Lufta Civile 1943-1944 : Një barbarizëm pa shëmbëll që ngjeth mishtë!

Dokumente, Lufta 1939-1944, Lufta civile Comments Off

Muajin e kaluar në rrethet e Korçës, në një pritë tradhëtare, mbetën të masakruar nga një çetë Komuniste gjashtë ushtarë të Ballit Kombëtar, ndërmjet të cilëve shënojmë Toger ZIJA GASHIN, Kryetar çete dhe djaloshin HADI KASIMATI, student në mjekësi dhe luftëtar i orës së parë. Dihet botërisht se HADI KASIMATIT Komunistat i prenë kokën me thikë !

Këtë gjest barbar nuk kemi dashur t’a shpallim botërisht për mos t’u gjetur në Historinë Shqiptare një njollë e tillë antikombëtare dhe çnjerëzore. Por pa pritur dhe pa kujtuar një shëmtim më i rëndë, më i zi dhe më tmerrshëm vjen tani të na ngjethi mishtë. Zëmrat t’ona që pikojnë gjak, që gufojnë pikëllimin e ngjarjes së fundit, që po tregojmë më poshtë, nuk mund të durojnë dot dhe na shtyjnë të mendojmë se këto masakrime nuk janë të rastit, por i nënshtrohen një programi të caktuar nga njerz kriminelë që duhet të damkosen në Historinë t’onë Kombëtare, me vulën e një barbarizme, që kalon edhe atë të Gjengjis Khanit !

Në të gdhirë të ditës së mërkurë, 13 Tetor 1943, çeta komuniste e kryesuar nga Agush Gjergjevica, kapi në Melçan të Korçës BEXHET dhe XHEVDET BULGAREÇIN, i pari Kryetar dhe i dyti pjestar i Çetës së Ballit Kombëtar në Bulgarec. Këta dy djem idealistë, nasionalistë shqiptarë, u masakruan në mënyrë barbare të pashëmbëlltë, duke i u prerë hundën dhe veshët, duke i u nxjerrë sytë, duke i u thyer nofulla dhe krahët dhe duke i prerë organet seksuale!

Ky krim që kalon edhe masakrimet e fashistëve n’ Abisini dhe të Sërbëve në Bihor, u krye, për faqe të zezë, nga Shqiptarë të pashpirt kundra Shqiptarëve të pafajshëm dhe idealistë të cilët luftojnë dhe punojnë vetëm e vetëm për shlirimin e Shqipërisë. Edhe një ballist tjetër, JOSIF FRASHËRI, që ndodhej me të shoqen dhe me të bijën në teqen’ e Melçanit, u rrëmbye prej Komunistave. Fati i tyre akoma nuk dihet !

Vini duart në krye dhe vajtoni, o Shqiptarë!

26 Tetor 1943

Author

Back to Top