Dy kombe që janë sakrifikuar për mbrojtjen e Europës
Aktualiteti 30 Prill, 2022, Comments OffE gjithë bota ka ndjekur me një ndjenjë të përzier habije, tmerri dhe neverie sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022. Por edhe me një ndjenjë admirimi për Ukrainasit që mbrojnë me aq guxim dhe vendosmëri vendin dhe tokën e tyre ndaj një ushtrie agresore shumë herë më të madhe të pajisur me armë nga më të fuqishmet dhe moderne, e cila mendonte të siguronte fitoren vetëm në disa ditë. Por u bënë mbi dy muaj që Ukrainasit i rezistojnë me sukses një ushtrie disa herë më të madhe duke ngjallur habi dhe simpati në të gjithë botën.
Natyrisht që Ukraniasit kanë në anën e tyre të drejtën sepse mbrojnë vendin e tyre. Por ata po bëjnë më shumë se kaq: po mbrojnë edhe Europën, vlerat demokratike europiane dhe perëndimore, modelin shoqëror perëndimor dhe modelin e demokracisë ndaj një Rusie që i sulmon këto vlera dhe përpiqet të imponojë me anë të forcës një model diktatorial dhe imperial të ngjashëm me atë të ish-Bashkimit Sovjetik. Në këtë rend të ri botëror që synon Rusia ajo do të shtypte vendet europiane dhe do t’iu impononte regjime diktatoriale.
Për këtë arësye Ukraina nuk po lufton vetëm për lirinë e saj, por për atë të gjithë botës demokratike. Por kjo luftë ka një çmim tejet të lartë: me mijëra viktima civile, tortura, përdhunime, shkatërrime. Pamjet që vijnë nga qytetet dhe fshatrat e bombarduar të Ukrainës janë të padurueshme dhe tregojnë një mungesë respekti total për jetën e njerzve, karakteristikë e regjimeve diktatoriale. Këto pamje na kujtojnë agresionin e Serbisë në Kosovë në vitin 1999 : të njëjtat qëllime, të njëjtat metoda, të njëjtat pasoja. Shtëpi të djegura, viktima gjithandej, kolona të gjata refugjatësh që detyrohen të ikin nga vatrat e tyre. Shihet qartë se sakrificat e Ukrainës janë shumë të mëdha dhe do të mbahen mend gjatë.
Por nuk është hera e parë që një komb sakrifikohet jo vetëm për veten e tij, por edhe për Europën. Rezistenca e Shqiptarëve me Gjergj Kastriotin Skënderbeun është një shembull tjetër ku një komb më i vogël lufton me sukses kundër një perandorie të fuqishme, me një ushtri 10 herë më të madhe, me armatimin më modern të kohës, dhe arrin fitore të njëpasnjëshme ndaj saj. Lufta e Skënderbeut ndaj perandorisë otomane, jo vetëm që i mbajti të lira trojet shqiptare për mbi 25 vjet, por edhe ndaloi përparimin turk drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës, duke u bërë një mburojë e çmuar për kontinentin e vjetër në një moment shumë kritik. Sigurisht që historia e Europës do të kishte rrjedhur krejt ndryshe pa rezistencën dhe sakrificat e mëdha të Shqiptarëve, të cilat ishin të jashtëzakonshme: vendi i shkatërruar dhe i djegur, me mijra të vrarë në luftë, me mijra të tjerë të detyruar të marrin rrugën pa kthim të emigrimit.
Europa dhe Perëndimi nuk duhet t’i harrojë kurrë këto sakrifica, sepse pa ato nuk do të ishte kjo Europë që shikojmë sot, me arritjet shoqërore dhe teknologjike që gëzon sot.
Por, ashtu si në rastin e Kosovës tonë në vitin 1999, edhe Ukraina do të fitojë, sepse Ukrainasit kanë vendosur ta mbrojnë vendin e tyre dhe të mos nënshtrohen. Megjithëse përballen me një fuqi shumë më të madhe, Ukraina do të fitojë sepse ka në anën e saj të drejtën, e cila mund të vonojë, por gjithmonë triumfon, sepse adhurimi për të drejtën dhe të vërtetën është një nga ndjenjat më të thella të qenies njerëzore. Gënjeshtrat dhe skenaret ruso-serbe sot po i sheh e gjithë bota në dritë të diellit dhe nuk iu beson më njeri. Rusia pëfundimisht do të dështojë në Ukrainë por edhe Serbia do të dështojë në Kosovë nëse tenton përdorimin e forcës.
E ka thënë dikur poeti ynë i madh Naim Frashëri:
« Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë. »
Xhemil Meço