Edhe njëherë për asociacionin e komunave serbe në Kosovë
Aktualiteti, Kosova 26 Mars, 2021, Comments OffPas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë që i hapën rrugën krijimit të qeverisë së Z. Albin Kurti, Serbia dhe “I dërguari special i Bashkimit Europian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” (sic), z. Miroslav Lajçak po bëjnë presion që qerveria e re e Kosovës të implementojë asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ky asociacion është nënshkruar nga dy vendet me nxitjen e BE në kuadrin e Marrëveshjes së Brukselit, por është rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës sepse bie ndesh me karakterin unitar të shtetit të Kosovës të përcaktuar në Kushtetutë.
Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese bën që kjo marrëveshje të jetë e pavlefshme dhe asnjë qeveri nuk ka detyrimin që ta zbatojë. Madje zbatimi apo implementimi i saj do të ishte anti-kushtetues.
Z. Lajçak, i cili e kupton mirë këtë, ka arritur deri aty sa të sugjerojë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes. Një qëndrim i çuditshëm ky nga një diplomat i nivelit të tij, sepse tregon një nënçmim të madh për Kushtetutën e Kosovës dhe për vullnetin e popullit të Kosovës.
Nga ana tjetër, Serbia dhe Z. Lajçak argumentojnë se Kosova (më saktë “Prishtina”) e ka nënshkruar këtë marrëveshje dhe është e detyruar ta zbatojë. Sipas tyre, “Prishtina” nuk e mban fjalën. Por në të vërtetë nuk është Kosova që nuk e mban fjalën, por është Serbia ajo e cila që nga fillimi i dialogut, për vite me radhë, ka mashtruar BE-në dhe Kosovën se procesi i dialogut do të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës! Nëse përfaqësuesit e Kosovës kanë pranuar të nënshkruajnë këtë marrëveshje në Bruksel, kjo ka ndodhur sepse u është dhënë garanci nga BE se procesi do të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës. Këtë duket se Serbia ia ka premtuar BE-së, duke mos e realizuar kurrë. Pra cila është pala që nuk e mban fjalën në këtë dialog? Të gjithë e kemi parë si përfundoi ky dialog i drejtuar nga përfaqësuesja e BE në atë kohë Federica Mogherini e cila u largua krejtësisht e zhgënjyer nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e Serbisë.
Serbia dhe Z. Lajçak akuzojnë “Prishtinën” se ajo nuk dëshiron të dialogojë, kur përfaqësuesit e Kosovës thonë se nuk mund të diskutojnë për asociacionin sepse është anti-kushtetues. Kurse Serbia vetë thotë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Atëherë për çfarë do të dialogojë Serbia kur kërkesa numër një e Kosovës është njohja e Pavarësisë së saj? Në realitet ajo që nuk është e gatshme të dialogojë është Serbia, sepse nuk është e gatshme ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Serbia është e vendosur të mos e njohë kurrë Kosovën. Dialogun e përdor vetëm për të sabotuar pavarësinë e Kosovës. E përdor për të krijuar instrumente që do të mund t’i përdorte më vonë për të ripushtuar Kosovën pjesërisht ose në tërësi. Janë këto ëndrra të parealizueshme, por Serbia shpreson në një ndryshim të situatës ndërkombëtare që do ta linte Kosovën pa mbrojtjen e aleatëve.
Dhe sigurisht, Z. Lajçak me eksperiencën e madhe që ka në Ballkan (si për shembull në Bosnje) duhet ta kuptojë se çfarë bën Serbia. Ajo që është pakuptueshme është se përse përkrah thuajse sistematikisht qëndrimet serbe, edhe kur ato shkojnë kundër vetë interesave të BE? Mos vallë për shkak të solidaritetit sllav?
Krijimi i asociacionit të komunave serbe, shkon jo vetëm kundër interesave të Shqiptarëve, kundër interesave të shtetit të Kosovës por edhe kundër interesave të Bashkimit Europian.
Ndryshimet që ndodhën në Ballkan pas viteve ’90 sollën shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të reja të dala nga ish-njësitë federative jugosllave. Kufijtë e këtyre shteteve nuk janë kufij të pastër etnik, por kufizimi i ndryshimeve brenda territorit të ish-Jugosllavisë pa ndryshuar kufijtë e ish-njësive federative ka bërë që ndryshimet të mos përhapen në zona të tjera të Ballkanit.
Sot vendet e Ballkanit dhe në radhë të parë ata që kanë dalë nga ish-Jugosllavia ndodhen përballë një dileme: të ruhen kufijtë ekzistues apo të vendosen kufij të ri në vija etnike.
Vendosja e kufijve në vija etnike në Ballkan, ku nuk ekziston zakoni i marrëveshjeve paqësore, do të thotë luftë ku do të përfshiheshin së paku këta shtete: Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Mal i Zi, Bosnje-Herzegovina dhe Kroacia. Konflikti mund të shkojë deri në Greqi dhe Hungari. Indirekt do të implikoheshin edhe fuqitë e mëdha Rusi, SHBA dhe BE. Do të kishim një situatë të pakontrollueshme e cila nuk dihet kur dhe ku do të përfundonte.
Do të kishim përsëri një tragjedi të tmerrshme njerëzore, me shumë viktima dhe zhvendosje popullatash si në vitet ’90. Duket se Serbia e dëshiron këtë duke shpresuar të marrë ndihmën e Rusisë dhe të përfundojë projektin e Millosheviçit për Serbinë e Madhe. Por fundit asnjëherë nuk dihet. Serbia edhe pas pavarësimit të Kosovës ka në territorin e saj disa minoritete të tjera të cilat mund t’i shkëputeshin.
Bashkimi Europian sigurisht nuk e dëshiron në asnjë mënyrë skenarin e mësipërm. Por krijimi i asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, është një hap i parë drejt atij skenari të tmerrshëm, sepse do të çojë në dislokimin e shtetit të Kosovës, bashkimin e një pjese të Kosovës me Serbinë, bashkimin e pjesës tjetër me Shqipërinë, dislokimin e Maqedonisë së Veriut e kështu me radhë sepse sigurisht nuk do të përfundojë këtu.
Plani i Ahtisaarit, ku mbështetet Kushtetuta e Kosovës, është aktualisht zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe rajonin, dhe për më shumë se 12 vjet ka dhënë provën se funksionon. Çdo ndryshim i Kushtetutës së Kosovës do të ketë pasoja të mëdha në ekuilibrin e brishtë të rajonit.
Prandaj Z. Lajçak, në vend se të përkrah fantazitë serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, do të bënte më mirë t’iu shpjegonte serbëve se Kosova është një shtet i pavarur, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se BE nuk përkrah ëndrrat e Serbisë për ripushtimin e Kosovës.
Nëse Z. Lajçak nuk e bën dot këtë, do të bënte mirë të jepte dorëheqjen nga një funksion ku ka treguar se nuk ka mbajtur dot paanësinë e duhur.
Kurse Kosovës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbrojë me vendosmëri Kushtetutën e saj për të mbrojtur jo vetëm popullin e saj por edhe të gjithë rajonin nga një marrëzi e re e Serbisë.
Xhemil Meço