Jo Minishengenit serbomadh dhe hapjes së porteve shqiptare për Serbinë !
Aktualiteti, Kosova 5 Shtator, 2020, 0 CommentMarrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020 parashikon që Kosova të bëhet pjesë e Minishengenit Ballkanik ku marrin pjesë tashmë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia.
« Minishengeni » dhe Kosova
Duhet kuptuar se « minishengeni » nuk eshte as në interes të Kosovës, as të Shqipërisë dhe as të Shqiptarisë. Por është vetëm në interes të Serbisë së cilës i hap rrugën e një hapësire të madhe ekonomike dhe do ta ndihmonte të marrë rolin e liderit ekonomik rajonal, të cilin sigurisht Serbia do ta përdorte për të arritur synime politike, si për shembull rimarrjen në kontroll të Kosovës.
Cili është interesi i Kosovës të hyjë në këtë marrëveshje? Të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Serbisë? Përse Kosova do ta bënte këtë? Për ta falenderuar për mbi 10 mijë të vrarët, për mijëra vajzat e përdhunuara, për qindra mijë të shpërngulurit me forcë, për shtëpitë e djegura, për krimet e tmerrshme të kryera nga po kjo Serbi? Apo për ta ndihmuar Serbinë që ta rifusë nën kontrollin e saj pas disa vitesh?
Duhet kuptuar mirë që « minishengenin » nuk e ka krijuar Shqipëria, e cila aty shërben vetëm sa për të mashtruar kosovarët, sikurse herë të tjera në histori. Kosovarët duhet të bënin pyetjen se ç’do të ndodhte nëse Shqipëria do të largohej me hir a me pahir pas disa vjetësh nga « minishengeni » dhe Kosova të mbetej vetëm me Serbinë ? Sigurisht « minishengeni » do të ishte fillimi i një procesi të ri-integrimit të Kosovës në Serbi.
« Minishengeni » është një marrëveshje jonatyrore, që nuk ka asnjë mundësi të funksionojë. Është një Jugosllavi e re me popuj të ndryshëm, me gjuhë dhe zakone të ndryshme, me interesa kontradiktore dhe të papajtueshme, me armiqësi shekullore. E pamë në vitet ’90 si përfundoi ish-Jugosllavia dhe do të ishte llogjike të mos përsëriten aventura të tilla.
« Minishengeni » është i rrezikshëm dhe do të sillte tragjedi të reja, sepse do t’i jepte Serbisë shkas për të ndërhyrë në Kosovë dhe do të shkaktonte një luftë të re ballkanike.
Porti në Adriatik
Në këtë marrëveshje parashihet që Serbia të ketë hyrje në një port në Adriatik. Nëse bëhet fjalë për Shëngjinin ose Durrësin, kjo është absolutisht e papranueshme për dy arsye.
E para Shqipëria nuk ka asnjë arësye të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Serbisë i cili do të bëhet në kurriz të vendeve të tjera të rajonit. E përse do ta bënte Shqipëria këtë? Për të falenderuar Serbinë për vrasjet, djegiet, përdhunimet dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës? Apo për të falenderuar Serbinë për rolin e saj kyç në vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe nxitjen e një lufte civile tragjike kundër nacionalistëve në vitet 1941-1944 nëpërmjet agjentëve të saj komunistë Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, etj. ?
E dyta, nëse Shqipëria e lejon Serbinë të ketë hyrje në një port të saj, qoftë edhe si një « port i lirë » gjë që me heqjen e taksave dhe politikës fiskale do të thotë heqje e sovranitetit ekonomik të shtetit shqiptar, do të përballemi me një rrezik të madh në të ardhmen. Serbia do të bëjë ç’është e mundur, me të gjitha mjetet, të mos largohet më prej aty. Dhe më keq akoma, pas 100 vjetësh serbët, sipas zakonit të tyre të vjetër të gënjeshtrës, manipulimit, përvetësimit dhe rishkrimit të historisë, do të pretendojnë se porti ka qenë tokë serbe dhe do të përpiqen ta pushtojnë ushtarakisht. Kjo duket sot e paimagjinueshme, por të mos harrojmë se në të njëjtën mënyrë kanë vepruar në Kosovë me manastiret arbërore bizantine që i kanë përvetësuar në kohën e perandorisë otomane dhe të cilat sot ua njeh e gjithë bota.
Marrëveshje e rrezikshme
Sigurisht kemi të bëjmë këtu me një marrëveshje kundër interesave shqiptare. Por jo vetëm kaq. Është kjo një marrëveshje amorale sepse shpërblen një shtet që ka kryer disa gjenocide dhe spastrime etnike në Ballkan. Duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm për rajonin dhe më gjerë. Kjo marrëveshje do të inkurajojë serbët të vazhdojnë projektin e tyre të Serbisë së Madhe. Dhe nuk ka për t’i larguar nga Rusia, me të cilën kanë lidhje të thella shipirtërore.
Rruga e vetme për ta qetësuar Serbinë dhe për të shmangur problemet që ajo mund të shkaktojë përsëri në Ballkan, është dënimi publik i gjenocidit dhe spastrimit etnik të shkaktuar nga Serbia, ndryshimi i klasës së saj politike, ç’indoktrinimi i popullsisë nga idetë e Serbisë së Madhe. Një proces i ngjashëm me atë që ndodhi në Gjermaninë naziste, sepse krimet serbe në ish-Jugosllavi janë të nivelit të Holokaustit : 140 000 viktima, shumica popullsi civile, djegie shtëpish, përdhunime, tortura ekstreme, vrasje makabre, të gjitha këto si mjet për të realizuar qëllime politike dhe të organizuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Cfarë mund të bëjmë ?
E vetmja mënyrë sjellje me Serbinë që garanton paqen dhe sigurinë është që ta mbajmë larg.
Për këtë arësye duhet refuzuar marrëveshja. Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të futet në « minishengenin » serbomadh. Marrëveshja duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës ku mund të korrigjohet. Dhe sidomos nuk duhet nxituar për konkretizimin e marrëveshjes. E mira do të ishte që të mos nënshkruhej asgjë deri në vitin 2021.
Kosova duhet ta ndërpriste krejtësisht dialogun, përsa kohë Serbia nuk ia ka njohur pavarësinë. Ndodhemi sot në një situatë ku çdo nënshkrim konkret mund të përdoret nesër për të ri-integruar Kosovën në Serbi.
Nga ana tjetër, në Shqipëri qeveria aktuale e Edi Ramës, në vazhdimësi të traditës anti-kombëtare të komunizmit shqiptar, duket se e ka pranuar tashmë idenë e « minishengenit » dhe ka pak të ngjarë të ndryshojë qëndrim. Prandaj i takon opozitës ta denoncojë këtë marrëveshje për t’ia lehtësuar situatën Kosovës e cila ka një presion tepër të madh për ta pranuar në një kohë që klasa politike e saj ka qenë kundër marrëveshjes.
Tashmë është detyrë e të gjitha forcave kombëtare që të punojnë për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Por opozita në Shqipëri duhet të angazhohet sa më parë për daljen nga marrëveshja e « minishengenit », e cila është kundër interesave kombëtare shqiptare.
Shqiptarët e Kosovës dhe të mbarë Shqiptarisë ndodhen sot në një moment kritik, në një udhëkryq të ri të historisë së tyre. Situata është tepër e vështirë, por jo e papërballueshme. I kemi ende mjetet që të dalim faqebardhë nga kjo sfidë e re. Por duhet treguar guxim, mençuri dhe qetësi dhe largpamësi.
Xhemil Meçorrapaj