Neni 7 i Konventës së Detit favorizon Shqipërinë për kufirin detar me Greqinë
Aktualiteti 22 Dhjetor, 2020, Comments OffTre paragrafe të Nenit 7 dhe jurisprudenca e GJND-së favorizojnë qartas Shqipërinë në përcaktimin e vijave bazë dhe në metodën e përllogaritjes së gjerësisë së hapësirës detare
Në datën 20 Tetor 2020 kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias në një konferencë të përbashkët për shtyp deklaruan se dy vendet kanë vendosur t’ia kalojnë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë përcaktimin e kufirit detar midis dy vendeve.
Ky vendim vjen pasi një projekt-marrëveshje e mëparshme e vitit 2009 midis dy vendeve, ku favorizohej shumë Greqia, ishte hedhur poshtë me plot të drejtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Vendimi për t’ia kaluar çështjen organizmave ndërkombëtarë duket në pamje të parë i mirë, sepse mund të evitojë politizimin brenda-shqiptar të çështjes. Por nga ana tjetër është një vendim i rrezikshëm, sepse Shqipëria angazhohet të pranojë verdiktin e GJND i cili mund të mos jetë ashtu si shpresohet dhe, nëse pala shqiptare nuk arrin të paraqesë bindshëm argumentet e duhura mund të shkojë deri në cënim të sigurisë kombëtare.
Duhet kuptuar se kjo Gjykatë nuk do të marrë një vendim për të gjetur zgjidhjen më të drejtë në mënyrë absolute, por një zgjidhje të gjykuar në bazë të kërkesave dhe argumenteve që do të sjellin të dy palët.
Prandaj është shumë me rëndësi që shteti shqiptar ta marrë shumë seriozisht këtë çështje dhe të përgatitet mirë, nëse dëshiron që verdikti të jetë e drejtë dhe Shqipëria të mos dalë e humbur dhe e rrezikuar. Duhet për këtë një vullnet politik dhe patriotik, specialistë të zotë dhe shumë punë që tani sepse koha nuk pret, për përgatjen e kërkesave dhe argumentave ku ato bazohen.
Shqipëria në këtë çështje ka disa interesa. Në radhë të parë interesa të sigurisë kombëtare dhe territoriale. Greqia ka vendosur, dhe është e drejta e saj, ta zgjerojë detin e saj territorial nga 6 milje detare në 12. Por nuk mund ta bëjë këtë në dëm të detit territorial, të detit të afërt dhe të zonës ekonomike ekskluzive të Shqipërisë. Konkretisht, nëse kjo do të ndodhte sipas pretendimeve greke, deti territorial i Greqisë do të ngjitej shumë lart në detin Jon në drejtim të Karaburunit dhe përballë fshatrave të Bregut. Kujtojmë këtu se anijet luftarake të një vendi kanë të drejtë të lëvizin lirisht në detin e tij territorial.
Kjo do të cënonte sigurinë kombëtare të Shqipërisë sepse :
1/ Greqia ka gjithmonë në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë
2/ qarqe ekstremiste greke pretendojnë dhe punojnë aktivisht për aneksimin e Shqipërisë së Jugut
3/ zona e Bregut është një zonë ku punohet aktivisht për greqizimin e popullsisë nga këto qarqe.
Do të ishte absolutisht e papranueshme për Shqipërinë që për shembull anije luftarake greke të mund të qarkullonin lirisht përballë Himarës, sepse kjo do të përdorej për qëllime ekspansioniste.
Interesi i dytë i Shqipërisë është gjeo-politik dhe ka të bëjë me kanalin e Otrantos i cili sot kontrollohet nga Italia dhe Shqipëria : nuk ka se përse një palë e tretë, bregdeti kontinental i së cilës gjendet shumë larg, të pretendojë kontrollin e këtij kanali.
Interesi i tretë i Shqipërisë është ekonomik dhe ka të bëjë me zonën ekskluzive ekonomike e cila teorikisht mund të shkojë deri në 200 milje nëse do ta lejonte hapësira detare.
Këto tre interesa duhen mbrojtur dhe argumentuar përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila duhet të jetë e ndjeshme ndaj tyre dhe t’i marrë parasysh.
Përsa i përket argumentave që Shqipëria mund të paraqesë, është me interes të rilexohet Konventa e Detit UNCLOS, e cila në frymën e saj do të favorizonte Shqipërinë kontinentale përballë ishujve të vegjël të Greqisë.
Celësi i verdiktit të Hagës do të jetë përcaktimi i vijave të drejta bazë të dy vendeve. Greqisë do t’i interesonte të përdorej një vijë e vazhduar bazë që nga bregu i saj kontinental që do të vazhdonte në Korfuz dhe më tej me ishujt Erikusa (Merlera) dhe Otoni (Fano).
Paragrafi 1 i Nenit 7 të Konventës flet për këtë rast:
“Atje ku bregu është shumë i copëtuar dhe i prerë, ose kur ka një varg ishujsh përgjatë bregut në një afërsi të madhe me të, metoda e vijave të drejta bazë që bashkojnë pikat e përshtatshme mund të përdoret për të shënuar vijën bazë nga e cila matet gjerësia e detit territorial.”
Por ishujt Erikusa dhe Otoni, madje edhe Korfuzi, ndodhen larg bregut të Greqisë kontinentale. Ishulli i Korfuzit në pikën më të afërt ndahet nga gati 6 milje nga bregu i Greqisë dhe largësia shkon mbi 10 milje në gati gjithë gjatësinë e tij. Kurse ishujt Erikusa dhe Otoni kanë një distancë mbi 20 milje nga bregu i Greqisë kontinentale, që është 3 herë më shumë se distanca e detit territorial aktual të Greqisë.
Duke qenë se kushti i “afërsisë së madhe” nuk respektohet, paragrafi 1 i Nenit 7 të Konventës nuk mund të përdoret në këtë rast, që do të thotë se vija bazë e Greqisë kontinentale nuk mund të zgjatohet as në Korfuz dhe aq më pak në ishujt e tjerë.
Nga ana tjetër, ishujt Erkiusa dhe Otoni nuk mund të kenë një vijë të përbashkët bazë me ishullin e Korfuzit nga i cili kanë një distancë të paktën 10 milje, sepse përsëri kjo do të ishte në kundërshtim me paragrafin 1. të Nenit 7 të Konventës së Detit ngaqë distanca është e madhe.
Për më tepër paragrafi 3 i Nenit 7 nuk e lejon vazhdimin e vijës bazë të Greqisë kontinentale në ishullin e Korfuzit, dhe as të vijës bazë të Korfuzit në ishujt Erikusa dhe Otoni sepse thotë:
“Vijat e drejta bazë nuk duhet të shmangen ndjeshëm nga drejtimi i përgjithshëm i bregut dhe hapësirat detare brenda tyre duhet të jenë mjaftueshëm të lidhura me tokën për t’u futur në regjimin e ujrave të brendshme”.
Konkretisht vija bazë e bregut të Greqisë kontinentale e cila shkon drejt veriut nuk mund të përdoret në Korfuz ajo do të shkonte drejt perëndimit duke u shmangur ndjeshëm nga drejtimi i bregut kontinental. Po ashtu vija bazë e bregut verior të Korfuzit do të kishte një thyerje shumë të madhe drejt veriut nëse do të përdorej për ishujt Erikusa dhe Otoni. Nga ana tjetër, ujrat midis Korfuzit dhe këtyre ishujve, për shkak të distancës së madhe, si dhe sipërfaqes së vogël të Erikusës dhe Otonit, nuk janë mjaftueshëm të lidhura me tokën për ta quajtur hapësirën detare midis tyre si det të brendshëm.
Por akoma më qartë shprehet paragrafi 6 i Nenit 7 të Konventës i cili thotë:
“Metoda e vijave bazë të drejta nuk mund të përdoret nga një shtet në një mënyrë të tillë ku deti territorial i një shteti tjetër të ndërpritet nga deti i hapur ose nga zona e tij ekskluzive ekonomike”.
Dhe është pikërisht ajo që do të ndodhte me detin territorial të Shqipërisë, i cili do të zvogëlohej dhe do të ndërpritej nga pjesë të mëdha të zonës ekskluzive ekonomike dhe detit të hapur nga një vijë bazë e përbashkët midis ishujve të Korfuzit, Erikusës dhe Otonit.
Si përfundim, duke u bazuar në këto 3 paragrafe të Nenit 7 të Konventës mund të argumentohet se secili prej këtyre ishujve duhet të ketë vijën e vet bazë të pavarur nga ishujt e tjerë.
Pikë tjetër me rëndësi do të jetë llogaritja e gjerësisë së detit territorial për këta ishuj, përcaktimi i së cilës bëhet duke u nisur vijat e drejta bazë. Kujtojmë se gjerësia e detit territorial të Shqipërisë është 12 milje.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë në të kaluarën vendime që kanë hyrë në juriprudencën e Konventës së Detit për përcaktimin e hapësirave detare në rastin e një ishulli të vogël që ndodhet përballë bregut kontinental të një vendi, duke përdorur metodën e proporcionalitetit në krahasimin e gjatësisë së brigjeve relevante. Raporti i gjatësisë së brigjeve kontinentale dhe brigjeve të ishullit përdoret në këtë rast si raport i gjerësisë së hapësirave detare të kontinentit dhe ishullit.
Mund të merret këtu si shembull rasti i ishullit San Andres në detin e Karaibeve i cili i përket Kolumbisë, por ndodhet përballë brigjeve të Nikaraguas. Më 19 nëntor 2012 GJND konsideroi që raporti i brigjeve relevante ishte 1 me 8,2 në disfavor të Kolumbisë dhe vendosi t’i njihte tre të katërtat e hapësirës detare Nikaraguas.
Një shpjegim i hollësishëm i këtij rasti mund të gjendet në arkivat e GJND-së në adresën:
https://www.icj-cij.org/en/case/124
Në rastin tonë brigjet relevante të ishujve grekë janë ato lindore dhe veriore përballë Shqipërisë, kurse brigjet relevante shqiptare janë ato të gjithë bregut jonian. Përllogaritja e gjatësisë së brigjeve relevante shqiptare dhe të secilit ishull grek, do të përcaktonte raportin e gjerësisë së hapësirës detare për secilin vend në zonën përkatëse.
Ka edhe argumente të tjerë që mund të përgatiten nga pala shqiptare, si ai vijës bazë të gjirit të Sarandës, statusi i ishujve Erikusa dhe Otoni etj. Por me rëndësi thelbësore për Shqipërinë do të jetë mënyra e përcaktimit të vijave bazë të ishujve grekë dhe metoda e përllogaritjes së gjerësisë së detit territorial.
Këto do të përcaktojnë në detin Jon kufirin detar verior dhe lindor të Greqisë i cili ka një rëndësi jetike për Shqipërinë.
Xh. Meçorrapaj