Përse sulmohet Sali Berisha ?

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Para disa ditësh, në pragun e hapjes së punimeve të Kuvendit të ri, kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, njoftoi vendimin e tij që Sali Berisha, themelues i kësaj partie dhe aktualisht deputet i saj, të mos bënte pjesë në grupin parlamentar të PD-së, deri sa të sqaroheshin akuzat ndaj tij të njoftuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) para disa muajsh.

Prej muajsh, që nga zgjedhjet e 25 prillit të kaluar, Partia Socialiste dhe kryetari i saj rregullisht kanë kërkuar këtë largim. Por pyetja që ka çdo shqiptar është se përse kërkohet largimi i Sali Berishës, i cili ka 8 vjet, që kur partia socialiste është në pushtet, që ka qëndruar i tërhequr nga politika dhe pa funksione partiake apo shtetërore.

Z. Berisha është një politikan kompleks, me një histori të gjatë, me shumë jetë politike të cilat kanë patur dritëhijet e tyre. Ka qenë kryeministër dhe president i Shqipërisë. Por në radhë të parë, në kujtesën kolektive të Shqiptarëve, Sali Berisha simbolizon rrëzimin e diktaturës komuniste dhe vendosjen e demokracisë. Është kjo arsyeja që partia socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama e kanë luftuar që ditën e parë dhe vazhdojnë ta luftojnë edhe sot. Sepse qëllimi i tyre është rivendosja e një diktature neo-komuniste. Dhe duke luftuar simbolin e demokracisë, luftojnë vetë demokracinë dhe përpiqen të shuajnë çdo shpresë të Shqiptarëve për liri dhe demokraci. Qëllimi i partisë socialiste është që të bind shqiptarët se nuk ka rrugë tjetër përveç pushtetit socialist.

Arsyeja tjetër e luftës ndaj Sali Berishës pikërisht në këtë moment ka të bëjë me Kosovën dhe të ashtuquajturin « Ballkan i hapur ». Edi Rama në korrikun e kaluar nënshkroi me presidentin e Serbisë dhe atë të Maqedonisë marrëveshjen e « Ballkanit të hapur » që krijon një Jugosllavi të re duke hapur kufijtë midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë për qarkullimin e njerzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Interesi kryesor i Serbisë në këtë marrëveshje është izolimi dhe destabilizimi i Kosovës. Interesi i Maqedonisë është defaktorizimi i Shqiptarëve. Kurse interesi i partisë socialiste dhe Edi Ramës në Shqipëri është konsolidimi i pushtetit të tyre në Shqipëri. Ose më saktë konsolidimi i diktaturës neo-komuniste që janë duke instaluar, ku me « Ballkanin e hapur » kanë gjetur mbështetjen e jashtme që u nevojitet.

Nëse sulmohet sot Sali Berisha, kjo bëhet me qëllimin që ai të mos e pengojë dot Edi Ramën në projektin e « Ballkanit të hapur ». Dhe kjo është një problem i madh për Shqipërinë. Sepse në realitet pushteti socialist, me metoda jodemokratike, po përpiqet të neutralizojë çdo reagim të opozitës në lidhje me çështjen e « Ballkanit të hapur ». Dhe diçka tjetër shqetësuese është se kryetari i PD Lulëzim Basha deri më sot nuk ka dalë me një qëndrim të qartë për këtë çështje me rëndësi kombëtare, por është mjaftuar të akuzojë Edi Ramën për « protagonizëm ».

« Ballkani i hapur » është qartësisht një projekt anti-shqiptar dhe duhet refuzuar me forcë. Kosovës i duhet t’i rezistojë, fatkeqësisht e vetme, presioneve për t’u futur në këtë marrëveshje, presione që me sa duket do të shtohen. Nëse dikush mendon se Serbia do ta njohë Kosovën nëse kjo futet në « Ballkanin e hapur », gabohet rëndë. E vetmja mundësi e Kosovës që të qëndrojë e pavarur është që të qëndrojë jashtë marrëveshjes së « Ballkanit të hapur » derisa sa kjo marrëveshje anakronike, anti-shqiptare dhe luftë-nxitëse të bjerë si një kështjellë prej letre.

Xhemil Meço

Author

Back to Top