Aktivizohet lobimi serb në Washington

Aktualiteti Comments Off

Gjatë disa viteve jam munduar të paralajmëroj diasporën në Amerikë dhe dy shtete shqiptare për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtetet shqiptare — Shqipëria dhe Kosova — përsa i përket lobimit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jo më larg se një vit më parë kam paralajmëruar se Serbia po përpiqej të rivendoste në Washington reputacionin që gëzonte dikur – në marrëdhëniet e saja me Shtetet e Bashkuara, duke ringjallur si kurrë më parë edhe lidhjet e vjetra nepërmjet veprimtarive më aktive lobiste në Amerikë.

Në këtë ndërkohë, siç kam shkruar një vit më parë, lobimi në mbështetjte të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, vitet e fundit ka pësuar një goditje të rëndë –Frank Shkreli: Serbia i ka ndezur motorrat e lobomit në Washington | Gazeta Telegraf – Ishte largimi, një vit më parë, nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe të fundit të një brezi politikanësh amerikanë – të pakën deri më tani — mbështetës të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel dhe shumë të tjerëve para tij. Z. Eliot Engel i shërbeu me besnikëri komunitetit shqiptaro-amerikan për pothuaj tre dekada dhe kryesoi për një kohë të gjatë edhe grupin e palodhur të kongresistëve të çështjeve shqiptare, (Albanian Caucus), i cili mund të ekzistojë ende në emër, por jo në fakt. Përveç, Z. Engel, as emërat e dikurshëm të politikanëave amerikanë që ishin në krahun e shqiptarëve nuk janë më aty – të gjithë pothuaj janë në pension ose në amshim. Vihen re përpjekje aty këtu, nga komuniteti shqiptaro-amerikan për të ringjallur veprimtarinë lobiste në Washington, por ato janë nisma individësh, të cilat duhet të mirëpriten për entuziazmin e tyre – por nuk ma merr mendja se ato mund të kenë të njëjtin efekt dhe influencë që kishin dikur përpjekjet lobiste të organizuara mirë nga komuniteti. Kam paralajmëruar me kohë se, heret ose vonë, ky boshllëk i veprimtarive lobiste shqiptare në Washington, do të mbushej nga grupe lobuese ose shtete të cilat kanë për qëllim të zhdukin ose të pakën të minojnë influencat politike që ushtronte dikur komuniteti shqiptaro-amerikan, në nivelet më të larta politike, diplomatike dhe ushtarake në Washington.

Ja pra, ndonëse më vjen keq të them, por paralajmërimi im se një gjë e tillë do të ndodhte heret ose vonë, është vërtetuar dhe frika ime është realizuar se Serbia, duke parë konfliktet dhe përçarjet midis Shqipërisë dhe Kosovës, në të cilat ajo luajti rolin kryesor, si dhe mosangazhimin e komunitetit shqiptaro amerikan – Beogradi zyrtar u hodh në aksion diplomatik në Washington. Jo se Serbia nuk zhvillonte veprimtari lobiste më përpara në Washington, (ekzistonte madje edhe grupi (“Serbian Caucus) por ato ishin minimale pasi nuk i dëgjonte njeri, sepse për arsye të krimeve të Serbisë në Kosovë dhe në Bosnje ishte e vështirë të bindin qarqet e politikës ose publikun amerikan për qëndrimet e tyre. Por, përpjekjet e Beogradit në fushën lobiste në Wasshington sot, duken mirë të organizuara, mirë të financuara dhe një lobim të organizuar shqiptar.

Paralajmërimet e mia për një organizim më të fortë të lobimit serb në Washington, nuk morën aq shumë kohë për tu realizuar, në fakt. Siç duket lobimi serb është vendosur këmbë kryq në Washington me zyrë dhe organizim legal për të influencuar politikën zyrtare amerikane në favor të interesave të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, natyrisht, gjithmonë në dëm të Kosovës dhe interesave shqiptare në përgjithësi. Si hap i parë, njoftohet se është formuar/riformuar grupi i kongresistëve amerikanë, “Serbian Caucus” në Kongres që si, zakonisht, kongresmenët, pjesë e këtij grupi, do mbrojnë interesat serbe në Washington. Siç duket, ndër aktet e para publike që “Serbian Caucus” ka ndërmarrë, është dërgimi këto i një letre Presidentit Xho Bajdën, (shih më poshtë) duke bërë të njohur ekzistencën e tyre, si një forcë për tu përballur me të.

E kam thenë edhe përpara se lobimi serb nuk do ta ketë të lehtë veprimtarinë e tij në Washington për të propaganduar kundër Kosovës, sidomos, kur kanë të bejnë me Presidentin Bajden, i cili e njeh mirë historinë dhe situatën në terren – por serbët janë të durueshëm, nuk nguten. Ata e njohin mirë Z, Bajdën dhe presin. Investimet i kanë filluar tani, por rezultatet e dinë se nuk mund të ndjehen menjëherë. Mjafton që të hidhen dyshime, të bëhen pyetje, me qëllim që të ngadalsohen përpjekjet për integrimin e Kosovës në entet ndërkombëtare dhe të ndikojnë negativisht në njohjet e mëtejshme diplomatike të Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Duke i hedhur një sy shpejt e shpejt emrave të 16 kongresistëve që kanë nënshkruar letrën dërguar Shtëpisë së Bardhë, m’u duk sikur pothuaj asnjë prej tyre nuk mund të ketë qenë në Kongres 20-vjet më parë, gjatë luftës në Kosovë. Shumica të rinjë, disa për herë të parë në Kongres, që as nuk dinë shumë për Kosovën dhe as për luftën dhe as për krimet që Serbia ka bërë atje, 20-vjet më parë. Në fakt, letra e kongresistëve amerikanë drejtuar Z. Bajdën, nuk përmend fare Kosovën, as se ekziston, megjithëse dihet se misioni dhe vet qëllimi i ekzistencës së “Serbian Caucus”, është Kosova. Në letrën dërguar Presidentit Bajdën, theksohet historia e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, me rastin e 140-vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke e cilësuar Serbinë si, “një partnere të pazevëndësueshme të Shteteve të Bashkuara”.

Media të ndryshme flasin për burime të konsiderueshme financiare dhe njerëzore që Beogradi zyrtar i ka kushtuar këtij misioni lobist, përfshir dyfishimin e stafit të ambasadës serbe në kryeqytetin amerikan. Prandaj, nuk është për tu çuditur aspak që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gjuriqin, njeriun më të besueshëm të tij, i cili para se të vinte në Washington, ai ka kryesuar Zyrën e qeverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.

Ndërkaq, Tirana zyrtare është angazhuar që me çdo kusht të realizohet plani i Beogradit për një “Ballkan të Hapur” – një nismë kjo pa përfshirjen dhe pa miratimin e Republikës së Kosovës — pikërisht ashtu siç e dëshiron Serbia, për interesa të veta dhe të Rusisë në rajon dhe ashtu siç i do t’i shohë Beogradi shqiptarët në të dy anët e kufirit – të ndarë e të përçarë. Serbia nuk ia doli me luftë, por po arrinë objektivat e sajë në paqë! Ndëkohë që Serbia dhe komuniteti serb në Amerikë kanë ndërmarrë fushatën më të madhe lobiste në historinë e marrëdhënieve serbo-amerikane – Tirana dhe Prishtina zyrtare flejnë, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan, vazhdon të bejë seri– me ndonjë përjashtim të vogël individësh aty këtu – sot për sot mbetet, kryesisht, vetëm një spektator ndaj zhvillimeve politike në rajon dhe ndaj fushatës së egër lobiste të Serbisë në Washington. Shpresoj që ky mosangazhim, nga ana e komunitetit shqiptaro-amerikan të jetë i përkohëshëm, pasi komuniteti sot – ky brez i ri — është shumë më i përgatitur se shqipotarët në këtë vend, 20-30 vite më parë, si për nga numri njerëzve të përgatitur në fushën politike dhe akademike ashtu edhe nga pikëpmaja e financave dhe bizneseve të shumta.

Sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat, për më keq, dua të them, për shqiptarët, madje edhe në Washington, ku çeshtjet shqiptare kanë mbizotëruar dhe influencuar për disa dekada tani politikën amerikane, në nivelet më të larta në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë, por edhe më gjërë në publikun amerikan. Ndërkohë që Tirana dhe Prishtina zyrtare dështojnë të punojnë dhe të veprojnë në bashkpunim serioz me diasporën, sidomos me komunitetin shiptaro-amerikan, për të bashkrenduar veprimtaritë në mbrojtje të interesave kombëtare, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara! Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë shumë në fushën e lobimit në mbrojtje të interesave të Kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë 3-4 dekadave të fundit. I takon tani këtij brezi të ri shqiptaro-amerikanësh që, pa vonesë, ta marrë stafetën e mbrojtjes së interesave të Kombit shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, bazuar në përvojën e shkëlqyer të lobimit shqiptar në këtë vend gjatë 50-viteve të fundit, që në të vërtetë e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar – me veprimtarët e dalluar historikë të këtij komuniteti – Fan Noli e Faik Konica.

Frank Shkreli

Author

Back to Top