestohet nga autoritetet fashiste dhe internohet së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë në ishullin e Ventotenes në Itali.
“Kurse komunistët nuk i trazoi njeri”, do të kujtonte ai më vonë “sepse fashizmi nuk e merrte seriozisht komunizmin.” Enver Hoxha, që më vonë do të lëvdohej për “demostratën e Korçës”, pas saj shkoi në Tiranë ku hapi një dyqan cigaresh dhe ushtroi qetësisht aktivitetin e tij. ” Komunistët u futën në luftë në qershor të vitit 1941, atëherë kur u fut në luftë atdheu i tyre i vërtetë, Rusia sovjetike, me prishjen e paktit Molotof-Ribentorp”, do të kujtonte më vonë Ermenji.
Pothuajse të gjithë ata që u internuan në Ventotene ishin nacionalistë dhe u angazhuan më vonë në radhët e Ballit Kombëtar: Safet Butka, Abas Ermenji, Stavro Skëndi, Selman Riza, Loni Kristo, Faslli Frashëri etj. Në Ventotene për muaj të tërë u diskutua dhe u përgatit rezistenca e armatosur nacionaliste.
Ja si i përshkruan këto ngjarje historiani francez Gerard Le Mareck në librin e tij mbi rezistencën anti-fashiste në Europë dhe në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore: « Pushtuesi tregon gjakftohtësi, por që në datën 30 nëntor fillojnë arrestimet. Në Korçë, midis të tjerëve, është edhe një profesor i ri i historisë dhe gjeografisë, ish-student Sorbonës, Abas Ermenji, i cili nga Tirana transferohet në burgun e Barit dhe pastaj në kampin e ishullit të Ventotenes, në gjirin e Gaetës. Në internim, në mes të anti-fashistëve italianë, takohen, njihen, bashkohen dhe vendosin krijimin e Ballit Kombëtar antarët e rezistencës kombëtare. Ata do të qëndrojnë të burgosur deri në shtator 1941.» (Marec, 1980)
Xhemil Meço
Marrë nga libri « Abas Ermenji – Një Jetë Për Shqipërinë » – Botimet « Balli i Kombit » 2023