Kongresi i Partisë Socialiste iu premton Shqiptarëve bashkim dhe miqësi me Serbinë
Aktualiteti 24 Prill, 2022, Comments OffPara disa javësh u mbajt në Tiranë kongresi i partisë socialiste. Midis të tjerash ky kongres mbrojti edhe njëherë marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria në kuadër të nismës së « Ballkanit të hapur » e cila synon të hapë kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë për të lejuar lëvizjen e lirë të njerzve, mallrave dhe kapitaleve. Ka qenë kjo një nismë e ideuar nga Serbia e cila në radhë të parë ka patur një synim politik: të minojë pavarësinë e Kosovës dhe ta kthejë atë nën kontrollin serb. Për këtë arësye Kosova e ka refuzuar me forcë këtë « Ballkanin e hapur », megjithë shtytjen nga kryeministri Rama, i cili e paraqet këtë si një arritje të madhe për shqiptarët dhe bën sikur harron rrezikun dhe dëmin e pamasë që i sjell Kosovës.
Kryeministri Edi Rama mundohet t’iu mbush mendjen Shqiptarëve se « katrani zbardhëllon » do të thoshte Fan Noli. Por askush nuk e beson. Askush nuk u beson edhe rezultateve të paverifikueshme të të ashtuquajturit « Këshillim Kombëtar » të organizuar nga qeveria e tij ku gjoja shqiptarët janë dakord me këtë nismë.
Sondazhe të tjera të pavarura tregojnë se Shqiptarët nuk e duan « Ballkanin e hapur » i cili dëmton interesat kombëtare shqiptare, dëmton ekonominë shqiptare, dëmton pavarësinë e Kosovës, zvogëlon peshën e shqiptarëve në rajon, dëmton të ardhmen e tyre dhe i fut në një rrugë pa krye.
Nga ana tjetër kjo nismë mund të sjellë pasoja shumë të rënda për rajonin, ndoshta edhe luftë, sepse mund të përdoret nga Serbia dhe Rusia për të hapur një vatër të re lufte, kësaj radhe në mes të Ballkanit.
Por duke i ditur të gjitha këto si shpjegohet që kongresi i Partisë Socialiste e përkrah pa rezerva nismën e « Ballkanit të hapur »? Për të kuptuar këtë duhet t’i kthehemi historisë së kësaj partie. Partia Socialiste është pasardhësja e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH) e cila në fillimet e demokracisë në vitet ’90 vendosi të ndryshojë emrin në Parti Socialiste (PS). Por me sa duket jo thelbin.
Partia e Punës së Shqipërisë sundoi për mëse 50 vjet Shqipërinë duke vendosur një nga diktaturat më të egra komuniste në botë. Dhe kjo parti nuk ishte veçse Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) e krijuar më 8 nëntor 1941 në Tiranë nga dy agjentë serbo-jugosllavë: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Është ky një fakt historik që vërtetohet nga burime të shumta dhe të pakundërshtueshme dhe që nuk është mohuar nga drejtuesit shqiptarë të PKSH. Kjo parti nuk do të ishte krijuar dot pa agjentët serbo-jugosllavë. Ja ç’thuhet në një raport për komunistët shqiptarë që Miladin Popoviç, i cili kishte rolin e organizatorit politik, i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave më 21 maj 1942 : “Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodhëshin grupe dhe grupthe (gjithësej tetë, ndër të cilët dy trockistë). Secili prej tyre tërhiqte nga ana e tij. Shpeshëherë bënin edhe “bashkime” ose “marrëveshje” për të paditur tek neve njëri-tjetrin ».
Fillimisht agjentët serbo-jugosllavë vendosën në krye të PKSH Enver Hoxhën, i cili e mbajti këtë funksion gjatë Luftës dhe në vitet e para pas saj. Por më pas punët ndryshuan. Jugosllavia e Titos mendoi ta fuste edhe Shqipërinë brenda saj. Për këtë qëllim u dërguan kuadro jugosllavë në ekonomi, ushtri etj. Ekonomia e Shqipërisë po futej nën varësinë e plotë të asaj jugosllave. Në fund të vitit 1946 u nënshkruan disa marrëveshje, disa prej të cilave çuditërisht i ngjajnë shumë atyre të « Ballkanit të hapur » : bashkimi doganor, koordinimi i planeve ekonomike, unifikimi i monedhës. Enver Hoxha në atë kohë shkruante: «Zhdukja e barrierave doganore, unifikimi i planeve të shteteve tona dhe ndihma konkrete që qeveria jugosllave po i jep vendit tonë për t’u mëkëmbur, për t’u rindërtuar, janë bazat e shëndosha dhe siguria e një jete më të mirë për vendin tonë »
Por disa vite më pas, kur jugosllavët tentuan ta zëvendësojnë Enver Hoxhën me Koçi Xoxen, njeriun e tyre të besuar, Enver Hoxha do të fliste ndryshe: « Ai (Koçi Xoxe) ishte dakord me planet e udhëheqjes jugosllave për t’a bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe vepronte në këtë drejtim ». Në fakt nuk ishte kjo që bezdiste Enver Hoxhën, sepse ai vetë kishte nënshkruar marrëveshje që e fusnin Shqipërinë në ish-Jugosllavi. Por u detyrua t’i kundërvihej ish-bashkëpuntorit të tij të ngushtë vetëm për të mbijetuar në luftrat e brendshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Dhe për këtë e ndihmoi fati sepse gjeti mbështetje tek Stalini i cili në atë kohë ishte në konflikt me Titon.
Siç shihet vëllazëria me Serbinë nuk është diçka e re për socialo-komunistët shqiptarë. Prandaj nuk është e habitshme që kongresi PS-së përkrah nismën e « Ballkanit të hapur » serbomadh. Partia Socialiste e Shqipërisë e paraqet veten si përqafuese të vlerave demokratike perëndimore, por nuk është kjo veçse një shtresë e hollë boje e cila herë pas here i del dhe ajo kthehet në origjinë tek paraardhëset e saj PPSH dhe PKSH e krijuar nga agjentët serbo-jugosllavë.
Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama e kanë futur tashmë Shqipërinë në aventura dhe rrugë pa krye. Në të ardhmen do ta fusin në aventura edhe më të rrezikshme për Shqiptarët dhe kombin shqiptar. E vetmja gjë që mund t’iu premtojë kjo parti Shqiptarëve është varfëri, pasiguri dhe robëri. Prandaj Shqiptarët vazhdojnë të marrin rrugën e mërgimit dhe nuk arrijnë të krijojnë një të ardhme në vendin e tyre. Partia Socialiste po zhbën sot edhe ato arritje që me aq mundim janë realizuar në 30 vitet e demokracisë.
Është koha e fundit që kjo të ndryshojë. Dhe vetëm Shqiptarët mund ta bëjnë ndryshimin me votën e tyre të lirë. Secili duhet të jetë i ndërgjegjshëm që fati i Shqipërisë dhe kombit shqiptar varet nga vota e tij në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj askush të mos votojë pa u menduar mirë, sepse ajo votë do të përcaktojë të ardhmen e tij dhe të fëmijve të tij. Askush të mos ia japë votën një partie që premton vetëm shkatërrim, braktisje të vendit, miqësi me armiqtë tanë shekullorë dhe shuarje të shpresave për një Shqipëri më të mirë.
Askush të mos votojë më për Partinë Socialiste!
Xhemil Meço