Lufta Civile 1943-1944 : Trathëti mbas trathëtie

Historia, Lufta 1939-1944, Lufta civile Comments Off

Të shtunën më 25 shtatuer, çetat e Ballit Kombëtar të Qarkorit të Lushnjës, të thirruna prej Qarkorit të Beratit, nisën drejt Kuçovës për të marrë në dorzim nji pjesë të materialit të lanun atje. Me të mbrrijtun në vëndin e caktuem, çetat t’ona lajmërohen që të tërhiqen me njiherë s’andejmi mbasi njisinat partizane nën komandën e Sul Hidrit e të Rahman Uruçit, do t’i vinin zjarrin atij vendi.

Pa vonesë, ushtrija e jonë nën komandën e Isa Manastirliut, të Hamit Matjanit e të Xhaferr Balit, marin udhën e katundit Thanë për me pritë urdhnin e ri. Ndërkaq nji lajm me urgjencë prej Lushnje lajmëronte se për nevoja të ngutëshme e tanë çeta duhej t’i afrohej sa ma parë qytetit në fjalë. Tue pasë lajmërue ma parë Beratin, kryetarët e njisivet t’ona vënë lëvizje ushtrinë dhe marrin udhën e kthimit. Pa as ma të voglin dyshim se do të sulmoheshin prej ndokujt, mbasi vendi ishte i kontrolluem vetëm prej popullit e prej çetave të të dy anëve, ushtarët dhe kryetarët e tyne u nisën, pa u shkue nga mendja se vlleznit e tyne u kishin vu pritën pikërisht n’atë vend ku ata ishin të siguruem prej çdo të papritune. Pa mbrrijtë mirë te katundi Thanë, nji krizëm pushkësh e nji batare mitralozash i ven në mes dy zjarresh ushtarët e popullit e të Shqipnisë. Njisinat partizane, të komanduem prej të mirënjoftunit Rahman Uruçit e prej Sulë Hidrit, pa as ma të voglën përgjegjësi shqiptare e kombëtare, pa as ma të voglën ndjenjë shoqnore e njerzore, thue se andej po kalojshin italjanë, gjermanë, grekë a serbë, lëshohen në shpinë të popullit t’armatosun për mbrojtjen e vendit e të Flamurit Kuq e Zi dhe, pa pyetë se cilin vrasin e plagosin, pa mendue se në besë Shqiptari nuk pret jo mikun por as anmikun, pa u kujtue se me këtë vepër veshin në zi nana e motra, nuse e të reja shqiptare, mbi të gjitha, pa u kujtue se kështu mund t’ i hapin vendit varrin e përjetshëm të gjakderdhjes e të fatkeqësisë, derdhin plumbat e pushkët tradhëtare mbi djemt e Arbënisë, mbi Vullnetarët e Lirisë.

Dy duer për nji krye janë. Dhe në minutë, burrat e futun pabesisht ndërmjet dy zjarreve, shpërndahen, zanë pozisionet e rastit dhe fillojnë të mbrojnë vehten e Flamurin për të cilin ishin betue me i dalë zot. Lufta fillon, e ngadalëshme në fillim prej nesh për me kursye vlleznit e mshefun në pritë. Njizet minuta ma vonë, pikërisht n’orën katër, zjarri bahet aq i dendur, plumbat shtohen aq shumë sa i tanë vendi mer nji pamje me të vërtetë lufte. Në këtë përleshje vlla me vlla, në këtë ndeshje ndërmjet bijve të nji nane e të nji vendi, qi zgjati gadi pesë orë, çetat lanë nji të vramë e katër të plagosun. Lajmet e ma vonëshme dhanë këtë përfundim: partizanët kishin lanë katër të vramë e shtatë të plagosun.

Nga ora tetë e mbramjes njisinat t’ona marrin udhën e kthimit. Por për çudi, nji prit’ e dytë, ma e vogël se e para, u hap zjarr afër katundit Bide. Fuqitë me nji herë marrin masat e mbrojtjes dhe i vënë n’ikje sulmuesit, të cilët lanë rob dy veta. Njerzit e zanun, si u pyetën dhe u banë hetimet e rastit u liruen të shkojnë në punën e tyne, t’armatosun.

Ashte e dijtun se me këto veprime kryekëput çkombtarizuese, përgjegjësija asht e atyne qi në këto kohët e fundit janë ba sulmues kundra asaj pjese shqiptarësh qi zgjodhi për shok lufte vetëm Flamurin e Shqipnisë. Por çasti fatal i vllavrasjes, qi po tingllon aty këtu ndër disa vise t’Atdheut t’onë, do të jetë njiherit edhe çasti i gjyqit e i denimit për ate klikë qi për hatër të nji ideje po i ven thikën në grykë popullit e shqiptarismës mijëvjeçare.

RROFTË SHQIPNIJA!
30 Shtatuer 1943

Author

Back to Top