Lufta Civile 1943-1944 në Shqipëri

Dokumente, Historia, Lufta civile Comments Off

Agresioni gjerman kundër Rusisë ringjalli ndër popujt sllavë një shpresë të re dhe të fuqishme për të rifituar lirinë. Komunistëve iu dha kështu mundësia të organizohen dhe të veprojnë. Kjo valë e përfshiu edhe Shqipërinë, ku ishin strehuar qindra sllavë; elementi komunist ndër ta hyri në kontakt me gjegjësit e tyre shqiptarë dhe arritën të formojnë një parti komuniste. Ndonëse nacionalistët dhe i gjithë populli ishte në dijeni të kësaj lëvizjeje, ata, në vend që t’i kundërviheshin, i ndihmuan me gjithë zemër, sepse edhe komunistët u vunë kundër italianëve. Çdo gjë do të kishte shkuar mirë sikur komunistët të mos kishin kërkuar të lidhnin të ardhmen e gjithë vendit pas qerres së tyre, sikur të mos kishin ndjekur një politikë kundër interesave dhe aspiratave të popullit shqiptar për çlirimin dhe bashkimin me Kosovën, sikur të mos kishin vepruar në mënyrë aq të pamoralshme kundër patriotëve dhe traditave të vendit. Si pasojë, nacionalistët nga njëra anë duhet të vazhdonin luftën kundër pushtuesit dhe, nga ana tjetër duhet të kishin marrëdhënie të mira me komunistët, në mënyrë që të mos i jepnin armikut mundësi të përfitonte nga divergjencat e brendshme. Kësaj tolerance dhe mençurie nga ana e nacionalistëve komunistët iu përgjigjën me një thikë pas shpine: Në vitin 1942 komunistët vranë në Vlorë Zenel Abdurrahmanin nga Drashovica, Savet Selimin nga Bolena dhe Avni Voshtinën nga Libohova; në prill 1943 ata vranë Leo Kost Markun në Tropovë, djalin e Dervish Hajdarit që ishte komisar politik i çetës nacionaliste të Leskovikut, Anton Tashon në Leskovik, Baba Muratin me dy dervishë të tjerë në Frashër; në maj 1943 Hasan Moglicën, udhëheqësin e çetës së Ballit në zonën e Vlorës, Osman Imerin nga Velça; Në qershor 1943 Beqir Rusin nga Elbasani, Ali Këlcyrën (rrëmbyer) nga Gjirokastra. Dy ngjarjet e fundit shkaktuan një reagim të fortë ndër nacionalistët dhe një grup prej 2000 vetësh nga zona e Vlorës ndërhynë dhe Ali Këlcyra u lirua. Në korrik të vitit 1943 komunistët vranë Veledin Brahimin nga Smokthina, Fejzi Hoxholen nga Drashovica, Hysni Toton nga Vranishti.

Të gjitha këto vepra të shëmtuara nga komunistët do të kishin qenë të mjaftueshme që nacionalistët të fillonin ndërhyrjen e armatosur në një kohë kur komunistët ishin shumë të dobët, duke i dhënë kështu fund terrorit. Por as kjo nuk u bë, sepse udhëheqësit e Ballit ishin aq të kulturuar dhe humanë sa të shmangnin këtë luftë të brendshme në Shqipëri. Lumo Skëndo dhe kolegët e tij bënë të pamundurën t’i bënin qejfin komunistëve, vetëm që të arrihej një bashkim qëllimesh dhe përpjekjesh në interes të kombit që po flijohej. Viti 1943 mund të quhet jo vetëm si viti i sakrificave dhe vështirësive të mëdha nga ana e popullit shqiptar për të hedhur tej zgjedhën e huaj, por edhe viti i përpjekjeve të mëdha për të arritur një bashkim moral dhe material me komunistët. Të shumta kanë qenë takimet midis anëtarëve të të dy palëve. Pas Marrëveshjes së Mukjes, shpresa e fundit për pajtim, partia komuniste, në vend që t’i përmbahej detyrimeve të marrëveshjes së nënshkruar nga përfaqësuesit e saj, i shpalli luftë Ballit Kombëtar duke e hedhur gjithë popullin në kaosin dhe anarkinë e luftës civile.

Në zonën e Korçës, ndërsa priteshin rezultatet e marrëveshjes dhe shtoheshin aksionet kundër kolonave gjermane dhe italiane, nacional-çlirimtarët zunë në befasi çetën e Safet Butkës (19 gusht 1943), vranë Shefqet Pojanin, një komandant çete i Ballit (22 gusht 1943) sulmuan dhe grabitën korrierët e çetave të Ballit, vranë djalin e Haki Gjergovës (26 gusht 1943), vranë 8 anëtarë të ballit në Mokër (5 shtator 1943) masakruan të gjashtë anëtarët e nën-komitetit të Bilishtit (9 shtator 1943): Zija Gashi, Kutbi Velisha, Haki Kasimati, Dilo Graca, Feti Verleni, Hilmi Suli; vranë Xhafer Biranjin, komandant i një çete të Ballit (18 shtator 1943); masakruan komandantët e çetës së Ballit në Bulgarec (12-13 tetor 1943); sulmuan dhe detyruan popullin e Pogradecit të vihet në anën e tyre (u vranë 8 banorë). Popullsia e kësaj zone i kërkoi ndihmë nacionalistëve, pas së cilës çetat e Ballit nga Mali i Thatë u përgjigjën, në fillim me një farë suksesi, por më vonë u detyruan të tërhiqen në Gorë dhe Opar. Çeta e Maliq Dusharit dhe kompania e tretë e batalionit Safet Butka nën komandën e Jani Dilos, arritën në vend shumë vonë dhe pasi u sulmuan nga forca të tjera komuniste u detyruan të tërhiqen (13-18 tetor 1943). Në këto luftime ra Demir Staravecka, komandant kompanie në forcat e Ballit.

Në zonën e Beratit forcat komuniste të përqendruara rreth Kuçovës sulmuan një çetë të vogël të ballit (28 shtator 1943); në fshatrat Thanë dhe Bide ato detyruan detashmente të tjera të Ballit të luftojnë me to duke shkaktuar përleshje të përgjakshme; ata sulmuan në befasi forcat tona në Lapardha (8 tetor 1943). Më 25 tetor 1943 forcat komuniste përqendrohen rreth Beratit dhe fillojnë një sulm kundër forcave të Ballit brenda në qytet; pas disa ditësh luftimesh të ashpra, forcat e Ballit u detyruan të tërhiqen në zonën e Mallakastrës, ku komunistët kishin masakruar në gusht, shtator, dhe tetor shumë nacionalistë, si Hekuran dhe Sinan Hasan Belishovën, Lilo Shabanin, Zenel Ali Aranitasin, Qazim Selfon (komandant çete me djalin e tij) dhe kapiten Idriz Dizdarin. Në zonën e Lushnjës komunistët masakruan Besnik Çanon dhe Qerahmudin Muçon (29 tetor 1943). Brigada e parë komuniste nën Mehmet Shehun sulmon nacionalistët në Lushnjë por iu desh të tërhiqet në Berat; gjatë këtij sulmi Mehmet Shehu kapi 63 rob lufte dhe përveç njërit, i masakroi të gjithë.

Në zonën e Vlorës komunistët vrasin nga gushti deri në tetor Dervish Jonuzin nga Gorishti, Riza Brahimin nga Smokthina, Murat Demën nga Vranishti, Haziz Sharrën nga Vlora, Ali Demon nga Nivica, Ismail Isain dhe Asaf Agon nga Sevasteri. Gjatë të njëjtës periudhë sulmojnë pas shpine batalionin “Hysni Lepenica” që në atë moment ishte angazhuar në luftime të ashpra kundër gjermanëve (shtator 1943).

Në zonën e Gjirokastrën, gjatë periudhës gusht-tetor komunistët vrasin: në Libohovë Kaso Rustemin me gruan dhe fëmijët, Shaban Beqon me 8 miq të tij (komunistët plaçkitin pronat e tij dhe marrin 1500 dele), Fehmi Kullën, Selami Minon, Ruknedi Dinon. Në Përmet: Mukë Nuredinin me djalë. Në Grihot ata ngrenë një kurth dhe Komandanti të forcave të Ballit, Hysni Lepenica, bie me 33 ushtarë të tij. Pastaj ata sulmojnë forcat nacionaliste në Përmet dhe Libohovë dhe i detyrojnë të dorëzojnë bazat e tyre (tetor 1943). Nga sheshi “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, Ali Këlcyra (shtator 1943) përpiqet edhe një herë të arrijë një lloj marrëveshjeje me komunistët, por më kot, sepse lufta civile ishte përhapur gjithandej dhe si rezultat nacionalistët, të përballur me terrorin komunist dhe në rrezik të përhershëm nga masakrat e tyre, u detyruan ta ndërprisnin për një farë kohe luftën kundër gjermanëve, me të cilët komunistët kishin marrëdhënie shumë të mira, dhe të përpiqeshin të mbronin veten.

Përmes terrorit partia komuniste përpiqet të zbatojë moton e vjetër fashiste “Me ne ose kundër nesh”; në këtë mënyrë dalin grupe të reja dhe të paorganizuara, që përpiqen të mbrojnë veten. Këto ishin grupe të qeverisë dhe ato të quajtura “forca popullore”, që të dyja komunistët janë munduar t’i konsiderojnë forca të Ballit Kombëtar dhe i thonë popullit shqiptar si dhe botës së jashtme, se të gjitha forcat që kundërshtojnë komunistët në Shqipëri janë domosdoshmërisht forca të Ballit Kombëtar.

Në zonat e Peshkopisë dhe Dibrës, forcat komuniste sulmojnë forcat lokale dhe pas disa ditë luftimesh munden dhe tërhiqen në Opar dhe Skrapar.

Në zonën e Elbasanit komunistët kalojnë nga ofensiva në mbrojtje dhe mbesin ashtu deri në pranverë të 1944-ës.

Forcat italiane që ishin në Shqipëri në kohën e kapitullimit të Italisë, bashkohen me komunistët që përveç se i përdorin në lloj-lloj punësh të specializuara luftarake, i marrin edhe të gjitha materialet dhe i përdorin për njësitë e tyre të sapo formuara. Është me interes të vëmë në dukje këta se të gjitha paratë që pagoi komanda e Aleatëve për të ushqyer gjithë këto trupa italiane (10000-15000) i shkuan fondeve të komunistëve, sepse italianët u ushqyen me ushqim shqiptar të marrë andej-këtej në vend.

Në zonën e Vlorës çetat komuniste sulmojnë Dukatin, popullata i kërkon ndihmë nacionalistëve; ndihma vjen në kohë dhe komunistët munden dhe tërhiqen (dhjetor 1943). Në zonën e Gjirokastrës forcat lokale i mundin komunistët dhe i dëbojnë nga qyteti, ku komunistët kishin masakruar 17 anëtarë të Ballit, ndër të cilët janë: Boço Kalo, Vasil Shahini, Myzafer Shehu, Sefedin Hajdëri, avokati Emin Kokalari, prof. Tare Kalo, Alush Xhaferri dhe Qamil Bejleri.

Në zonën e Korçës forcat e Ballit i nxjerrin komunistët nga Pogradeci dhe zotërojnë zonën e Mokrës dhe Gorës; në Kolonjë, batalioni “Safet Butka” i mund komunistët, që tërhiqen në zonën e Dangëllisë, Oparit dhe Skraparit.

Viti 1943 u mbyll me Shqipërinë jugore të përfshirë nga flakët dhe tymi i luftës civile. Në radhët e Ballit Kombëtar kishte mbi 1000 të vrarë, përveç të humburve dhe të plagosurve; djegia e shtëpive dhe shkatërrimi i pronave të anëtarëve të Ballit u bë gjë e zakonshme për komunistët; komunistët e grabisnin vazhdimisht fshatarin duke e lënë pa gjë.

Në fillim të vitit 1944 (4 janar 1944) 74 anëtarë të Ballit Kombëtar bënë një mbledhje në Berat për të shqyrtuar gjendjen dhe për të marrë vendim të reja në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve. Edhe në këtë kohë, si zakonisht, komunistët nuk donin të dëgjonin e të bashkëpunonin. Edhe një herë, partisë kundërshtare iu tregua vullneti i mirë, duke pritur nga partia komuniste që të bashkëpunonte me nacionalistët. Këtu duhet përmendur që BK, duke qenë i preokupuar të mos derdhte gjak shqiptar në një mosmarrëveshje civile, asnjëherë nuk mori nismën për një ofensivë të përgjithshme kundër komunistëve, por mbeti gjithmonë në mbrojtje, duke mbrojtur veten sa herë sulmohej dhe duke i angazhuar komunistët vetëm në beteja lokale. Kjo është një nga arsyet që BK nuk i shtypi komunistët.

Viti 1944 e gjeti partinë komuniste me një numër në rritje brigadash në formim e sipër dhe me kredi (morale dhe materiale) në rritje jashtë shtetit. Banda të forta filluan sulme të shpeshta që kishin për qëllim çorganizimin e forcave të Ballit dhe mënyrën normale të jetesës sa herë që sulmonin. Kundër kësaj nacionalistët nuk kishin as kohë e as materialet luftarake për t’u organizuar dhe për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.

Nga janari deri në qershor 1944:

  1. Forcat nacionaliste të zonës së Kolonjës patën 35 përplasje me komunistët dhe në pjesën më të madhe i zmbrapsën ata në thellësi të Skraparit; megjithatë humbjet qenë të mëdha në njerëz (9 komandantë kompanish të vrarë) dhe në fshatra të djegura.
  2. Forcat nacionaliste të Devollit patën 17 përleshje me komunistët dhe nuk i lanë ata të marrin asnjë bazë brenda asaj zone.
  3. Forcat nacionaliste të Gorës, Oparit, Mokrës dhe Pogradecit u përplasën 47 herë me komunistët: 400 nacionalistë të vrarë dhe po aq të plagosur dhe të humbur, 200 shtëpi të nacionalistëve të djegura, pesë fshatra të shkatërruara nga komunistët (Starova, Plovishta, Moçani, Lozhani, Osoja). Në shkurt 1944 në luginën e Shipkës u zbulua Katini i Shqipërisë: 185 ushtarë që ishin zënë rob nga komunistët ishin vrarë prej tyre.
  4. çetat nacionaliste të zonës së Elbasanit, për shkak të një komande të vetme, vepronin në mënyrë të veçuar; këto forca, që në fillim patën shumë suksese, më vonë u shpërndanë me humbje të rënda.
  5. Forcat nacionaliste të zonave të Kavajës dhe Lushnjës marrin nismën dhe e kufizojnë zonën e influencës së komunistëve.
  6. çetat nacionaliste të zonës së Sulovës rezistuan deri në prill, dhe pastaj u detyruan të tërhiqen për shkak të mungesës së pajimeve.
  7. Forcat nacionaliste të zonës së Tomoricës ri-zënë pozicionet e tyre disa herë, por më në fund u detyruan të tërhiqen.
  8. Forcat nacionaliste të zonës së Skraparit së bashku me ato të Dangëllisë dhe Dishnicës, u përpoqën t’i shkulin komunistët nga pozicionet e tyre të forta, por, megjithëse arritën ta bëjnë këtë, nuk kishin materiale të mjaftueshme për të ruajtur fitoret e tyre.
  9. Forcat nacionaliste të zonës së Beratit angazhohen pothuaj për ditë në përleshje me komunistët që duan ta shkulin shtabin e Ballit nga ajo zonë.
  10. Forcat nacionaliste të Mallakastrës dhe Fierit, ndonëse superiore ndaj komunistëve, nuk mund të largoheshin nga bazat e tyre dhe të përdoreshin kur nevojitej.
  11. Forcat nacionaliste të zonës së Dukatit i rezistojnë të gjitha sulmeve komuniste dhe kalojnë shpesh në ofensivë duke u shkaktuar komunistëve humbje të rënda.
  12. Forcat popullore (jo të Ballit) të Vlorës, në bashkëpunim me forcat qeveritare përdorin të njëjtat taktika si ato të komunistëve dhe marrin hak në të njëjtën mënyrë, duke dëmtuar dhe handikapuar veprimtaritë e Ballit Kombëtar.
  13. Forcat nacionaliste të zonës së Gjirokastrës të përqendruara në zonën e Konispol-Delvinës shmangin përleshjet sa herë është e mundur dhe kështu mbeten të ngulitura në zonën e tyre.
  14. Forcat popullore dhe qeveritare (asnjë prej tyre të ballit) të zonës së Gjirokastrës përqendrohen brenda në qytet dhe e mbajnë atë me kosto të lartë. Edhe qeveria e Tiranës u përpoq t’i vinte në ndihmë jugut duke dërguar në pranverën e 1944-s batalione xhandarmërie të stërvitura keq dhe pajisura keq, që u shfarosën rrugës nga gjermanët dhe as nuk arritën aty ku duhej.

Përveç gjithë këtyre, njësitë e ushtrisë gjermane bënin sulme të shpeshta dhe linin prapa shkatërrim dhe rrënoja në dëm të popullatës dhe nacionalistëve. Ia vlen të përmendet se gjatë këtyre operacioneve gjermane komunistët jo vetëm që nuk pësuan gjë, por u forcuan edhe më shumë.

Humbjet gjatë gjashtëmujorit të parë ishin vërtet të mëdha: 1800 të vrarë ose të masakruar nga komunistët dhe 60 fshatra krejt të shkatërruara. Gjashtëmujori i dytë i gjeti nacionalistët duke luftuar për ekzistencën e tyre, dhe kështu populli shqiptar u desh të mbante barrën e një përplasjeje civile dhe të një lufte johumane.

Në fillim të korrikut 1944 divizioni i parë komunist marshoi drejt Shqipërisë së Veriut. Pas disa përleshjesh të vogla, komunistët mundin çetat e Legalitetit dhe pastaj luftojnë me forcat popullore (jo të ballit) të Peshkopisë dhe Dibrës; më luftimet e ashpra që vijuan këto forca popullore i zmbrapsën komunistët të cilët pastaj u ndihmuan nga dy brigada maqedonase.

Të detyruar nga rrethana të jashtme forcat e Ballit humbin kontakt me komunistët dhe disa nga këto forca tërhiqen në zonat e Prezës, Bregut të matit, Mamurrasit dhe Shkodrës, me qëllim që të fillojnë luftën kundër gjermanëve së bashku me forcat e Legalitetit. Ndërkohë që forcat nacionaliste ishin angazhuar në luftë kundër gjermanëve, komunistët i sulmojnë mbrapa shpine (Prezë, 14 tetor 1944). Në mëngjesin e 15 tetorit 1944 komunistët i sulmojnë përsëri forcat nacionaliste në Prezë, por pas një dite luftimesh, u zmbrapsën. Forcat nacionaliste e lënë Prezën me qëllim që të humbin kontaktet me komunistët.

Në gusht 1944 grupi nacionalist i Gani Kryeziut, me ndihmën e çetës kosovare të Ballit Kombëtar me 300 vetë nën komandën e Ejup Binakut, sulmon gjermanët në Gjakovë dhe pas dy ditë luftimesh të ashpra që i shkaktuan armikut disa dëme, u tërhoqën me qëllim që të mos shkatërrohej qyteti. Gjatë këtyre ditëve, komunistët e sulmojnë Gani Kryeziun në befasi, duke i futur kështu edhe atij thikën pas shpine, dhe i shfarosin forcat e tij; aty ata zënë rob Llazar Fundon dhe më vonë e vrasin, pavarësisht nga fakti që me ta ishte edhe Misioni Ushtarak Britanik .

Pas kësaj, komunistët infiltruan në zonën e Mirditës, Pukës dhe Kukësit. Grupi nacionalist Muharrem Bajraktarit, që ishte në aleancë me komunistët dhe që po sulmonte gjermanët, sulmohet pabesisht nga këto forca komuniste dhe mundet pas disa ditë luftimesh (tetor 1944).

Grupi i pavarur (që nuk është forcë e Ballit) nën komandën e marka Gjonit ende i reziston sulmeve të komunistëve.

Më 3 nëntor 1944 Balli Kombëtar i shpërndau forcat e veta, sepse ishte e pamundur të mbronte veten nga agresioni komunist, që ishte fuqizuar shumë, jo vetëm me armë, materiale dhe ushqime sjellë nga jashtë, por edhe nga fakti që Komanda Aleate në Bari kishte pranuar një mision ushtarak komunist. Rreth kësaj kohe Abaz Kupi, udhëheqësi i Lëvizjes së Legalitetit, u largua nga Shqipëria dhe i shpërndau forcat e tij.

Deri në tetor 1944 terrori komunist vrau dhe masakroi më se 3000 njerëz të Ballit.

Shpërndarja e këtyre forcave nuk do të thotë që lufta civile në Shqipëri ka mbaruar. Ndërsa mijëra patriotë dhe luftëtarë të rilindjes shqiptare, të luftës së Vlorës së vitit 1920, të Kongresit të Lushnjës, të luftës së fundit 1939-1944, rënkojnë dhe torturohen natë e ditë nëpër qeli, ndërsa të pafat të tjerë duhet të rrinë fshehur dhe të jetojnë me frikë orë pas ore, ka edhe qindra të tjerë nën udhëheqjen e Abaz Ermenjit, Jup Kazazit, Maliq Dushanit, Muharrem Kapllanit, Besim Belishovës dhe të tjerëve, që po bëjnë një luftë fisnike kundër terrorit komunist pikërisht në ato male që vulosën fatin e ushtrive pushtuese turke, hordhive sllave, këmishëzinjve të Musolinit, të pushtuesit nazist, shkurt të kujtdo që guxoi të cenonte lirinë që ruhet me aq xhelozi në shpellat e tyre, pikërisht në ato male që ruajnë dhe përhapin lirinë dhe pavarësinë.

Burimi: “Rreth aktivitetit të Ballit Kombëtar kundër okupatorit”, botim i Ballit Kombëtar në Emigracion, Shkurt 1945

Author

Back to Top