Përse duhen përkrahur protestat e opozitës
Aktualiteti 21 Dhjetor, 2021, Comments OffNë datat 20 dhe 21 dhjetor 2021 në Tiranë po mbahet mbledhja e radhës e të ashtuquajturit « Ballkan i hapur » midis Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë ku është parashikuar të nënshkruhen disa marrëveshje për lejet e punës dhe doganat.
Kryeministri ende në detyrë i Shqipërisë Edi Rama përpiqet t’i paraqes këto marrëveshje si « vizionare » dhe në interesin « strategjik » të kombit shqiptar. Por ta besosh këtë përcaktim është sikur të besosh se katrani zbardhëllon.
Si mund të jenë në interes të kombit shqiptar marrëveshjet që ndihmojnë vendosjen e hegjemonisë politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon ?
Si mund të jenë në interes të kombit shqiptar marrëveshjet që rrënojnë ekonominë shqiptare dhe falimentojnë bizneset shqiptare?
Si mund të jetë në interes të kombit shqiptar izolimi i Kosovës dhe presioni që i bëhet Kosovës që të futet në « Ballkanin e hapur » edhe pa njohje nga Serbia? Apo siç thoshte një nga tellallët e kryeministrit « pasi Serbia të kërkojë falje???!!! »
Si munden këta njerëz që i thonë vetes shqiptarë të shkelin mbi gjakun e mijëra shqiptarëve të Kosovës të masakruar nga Serbia gjenocidale, e drejtuar në kohën e luftës së vitit 1999 nga një qeveri ku bënte pjesë edhe presidenti i sotëm i Serbisë që pritet me nderime të mëdha nga qeveria e Tiranës?
Cfarë mund të sigurojnë për të ardhmen e fëmijve të rajonit kriminelë lufte që janë të gatshëm të hapin përsëri luftë për të realizuar ëndrrat e tyre shoviniste? Cfarë të ardhme mund të përgatisin për rajonin ata që shkaktuan luftra që sollën 140 000 viktima të të gjitha moshave në ish-Jugosllavi nga të cilat 13 000 në Kosovë ?
Tellallët e qeverisë së Tiranës mundohen ta krahasojnë « Ballkanin e hapur » me marrëveshjen e vitit 1951 midis Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, e cila i hapi rrugën krijimit më vonë të Bashkimit Europian. Dhe lënë të nënkuptohet se një proces i tillë do të ndodh edhe në Ballkan. Por tellallët nuk e kanë lexuar mirë historinë. Sepse kur u bë marrëveshja e « Komunitetit europian të qymyrit dhe çelikut » nazizmi ishte mundur ushtarakisht në Gjermani dhe forcat aleate ishin në Berlin, ku nuk qeverisnin më nazistët sikurse ndodh sot në Beograd ku qeverisin sot bashkë-qeveritarët e Millosheviçit.
Askush nuk i dëgjon më në Shqipëri gënjeshtrat dhe propagandën e pështirë të qeverisë së Tiranës për « Ballkanin e hapur ». Shqiptarët nuk mund ta durojnë më politikën anti-kombëtare të Edi Ramës dhe marrëveshjet aventureske që rrezikojnë të ardhmen e tyre. Prandaj pas një periudhe topitje dhe mosbesimi nga ajo që po shihnin e dëgjonin nga ai që duhet të mbronte i pari interesat e tyre dhe të kombit, shqiptarët kanë vendosur të ngrihen dhe ta ndalin këtë marrëzi anti-kombëtare dhe vetëvrasëse.
Në 20 dhjetor me mijëra shqiptarë morën pjesë në një protestë të organizuar nga Partia Demokratike përpara kryeministrisë për t’i treguar qeverisë së Tiranës, kryeministrit Rama, presidentit të Serbisë dhe gjithë botës se shqiptarët nuk do të hyjnë në « Ballkanin e hapur » serbomadh. Partia Demokratike ka shpallur se do të dalë nga këto marrëveshje anti-kombëtare sapo të vijë në pushtet.
Kjo është arsyeja se përse protestat e lajmëruara të opozitës dhe Partisë Demokratike duhen përkrahur nga të gjithë shqiptarët dhe në veçanti nga të rinjtë, nga patriotët dhe nacionalistët shqiptarë.
Ngjarjet e sotme nuk duhet të na habisin dhe dekurajojnë sepse Historia e Shqipërisë ka qenë gjithmonë një luftë e pareshtur midis nacionalizmit dhe forcave anti-kombëtare. Askush të mos gabohet : është kjo një luftë për jetë a për vdekje për kombin shqiptar, i cili deri më sot ka ditur të mbijetojë dhe të dalë fitimtar.
Shqipëria sot është në udhëkryq : ose do të shkojë drejt një diktature neo-komuniste me mbështetje nga Serbia dhe Rusia dhe e ndarë nga Kosova, ose do të shkojë drejt Perëndimit, drejt demokracisë dhe bashkimit kombëtar. Iu takon shqiptarëve të zgjedhin drejtimin e duhur dhe ata sigurisht nuk do të gabohen. Shqiptarët patjetër do të zgjedhin kombin dhe demokracinë dhe do të hedhin në koshin e plehrave të historisë të gjithë uzurpatorët, pseudo-patriotët, tregtarët e flamujve dhe aventurierët e çdo lloji që i kanë zënë frymën këtij vendi dhe mundohen të marrin peng të ardhmen e tij.
Xhemil Meço