Rinovimi i pamundur e klasës politike shqiptare
Aktualiteti 26 Korrik, 2024, Comments OffDy partitë e mëdha shqiptare PS dhe PD arritën një marrëveshje për disa ndryshime në kodin zgjedhor dhe e votuan sot në Kuvend. Këto ndryshime, të cilat po trumbetohen si arritje të mëdha nga këto dy forca politike, kanë të bëjnë me votën preferenciale (ose votën për emrin e kandidatit për deputet) dhe votën e emigrantëve.
Ndryshimet e votuara lejojnë një votë preferenciale shumë të kufizuar me dy lista: një listë e mbyllur ku nuk ka votë preferenciale dhe një listë e hapur ku mund të votohet për emrin e deputetit përkrah emrit të partisë së zgjedhur. Sigurisht ky rregull i jep shumë fuqi kryetarit të partisë i cili thuajse emëron deputetët fitues në listën e mbyllur. Por është po ashtu kryetari i partisë që cakton edhe kandidatët e listës së hapur. Ky sistem pengon prurjet e reja në partitë shqiptare ose i lë ato në dorën e kryetarëve, të cilët zakonisht u japin prioritet njerëzve të tyre besnikë apo aparatçikëve të strukturave të tyre partiake. Vota preferenciale është më shumë çështje e demokracisë së brendshme të partive e cila lë shumë për të dëshiruar.
Një risi në kodin zgjedhor është vota e emigrantëve e cila teorikisht mund të ketë shumë peshë në rezultatin e zgjedhjeve sepse vlerësohet se gjysma e shqiptarëve jetojnë sot në emigracion. Deri më sot nuk ka qenë e mundur që emigrantët të votojnë në vendet ku jetojnë. Ata duhet të vinin në Shqipëri, në qendrën e tyre të votimit, gjë që pak kush e ka bërë. Bëhet fjalë pra për një ndryshim të madh. Emigrantët shqiptarë në përgjithësi i ruajnë lidhjet me Shqipërinë, kthehen rregullisht atje, dërgojnë ndihma familjare, kanë prona dhe mund të ushtrojnë edhe aktivitete ekonomike atje. Prandaj është legjitime që të kenë idenë e tyre për zhvillimin e Shqipërisë dhe ta shprehin atë me votë.
Ndryshimi në kodin zgjedhor u jep emigrantëve mundësinë për ushtrimin e të drejtës së tyre të votës dhe ua lehtëson atë. Duhet thënë se është një hap i madh. Por jo i mjaftueshëm. Sepse, nëse emigrantët do të kenë mundësinë të votojnë, ata nuk do të kenë mundësinë të zgjedhin. Kjo sepse kandidatët për deputetë do të jenë ata që propozohen nga partitë e mëdha në listat e tyre të mbyllura. Emigrantët kanë në përgjithësi një kulturë demokratike të fituar në vendet ku jetojnë dhe do të duan të votojnë për një emër dhe jo një parti. Pamundësia për të votuar një emër mund t’i shtyjë ata të mos votojnë fare.
Nga ana tjetër nuk është e thënë që emigrantët ta gjejnë veten në programet apo aksionin e partive shqiptare. Për shembull, emigrantët janë shumë më të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare se zgjedhësit në Shqipëri që kanë si prioritet mbijetesën. Për zgjedhësin emigrant nuk kapërdihen çështje si ajo e Himarës ku partitë e mëdha politike PS dhe PS kanë vendosur kandidatë nga minoriteti grek apo nga organizatat panepirote greke dhe asnjë kandidat shqiptar. Edhe mungesa e alternativave mund t’i shtyjë emigrantët të mos votojnë.
Këtyre pengesave iu shtohen edhe disa të tjera si ajo e çregjistrimit nga listat elektorale në Shqipëri, gjë që në vetvete është një diskriminim i emigrantëve, që paragjykon mundësinë e rikthimit të tyre në Shqipëri dhe mund të ketë pasoja më vonë për statusin e tyre në vendlindje. Pa harruar këtu edhe druajtjen për dhënien e adresës ku jetojnë në emigracion institucioneve të një vendi që nuk ka besueshmëri në administrimin e të dhënave personale.
Megjithatë vota e emigrantëve është ndoshta mundësia e fundit për të kryer një rotacion politik në Shqipëri dhe për të larguar rrezikun e vendosjes së një diktature neo-komuniste. Emigrantët kanë ndoshta në dorë një mundësi të artë për të shpëtuar Shqipërinë dhe demokracinë e saj.
Është me rëndësi të kuptohet se sistemi politik aktual në Shqipëri është krijuar në vitet ’90 nga Ramiz Alia sipas parimeve të Katovicës, një strategji e partive komuniste të asaj kohe për të mbajtur pushtetin politik në kushtet e një pluralizmi fasade. Për këtë arsye ky sistem është bërë në mënyrë të tillë që të mos rinovohet por të mbetet në duart e partive të pushtetit që u krijuan në vitet ’90. Të gjitha ndryshimet e bëra në kodin zgjedhor që nga ajo kohë i kanë shërbyer vetëm atij qëllimi duke iu përshtatur situatave të krijuara.
Për shembull është tepër e vështirë sot për dikë që dëshiron të angazhohet në politikë që të kandidojë, sepse duhet ose të futet në listën e një partie që ekziston dhe për këtë varet nga kryetari i partisë i cili ka të gjitha pushtetet, ose të dalë si kandidat i pavarur ku do të gjejë kushte tepër të vështira sepse i duhet të gjejë mijëra përkrahës të kandidaturës së tij, ose të krijojë një parti ku përsëri duhet të gjejë me mijëra mbështetës ende pa filluar aktivitetin.
Përveç kësaj një parti e re bllokohet nga sistemi zgjedhor sepse i imponohen kushte të pabarabarta. Ndryshe nga partitë që kanë deputetë, një parti e re duhet të mbledhë mijëra firma për t’u regjistruar, ose të « huazojë » një deputet nga partitë e mëdha. Kjo krijon një varësi që në lindje nga partitë e mëdha të cilat nuk hezitojnë të luajnë me këtë situatë dhe t’i fusin nën hyqmin e tyre partitë e reja apo të vogla.
Pra këto rregulla të kodit zgjedhor pengojnë rinovimin e klasës politike shqiptare duke penguar futjen në politikë të njerëzve të rinj dhe të partive të reja. Natyrisht sot shqiptarët janë të etur për ndryshime politike dhe është më se e nevojshme që klasa e sklerozuar politike e viteve ’90, e dalë nga elita socialiste e asaj kohe, e zhytur në korrupsion dhe me një mentalitet të vjetëruar komunist, kjo klasë politike pra duhet të largohet dhe të zëvendësohet me njerëz të rinj që kanë jetuar në demokraci dhe kanë një mentalitet ndryshe.
Duket e vështirë që ky ndryshim të vijë nga brenda Shqipërisë sepse votuesi shqiptar lufton çdo ditë për mbijetesë dhe qeveria e kërcënon me bukën e gojës. Por emigrantët, të cilët dëshirojnë që Shqipëria të ndryshojë e të bëhet një demokraci e vërtetë, mund ta bëjnë ndryshimin. Në radhë të parë duke votuar, por edhe duke kandiduar në partitë ku mund të kandidojnë ose, megjithë pengesat e kodit zgjedhor, duke krijuar edhe parti të reja, me një mentalitet të ri, me një demokraci të brendshme të mbështetur në përvojat më të mira të vendeve demokratike.
Është koha e fundit që sistemi politik ramizian të përmbyset me votën e lirë të Shqiptarëve dhe emigrantët kanë rastin më të mirë për të ndihmuar për të bërë ndryshimin e madh dhe për t’a mbajtur Shqipërinë në rrugën e demokracisë.
Xhemil Meço