Sfidat e Presidentit të ri të Shqipërisë
Aktualiteti, Kosova 5 Qershor, 2022, Comments OffDje në datën 04/06/2022 u zgjodh nga Kuvendi Presidenti i ri i Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Natyrisht nuk është një president konsensual, sepse opozita nuk e votoi për arsye që kanë të bëjnë më shumë me probleme të ndryshimeve kushtetuese të para disa viteve që e kanë hequr obligimin që Presidenti të jetë konsensual. Por nuk e votoi edhe sepse mendon se, i zgjedhur nga pozita socialiste, Presidenti i ri nuk do të bëjë veçse nënshkruajë vendimet e partisë socialiste, e cila në këtë mënyrë do të ketë pushtetin absolut në Shqipëri në të gjitha nivelet.
Por le të mos paragjykojmë kaq shpejt, dhe të presim veprimet konkrete të Presidentit të sapo zgjedhur. Dhe sfidat nuk do të mungojnë. Që tani pesë prej tyre janë rreshtuar në pritje të zgjidhjes.
Në radhë të parë është aventura e nismës së « Ballkanit të hapur » të cilën e përkrah fuqishëm kryeministri Rama. Kjo nismë është kundërshtuar me forcë nga Kosova, e cila e shikon atë si një mjet që Serbia përdor për të minuar Pavarësinë e saj. Serbia ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por nga ana tjetër do të donte ta shihte Kosovën brenda « Ballkanit të hapur » si një krahinë të sajën, gjë e cila është absolutisht e papranueshme për Kosovën, sepse do të ishte fundi i Pavarësisë të arritur me aq mundim e sakrifica.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në nismën e « Ballkanit të hapur » është kundërshtuar me forcë edhe nga opozita në Shqipëri, e cila konsideron se kjo nismë përveçse dëmton rëndë Kosovën dhe është kundër interesave kombëtare shqiptare, ajo dëmton keqas edhe ekonominë shqiptare. Dhe për më tepër i largon shqiptarët nga rruga euro-atlantike duke i çuar drejt ndikimeve ruso-serbo-kineze.
Shumë shpejt Presidentit të ri të Shqipërisë do t’i duhet të mbajë një qëndrim për këtë nismë dhe kjo do të jetë sfida e tij e parë, sepse një nga kompetencat që i parashikon Kushtetuta është lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sfida e dytë do të jetë « Marrëveshja për Detin » me Greqinë, e cila do të përcaktojë kufirin detar midis dy vendeve, të cilat kanë vendosur ta çojnë këtë çështje në një gjykatë ndërkombëtare. Por qeveria e Shqipërisë e ka mbajtur të fshehtë se cilat janë pikat e mosmarrëveshjes midis dy vendeve, duke shtuar dyshimet se ka pranuar disa kërkesa të Greqisë të cilat do të shpien në humbje të hapësirës detare për Shqipërinë në favor të Greqisë e cila para pak kohësh ka vendosur ta zgjerojë hapësirën e saj detare nga 6 në 12 milje.
Kjo do të jetë sfida e dytë për Presidentin e ri, i cili si Kryetari i Shtetit është përgjegjësi numër një i tërësisë territoriale, tokësore apo detare, të shtetit shqiptar.
Sfida e tretë e Presidentit të ri do të jenë marrëdhëniet me Kosovën, të cilat sot janë në pikën më të ulët që kur ajo u çlirua nga sundimi serb. Është përsëri një obligim kushtetues mbrojtja e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe si rrjedhojë edhe e Kosovës që ka mbi 90 përqind Shqiptarë. Por politika e ndjekur sot nga qeveria shqiptare shkon kundër interesave jetike të Kosovës, sidomos me pjesëmarrjen në « Ballkanin e hapur » por edhe me qëndrime kundërshtuese ndaj rezolutave që dënojnë krimet serbe në Kosovë dhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë.
I takon Presidentit të ri të ndërtojë marrëdhënie të reja, të ngrohta dhe vëllazërore me dejtuesit e Kosovës dhe të rikthejë frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit e cila vitet e fundit është cënuar.
Dhe këtu vijmë edhe tek sfida e katërt, e cila kërkon një bashkëpunim dhe bashkëveprim të koordinuar ushtarak midis Kosovës dhe Shqipërisë për t’u përgatitur për mbrojtjen nga një sulm i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës. Serbia kohët e fundit ka marrë armatime të reja dhe, me përkrahjen e Rusisë, mund të provojë të rikthejë sundimin e saj në Kosovë.
Presidenti i ri, si ushtarak që është, duhet ta kuptojë më mirë se kushdo situatën aktuale dhe masat që duhen marrë për ta përballuar atë.
Dhe së fundmi, sipas Kushtetutës Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Është sot një moment historik ku fatkeqësisht shqiptarët ndodhen të ndarë në dy grupime të papajtueshme. Pozita dhe opozita janë në kundërshtim të plotë me njëra-tjetrën dhe mbizotëron një mungesë totale i besimit të ndërsjellë si pasojë e lojrave ekstreme politike dhe pervertimit të institucioneve demokratike. Presidenti i ri mund të loz një rol me rëndësi në rikthimin e besimit të institucioneve demokratike, në vendosjen e ekuilibrave pozitë-opozitë dhe qetësimin e klimës politike, i cili është i nevojshëm për përballimin e sfidës më të madhe gjeo-politike që po kalon kombi shqiptar që nga Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912.
Xhemil Meço