Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka fshehur prova per të mbrojtur Serbinë!

Aktualiteti, Kosova 0 Comment

Më 24 mars 2016  u ndalua në Hagë gazetarja franceze Florence Hartmann  në zbatim të kërkesës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ ose TPIY në frëngjisht), i cili e kishte dënuar së pari me një gjobë 7 mijë euro për « publikim të informacionit të klasifikuar konfidencial », dënim që u kthye më pas në 7 ditë burg.

Po përse u dha ky dënim?

Florence Hartmann që nga viti 2000 deri në 2006 ka qenë zëdhënëse dhe këshilltare për Ballkanin e prokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë Carla del Ponte. Në vitin 2007 Florence Hartmann botoi në Francë librin « Paqe dhe ndëshkim, Luftërat e fshehta të politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare » (« Paix et châtiment, Les guerres secrètes de la politique et de la justice internationales « ) , ku tregohet si funksiononte Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Në faqet 120-122 të librit të saj, Florence Hartmann tregon se gjyqtarët e Dhomës së Apelit të TPNJ kishin shkelur normat ndërkombëtare dhe rregulloren e procedurës së TPNJ kur kishin bërë me Serbinë një marrëveshje e cila parashikonte që provat që mund të implikonin shtetin serb në gjenocidin e popullatës së Srebrenicës të mbroheshin me statusin e konfidencialitetit të Tribunalit më qëllim që t’i evitohej Serbisë dënimi për gjenocid nga Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë GJND (fr: CIJ en: ICJ).

Dënimi nga TPNJ i një gazetareje, e cila ka punuar për këtë institucion, është absurd  sepse akuzohet për nxjerrje informacionesh që ishin tashmë në domenin publik.

Por ajo që është me të vërtetë skandaloze është që Tribunali ka fshehur me qëllim prova për të mbrojtur Serbinë nga një dënim për gjenocid dhe është mjaftuar me dënimin e individëve si përgjegjës të gjenocidit dhe të masakrave në ish-Jugosllavi, atëherë kur ka qenë i gjithë aparati shtetëror i Serbisë, me të gjitha resurset e tij që i ka planifikuar dhe ekzekutuar.

Është ky një precedent i rrezikshëm sepse një shtet, në këtë rast Serbia, kryen një gjenocid dhe një spastrim etnik ndaj popullatave të ish-Jugosllavisë pa asnjë ndëshkim, pa asnjë dënim, pa kërkuar falje dhe pa shprehuar asnjë pendim!

Si është e mundur që një shtet i tillë të pretendojë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian që është një hapësirë demokratike që nuk mund të tolerojë asnjë formë të prekjes së të drejtave të njeriut, dhe aq më pak një gjenocid apo spastrim etnik ?

Author

Back to Top