Reciprociteti i nevojshëm midis komunave serbe në Kosovë dhe Luginës së Preshevës

Aktualiteti, Kosova 0 Comment

Duket se bisedimet për normalizmin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në fazën përfundimtare. Në fillim të muajit shtator është parashikuar një takim në Shtëpinë e Bardhë i organizuar nga SHBA dhe pak ditë më vonë një takim tjetër pritet të zhvillohet në Bruksel nën kujdesin e BE.
SHBA dhe BE kanë të njëjtin qëndrim për pavarësinë e Kosovës dhe e kanë njohur atë, por nuk janë plotësisht dakord për rezultatet e mundshme të bisedimeve direkte Kosovë-Serbi. Ndërsa SHBA janë shprehur më parë se do të përkrahin çdo marrëveshje të pranuar nga të dy vendet, BE nuk do të pranonte një marrëveshje me ndryshimin apo korrigjimin e kufijve aktualë, sepse i druhet një efekti domino në Ballkan i cili mund të fillonte me entitetin serb të Bosnje-Herezgovinës.
Serbia do ta dëshironte një marrëveshje të tillë pikërisht për këtë arsye, për të krijuar « Serbinë e Madhe ». Kjo do të thotë se delegacioni serb mund ta nënshkruante një marrëveshje të tillë, pavarësisht deklaratave mediatike.

Ruajtja e intergritetit territorial

Por një marrëveshje me ndryshim kufijsh  shkon kundër interesave të Kosovës dhe shqiptare në përgjithësi. Në radhë të parë Kosova do të humbiste falas një territor i cili i është njohur nga më shumë se gjysma e vendeve të botës. Në radhë të dytë Kosova do të vinte në dyshim njohjen e saj nga shumë vende të botës, të cilat e kanë njohur me territorin që kishte si krahinë autonome e ish-Jugosllavisë. Në radhë të tretë, Serbia do të synonte që ndryshimi t’i jepte sa më shumë territor brenda Kosovës. Dhe së fundi Serbia, do ta shfytëzonte këtë ndryshim për ta shkatërruar Pavarësinë e Kosovës dhe do të kërkonte të merrte akoma më shumë toka në Kosovë sepse synimi i vërtetë i « Serbisë së Madhe » është të ri-aneksojë të paktën gjysmën e Kosovës, në mos të gjithën.
Natyrisht që një « Serbi e Madhe » është kundër interesave shqiptare në Ballkan dhe do të shkaktonte luftra të reja, zhvendosje popullsie dhe tkurrje të elementit shqiptar në një të ardhme jo të largët.
Diplomacia e shtetit të ri të Kosovës ka qenë e përqendruar te njohja ndërkombëtare dhe i ka dhënë njohjes nga Serbia një rëndësi tepër të madhe. Por kjo njohje nuk mund të bëhet me çfarëdo lloj çmimi. Është e kuptueshme dëshira e Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe të vazhdojë rrugën përpara. Por Serbia nuk e pranon këtë dhe bën ç’është e mundur që të destabilizojë shtetin e ri kosovar. Prandaj Kosova duhet të përgatitet me durim për një luftë të gjatë diplomatike dhe të mos nxitohet me pseudo-zgjidhje të rrezikshme.
Nëse Serbia sot guxon dhe kërkon ndryshime kufiri për komunat me shumicë serbe të Veriut të Kosovës, kjo ndodh sepse Prishtina nuk ka arritur ta vendosë autoritetin e saj aty për shkak të ndikimit të Beogradit në ato komuna. Por kjo nuk do të thotë që Kosova duhet t’i lëshojë ato komuna. Është territori i saj i njohur ndërkombtarisht. Minoritete në zona kufitare kanë shumë vende, edhe Serbia vetë, por kjo nuk do të thotë që duhet ndryshuar kufiri. Legjislacioni i çdo vendi përcakton trajtimin e minoriteteve dhe ky sistem funksionon mjaft mirë në shumicën e rasteve.
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do ta pranojnë më lehtë autoritetin e Prishtinës kur Serbia ta ketë njohur Kosovën. Dhe kjo do të ndodh herët a vonë. Por sot është me rëndësi absolute ruajtja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Komunat serbe në Kosovë dhe Lugina e Preshevës

Në bisedimet me Kosovën Serbia ka kërkuar me insistim krijimin e Asosiacionit të komunave serbe në Kosovë dhe dhënies së tyre kompetenca ekzekutive, që nënkupton një formë autonomie të minoritetit serb në Kosovë. Ky është plani B i Serbisë që mund të jetë edhe një zgjatim i planit A të mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës. Nëse do të detyrohet ta njohë Kosovën, Serbia kërkon të sigurojë mjetet për ta shkatërruar pavarësinë e Kosovës nga brenda dhe të arrijë përsëri të marrë gjysmën e Kosovës dhe t’ia bashkojë « Serbisë së Madhe ». Përsëri Kosova duhet të tregohet këtu mjaft e kujdesshme dhe të mos i japë këtij asosiacioni të drejta ekzekutive. Njohja nga Serbia nuk mund të ketë çfarëdo lloj çmimi ! Duhet menduar edhe për të ardhmen.
Nga ana tjetër Kosova është treguar tepër e druajtur për të kërkuar më shumë të drejta për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, kur dihet se ato komuna i janë shkëputur nga adminstrata ish-jugosllave për të dobësuar elementin shqiptar në Kosovë. Dhe kur ato komuna shqiptare e kanë shprehur në mënyrë të qartë me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, vullnetin për autonomi dhe për t’u bashkuar me Kosovën. Në situatën aktuale, kur vëmendja e të gjithë botës është e përqendruar në rajon, për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës duhen kërkuar të paktën të njëjtat të drejta dhe kompetenca me ato të komunave serbe në Kosovë ! Përse serbët e Kosovës të kenë të drejta maksimale dhe jo shqiptarët e Luginës së Preshevës? Nuk është asnjëherë vonë që kjo çështje të futet në bisedimet me Serbinë, dhe të trajtohet në mënyrë absolutisht reciproke me komunat serbe në Kosovë.

Situata ndërkombëtare

Duhet thënë se Kosova nuk është në momentin e saj më të mirë për bisedime, për shkak të akt-akuzave të Gjykatës Speciale dhe të përçarjeve të mëdha të politikës kosovare. Serbia nga ana e saj ka përkrahje maksimale nga ana e Rusisë dhe nëpërmjet shpifjeve, gënjeshtrave dhe mashtrimeve ka arritur deri diku ta heqë vëmendjen nga gjenocidi dhe krimet e saj monstruoze të 2 dekadave më parë. Serbia pra gjendet në një moment të favorshëm dhe mund të arrijë rezultate maskimale në këto bisedime. Por e ardhmja duket më pak e mirë për Serbinë, sepse regjimet autokratike dhe personale si ai i Rusisë nuk janë të përjetshme. Ngjarjet e fundit në Bjellorusi dhe në Rusi tregojnë se mund të ketë ndryshime radikale.
Për këtë arsye Kosova nuk duhet të nxitohet. Ndoshta duhet pritur edhe pak për momentin optimal të negociatave.
Nga ana tjetër Kosova nuk mund të refuzojë rastet për marrëveshje të ofruara nga aleatët dhe miqtë e saj perëndimorë. Sidomos nëse ato çojnë në njohjen e saj nga OKB. Por Kosova duhet të dijë edhe të thotë jo dhe sidomos të shpjegojë arsyen, nëse një marrëveshje prek interesat e saj vitale dhe i kushton shtrenjtë në të ardhmen.
Natyrisht që Kosova duhet të dijë të ruaj aleatët e saj perëndimorë, të cilët janë angazhuar fuqishëm në sigurinë e Kosovës me pjesëmarrjen në KFOR dhe tre prej të cilëve kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB. Do të jetë kjo një sfidë e vështirë por e domosdoshme për diplomacinë e re kosovare.

Xh. Meçorrapaj

 

Author

Back to Top