Dita botërore e Lirisë dhe Kujtimi i viktimave të komunizmit botëror në Amerikë

Aktualiteti, Diktatura komuniste, Historia Comments Off

Çdo vit këtu në Shtetet e Bashkuara shënohet 7 Nëntori — data e Revolucionit Bolshevik rus më 1917 — si Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit botëror, në kujtim të rreth 100-milion personave të vrarë, shekullin e kaluar, nga regjimet komuniste, anë e mbanë botës, përfshir masakrat dhe barbarizmat komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri. Pa harruar edhe ato sllavo-bolshevike – si masakra e Tivarit — dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë komuniste — atje ku janë regjistruar disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur njerëzimi, përfshir disa prej krimeve më mizore, të regjimit terrorist serb kundër popullësisë së pafajshme shqiptare në Kosovë. Disa prej këtyre viktimave të komunizmit në Shqipëri ishin edhe 38 martirë të Kishës Katolike Shqiptare, të shpallur të lumtur, në Shkodër me 5 Nëntor, 2016. Kisha Universale Katolike, por në veçanti Kisha Katolike Shqiptare në trevat shqiptare dhe në diasporë, shënuan 5 Nentorin si ditën e kujtimit të 38 Martirëve të lumë, të përsekutuar dhe të vrarë, barbarisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo ditë është cilësuar si një ditë e madhe për Kishën Katolike dhe një ditë e shënuar gjithashtu edhe për Kombin shqiptar duke i kujtuar këta “Martirë, pishtarë drite, që ndriçojnë në qiellin e njerëzimit”, jo vetëm për Kombin të cilit ata i përkasin, por si shembëll qendrese për liri e demokraci, për mbarë njerëzimin. Njëri prej tyre ishte Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Vinçenc Prenushi.

Vinçenc Prenushi, klerik i lartë katolik, drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, drejtor i «Bijave të Marisë», drejtor për gati njëzet vjet i revistës «Zâni i Shna Ndout», Provincial i Françeskanëve (1926-1936), Ipeshkëv i Sapës (1936-1940), Kryeipeshkëv i Durrësit (1940), Primat i Kishës, poet, folklorist, përkthyes, Martir i Kishës, i Lumë. Vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949, sipas Profesor Arshi Pipës, shokut të tij të qelisë, “Mbasi ishte torturuar në mënyrën më të dhimbshme, duke e rrokullisur në një pëlhurë të mbushur me gjilpëra, derisa sipërfaqja e trupit ishte çjerrë”. (Kujto.al) — A mund t’a marrë me mend lexuesi nëse nuk kishte shkuar në jetën e amëshuar At Gjergj Fishta para se të vinin në fuqi talebanët komunistë të Enver Hoxhës – se si do e kishte pësuar ai në duartë e xhelatëve komunist, siç ishte i ashtuquajturi prokuror i regjimit komunist, Arianit Çela!? Një sistem që mbijeton edhe sot në “demokracinë shqiptare” mbeturinat e të cilit edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, mund të gjënden aty këtu në detyra të larta të qeverisë e të shtetit e sidomos në sistemin e “reformuar” të drejtësisë shqiptare, “post-komuniste”, para syve të ndërkombëtarëve. Ndryshe nga bota perëndimore, në Shqipërinë” demokratike” as nuk bëhet fjalë për kujtimin e viktimave të komunizmit, as dje, as sot dhe siç janë duke shkuar punët, as nesër.

Ndërkaq, këtu në Shtetet e Bashkuara 9 Nëntori kujtohet si Dita Botërore e Lirisë, një festë federale e zyrtarizuar si e tillë nga ish-Presidenti Xhorxh W. Bush në vitin 2001, për të kujtuar shembjen e Murit të Berlinit, atij simboli të shëmtuar të komunizmit botëror, që ndau familjet dhe komunitetet anë e mbanë kontinentit evropian dhe më gjërë, për pothuaj një gjysëm shekulli. https://www.federalregister.gov/documents/2001/11/15/01-28804/world-freedom-day-2001.

Por shembja e të cilit, më në fund, për një pjesë të madhe të Evropës, fatbardhësisht, ka shënuar fillimin — pas pothuaj një gjysëm shekulli robëri komuniste — e ngritjes së demokracisë dhe të lirisë si dhe shëmbjen e komunizmit zyrtar në Evropën Lindore dhe Qëndrore. “Shembja e Murit të Berlinit më 9 Nentor, 1989 shënon një pikëkëthesë në Luftën e Ftohtë dhe një pikë referimi tepër domethënse të fitorës së lirisë, mbi tiraninë”, është shprehur ish-Presidenti republikan, Xhorxh Bush në deklaratën e tij 20-vjetë më parë, duke shtuar se, “Muri i Berlinit ishte një simbol i shëmtuar që ndante njerëzit e lirë dhe ata që jetonin nën regjimet shtypëse komuniste. Ne nderojmë frymën, vendosmërinë dhe guximin e të gjithë atyre që luftuan për liri, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por të gjithë ata që kanë jetuar nën regjimet diktatoriale komuniste”, thuhej në deklaratën e ish-Presidentit republikan të Amerikës, Z. Xhorxh Bush, kur përcaktoi 9 Nëntorin, si festë federale të Shteteve të Bashkuara, në vitin 2001.

20-vjet më vonë këtë javë, më 9 Nëntor, 2021, Presidenti aktual, demokrati Xho Bajdën shënoi këtë ditë me një deklaratë në të cilën thotë se ishin aspiratat e qytetarëve të Evropës Lindore e Qendrore për liri e demeokraci, ato që shëmben Murin e Berlinit. A Proclamation on World Freedom Day, 2021 | The White House
 “Ishin aspiratat për liri të njerëzve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ato që, përfundimisht, rrëzuan Murin e Berlinit dhe që mposhtën përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për t’a mbajtur Evropën të ndarë, me forcë. Në Ditën Botërore të Lirisë, ne përkujtojmë këtë ngjarje historike dhe nderojmë të gjithë ata, që në mënyrë paqësore, u ngritën dhe kërkuan lirinë e tyre, por edhe të gjithë ata që vazhdojnë atë trashëgimi duke punuar, paqësisht, për t’i dhënë fund tiranisë dhe shtypjeve edhe në botën, në të cilën jetojmë sot. Që nga shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989, kemi parë përparime të mëdha në avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe në mbarë botën” ka thekësuar Z. Bajdën.

“Megjithatë, demokracia është ende e brishtë dhe në shumë vende ajo mbetet nën kërcënim”, u shpreh Presidenti Bajdën. “Liderë autoritarë kanë vendosur pushtetin e tyre mbi të drejtat e qytetarëve të tyre dhe në mbarë botën ne shohim autokratë që shkelin sundimin e ligjit, sulmojnë lirinë e shtypit dhe minojnë pavarësinë e gjyqësorit”, shprehet Presidenti Bajdën në deklaratën e tij me rastin e Ditës Botërore të lirisë, 2021. Presidenti Bajdën tha mëtej në deklaratën e tij se, “Përballë ringjalljes së autoritarizmit dhe të sulmeve ndaj të drejtave të njeriut në mbarë globin, Shtetet e Bashkuara po punojnë në mbështetje të një rendi demokratik dhe të qëndrueshëm brenda dhe jashtë vendit. Mbetet po aq e rëndësishme sa kurrë më parë për t’iu kundërvënë një sërë kërcënimeve ndaj demokracisë, paqës dhe stabilitetit”, theksoi Z. Bajdën, “ përfshirë shtypjen, në nivel ndër-kombëtar, të drejtave themelore të njeriut si dhe korrupsionit, sulmeve kibernetike, dezinformimit, autoritarizmit dixhital, pabarazisë dhe padrejtësisë, shkeljen e të drejtave të votuesve dhe shanatazhimit ekonomik”, theksoi ndër të tjera, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajdën, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë, në kujtim të shembjes së Murit të Berlinit. Z. Bajdën e përfundoi mesazhin e tij me një thirrje drejtuar popullit amerikan, që në këtë ditë, “Të kujtojë shpresën që simbolizon shembja e Murit të Berlinit dhe të ritheksojmë së bashku dedikimin tonë ndaj lirisë dhe demokracisë.”

Ndërkohë, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington, duke filluar nga 7 Nentori i këtij muaji organizon, zakonisht, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ekspertë dhe historianë të dalluar në këtë fushë të ardhur nga Evropa dhe Amerika. Për më tepër, ka filluar një lëvizje në Amerikë për të kujtuar 7 Nentorin — Ditën e fitores së Revolucionit Bolshevik rus — si Ditë Kombëtare për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, anë e mbanë botës. 15 shtete amerikane kanë miratuar tanimë, ose janë në proces të miratimit të 7 Nëntorit, si Ditë Kombëtare në Kujtim të Viktimave të komunizmit në botë, me qëllim për të mësuar të vërtetën, për të kërkuar drejtësinë dhe për të ruajtur kujtesën për viktimat e pafajshme të komunizmit anë e mbanë botës, përfshir viktimat e komunizmit shqiptar dhe atij sllavo-aziatik, sipas Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në botë. Po Shqipëria dhe Kosova kur do ti bashkohen Shteteve të bashkuara dhe Evropës, përfshir ish-shtetet komuniste, për të kujtuar viktima shqiptare të komunizmit?! “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”. (Abraham Linkolni)

Frank Shkreli

 

Author

Back to Top