“Sazanë e Karaburunë i kam vatanet e mia…”
Botime, Dokumente, Historia, Këngë të Ballit, Lufta 1939-1944, Lufta civile 1 Mars, 2020, 0 Comment
Monografi për Rrapo Meton nje nga figurat me te shquara te Laberise gjatë viteve 1912-1943
(nga Flora Dervishi)
Rrapo Metoja ne Kuvend
Viti 1943 kishte densitet ngjarjesh.
Qarkori i partisë së Vlorës udhëzonte: “… Të izolohen Rrapo Meto e Xhemil Meço si persona me influencë në popull…”.
Në Vranisht vjen për një takim me popullin Mehmet Shehu e Dushan Mugosha. Bie briri dhe fshati mblidhet.
Kur vjen Rrapo Metua, Mehmet Shehu i gatshëm për ta takuar i pari del përpara, e përqafon dhe e ul pranë tij dhe Dushanit:
Rrapua: Si ta thonë emrin?
Mehmeti: Vjosa.
Rrapua: Palo paranom ke zgjedhur se Vjosa që nga buron e njëra sa derdhet s’ja ka parë njeri hajrin se përmbyt e vithis.
Dhe s’i pëlqen dredhia në njohje dhe përsëri e pyet: I kujt je?
Mehmeti: I Shehut të Çorrushit nga Mallakastra.
Rrapua: Ashtu thuaj; tët at e njoh.
Pastaj kthehet nga Dushani.
Rrapua: Po ty nga të kemi? A i kujt je a?
Mehmeti: (me ngutje) Eshtë miku ynë komunist dhe jep ndihmën vëllazërore në luftën tonë për liri.
Rrapua: Mor bir, e pyeta nga është? E kë ka baba? (dhe pa Mehmetin me sy ngulmues).
Mehmeti: Eshtë nga Serbia.
Rrapua: Qoftë i nderuar! Ashtu thuaj. Se kemi zakon ta vrasim mikun në shtëpinë tonë, po serbët s’mund të na ndreqin veç të na prishin. Shqipërinë do ta bëjmë vetë të lirë, ne shqiptarët, po Shqipërinë Etnike ama…”
Njohja filloi me replika dhe përfundoi me përplasje.
Për fshatin fjala e plakut zinte vend dhe mbledhja s’ia arriti qëllimit. Rrapo Metua sikur të mos i mjaftonte rezultati i mbledhjes i bën konkluzionet me këngë:
“…Pa dëgjo o Vjosa ynë
Mbaje mirë terezinë,
Ti në Pind e ke burimnë,
po s’ta ka parë njeri hairë,
vithis e merr arratinë.
Po qe sa për mysafirë
Kujto mirë historinë!
Kosovën e Çamërinë,
Ded Gjo Lul Is Boletinë
dhe atë shpend Dragobinë
Serbët e pabesë i grinë.
Këta do t’i njohish dhe tinë,
po do më kujtosh të zinë
Kur të të kenë zënë fynë…”
Dhe heshtja mortore pas filozofisë që kumtonte kënga ishte domethënëse. Brigada mbërriti dhe në Vranisht, e udhëhequr nga Mehmet Shehu, pas pak kohësh…
Lajmi se brigada dorëzezë që zhduk ferrat nëpër këmbë (kupto nacionalistët, qofshin këta edhe si Rrapo Metua, kundërshtar në pikëpamje) mori gjithë luginën e Mesaplikut.
Dikush e këshilloi Rrapo Meton të fshihej në male. Ai edhe mund të arratisej. Po largimin nga fshati i tij nuk e pranoi në asnjë mënyrë. Ai as kishte vrarë pas shpine, as kishte tradhëtuar interesat e Atdheut. Pikëpamjet e tij lidheshin pikërisht me të mirën e fshatit e të Atdheut, ndaj dhe po kishte për të vdekur, le të vdiste. Burrat njëherë vdesin.
Dhe ishte e thënë që rapsodi dhe patrioti që u kishte shpëtuar gjyleve në luftën e Janinës që vinin zinxhir, breshërive të plumbave më 1920-tën, dy burgimeve në kohë të vështira, të vdiste nga plumbat e Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës. Të merrje urdhër nga serbi e të vrisje një patriot, vendi kishte humbur dy shqiptarë, normalisht zbatuesi e urdhërit për të vrarë shqipëtarin s’mund të ishte më kurrë shqiptar!
Atë mëngjes Rrapo Metua kishte shkuar për ngushëllim për plakën e Bashue. Ishte e hënë 22 nëntor 1943. Dita ishte si e mugët.
E sheh fshatin e tij për herë të fundit Sa hyri në fshat hasi me brigadën e parë. Nuk arriti në shtëpinë e tij. S’la as porosi as amanete. Erdhi nga vdekja, po shkonte drejt vdekjes…
Mehmet Shehu me Liri Gegën e morën gjoja për bisedime në komandën partizane në Brataj, por atë natë fjetën në Vranisht. Rrapo Meton e izoluan në shtëpinë e Malo Sinos dhe i bënin roje disa partizanë. Kishte ndërmjet tyre mustaqe padirsur…
Vrulli i tyre duhej, por barra për të vendosur për fatet e atdheut ishte e rënde… Dhe pikërisht për këtë ju dhimbs mundi i atyre që do të arrinin dhe gjaku i atyre që do të flijoheshin në emër të lirisë së shtrenjtë.
Janë të rinj! Shqiptarë – mendoi dhe më të riut që kollitej i jep pallton e tij: – Merre, unë i kam bërë ditët e perëndisë! dhe të tjerëve të dridhnin nga një duhan të fortë nga kutia e tij.
Ata panë njëri-tjetrin dhe heshtën.
Të nesërmen kur do të niseshin herët për në Tërbaç, Malo Sinua, i zoti i shtëpisë, e pyet:
– Rrapo ke nevojë për gjë? Të të jap para me vete?
– Jo, Malo jo, të falemnderit, se atje ku do të vete unë s’ka dyqane…
E shoqja i afron një mollë dhe ai e fut në xhep i menduar duke nënqeshur…Sheh fshatin e tij për herë të fundit dhe niset për në Tërbaç me vargun e partizanëve. I vjen keq që nuk puthi dot sytë e dy djemve të vegjël 8 dhe 5 vjeç, Veliut dhe Aliut, dhe vajzave të tij të parritura. Në të dalë të fshatit dëgjon një zë, aty ku përroi krijon hone të thella:
Baba, baba!
Ishte djali i madh 16 vjeçar, Dilaveri, që i ishte qepur mbrapa bashkë me një kushëri të tij. Jehonën e përpinë honet, por në veshët e babait oshtiu një copë herë dhe u fiksua si refren gjatë gjithë rrugës e do t’i mbetej një peng i madh në zemër.
Ndarje e dhimbshme !
Në Tërbaç, në bregun e Brahgjine, brigada bëri pushim. Po pse? Për në Brataj ka edhe rrugë të tjera madje më të shkurtra. Ishte një skenar? Po përdorej si shembull, apo si kavie eksperimentale? Në Tërbaç Rrapo Metua kishte krushqi me derën e Mersin Selam Gjondedës. Vajza e dytë, Razia, që ishte martuar fare e re, ishte vetëm 20 vjeç me një djalë foshnje. Ndaj aty i mblodhi të gjitha forcat. Ndjenja më njerëzore e babait për të bijën të mbushur me mall, do t’ja njomte sytë, po shpejt qerpikët e tij rrahën si krahë shpendi, për të mos rënë faqeve lotët. Me Tërbaçin s’e lidhte vetëm krushqia. Ai kish aty shokë të llogoreve të luftës së ’20-ës si Cano Aliu, Xhebro Gjika, Laze Malon dhe admirues për virtytet e tij, për mikëpritjen e besën, për devotshmërinë prej atdhetari, si Nuro Ahmeti e Muço Delon, mësues e burra të mençur patriotë.
-Babai im tregon: E kuptova si qëndronte puna. Ne në fshatin tonë nuk dorëzuam njeri për pikëpamje. Por ai ishte i njohur, kishte veprimtari të gjerë dhe shumë gjëra i thoshte me këngën e tij. Në fjalë nuk e kapje dot kurrë. Po Mehmet qeni s’e njihte tolerancën, as Liri Gega.
Ju luta të pinte një kafe brenda në shtëpinë time, im vjehërr, Rrapua, por Mehmeti e preu shkurt: jo!
Atëherë nëna ime, që e dëgjoi e zien shpejt kafenë që t’ia sillte aty në breg të Brahgjine.
-Mamaja tregon: Nëna ma dha kafenë afër shkallëve. Ec shpjere ti, djalin mos e lësho! – U afrova duke m’u dridhur duart. Babai e mori kafenë. Më puthi në sy e në ballë, më përgëzoi Hiqmetin që s’kishte mbushur ende 2 vjeç, po i tregonte me gisht papuçet me xhufka dhe beretën e bukur që e kishte dhuratë nga ai. Sa u takuam duhet të ndaheshim. Vdekja e babait tim ndihej afër. I drejtova sytë nga gruaja e vetme që ishte aty, Liri Gega, por vështrimi i ftohtë i saj i hedhur ashtu kot nga malet më bëri që të mos di ku të shoh. Në netët e vjeshtës së lagësht, ajo grua kishte gjetur një strehë të ngrohtë në shtëpinë tonë dhe mbante akoma veshur një nga fustanet e mi më të bukur të nusërisë që s’ma dha më kurrë. Eh! sa gjëra më të shtrënjta humbëm në atë luftë.
Yt at gjen kohë t’i thotë: “Eshtë babai i Razies”, me një vështrim ngulmues, por ajo i thotë shkurt:
– Nuk kam ç’ti bëj!
Engjëlli i vdekjes (Exheli thotë mamaja) ishin vetë sytë e saj. U ndava me babain. Më dha mollën e vetme që çokush ia kishte vënë në xhep e më tha: Mos u ligështo! I kam bërë ditët e Perëndisë.
Sa bëra këmbë në shkallë dëgjova zërin e mësuesit tim të nderuar, kur ata u ngritën për të marrë rrugë:
– Muço! i dha dorën Mehmet Shehu.
Muçua: Xha Rrapon do t’ma lesh mua se e kam mik!
Mehmeti: Kemi pak punë deri në Brataj, pastaj kur të kthehet, Baxhuli t’i therë kaun e ti dashin.
Babai: Burrat nuk luten shumë herë, por unë mora rrugën për në Brataj pa folur, bashkë me ta. Ishte kohë e trazuar. Sa u afrova te përroi i Brashecit, në të hyrë të Bratit, një partizan kthehet e më thotë: Shok! Duhet të kthehesh ndryshe kam urdhër të qëlloj. Ika duke menduar fundin. Dita po thyhej dhe ajo natë që po vinte me shi kush e di ç’do të sillte…
Ekzekutimi – Dhe nata ka sy…
“…Të strehuar në një shtëpi, filluan të bisedonin. Shtëpitë ishin të ulta dhe nga dritarja zërat e ngritur merrnin dhenë. Seç flisnin, dhe ai përgjigjej me zë të lartë. Pastaj pushuan. Rrapon e futën në një katua të lidhur. Aty nga mesnata një partizan i thotë: – Hajde pak. Rrapua përgjigjet: Kush më do? Qeni? do t’më vrasë?…”.
Dëshmitar okular: Hakim Vallja – Brataj.
“…Nën spitalë afër një kamine gëlqerje, nën ato bokërrimat që zbret për në lumë shoh një varr të ri, jo të thellë. Dheu ishte hedhur rrëmujë e njëra dorë i dukej dhe pak kanati i xhamadanit. O Allah! preka dorën ishte akoma e ngrohtë, sapo kishte dhënë shpirt ashtu më të mugulluar sabahu. Në gisht kishte një unazë të trashë me shkronjat e emrit të tij. Më duhej ta ktheja nga Qabeja. U mora me të…Po ta kujtoj edhe njëherë para se të vdes, kush e di si vjen koha. U mor vesh që e kishin vrarë, por e kishin lënë pa gur varri, dhe unë ashtu e lashë nga frika. Për 48 vjet e kam mbajtur fshehur.
Tani para se të vdes po ta tregoj. Ti o bir ke qenë fëmijë 9 vjeç. Kisha dalë të mblidhja shkarpa me ty, nuk e di, të kujtohet apo jo? Ai ishte varri i Rrapo Metos nga Vranishti, dhe varri s’ka më shenjë. Por as ne s’na kanë pasur me sy të mirë, si mund të vija gurë?”.
Në janarin e vitit 1991 ky 9-vjeçar i vitit 1943 tashmë burrë 57-vjeçar ndjen se këtë amanet të nënës së tij duhet ta transmetojë gojarisht. Nuk është çliruar ende nga stresi i gjatë dhe don të mbetet anonim. Troket në portë si tek miqtë. E mahnit të bijën e Rrapos dhe nipi mban shënime. Ai thotë: Erdha thjesht për amanetin e nënës, por edhe për ju. Një varr të tillë nuk mund të ketë një njeri si ai, me sa kam dëgjuar unë, por asnjë njeri në botë…
Dhe e motra e Rrapos ligjëron me vargje që rezonojnë dhembje e mister:
“…Ranë yjet në përrua
Bilbili pse s’u dëgjua?
Pse nuk pyeti për mua?
E zeza të kane larguar
qysh do të qaj kundruall?
Bilbil të vrau partia
ndaj u friksua rinia.
Të keqen vëlla o ftua!
Do të qaj në katua
se mos më vrasën dhe mua.
(Nëntor 1943)
Ndërsa populli këndon:
Në fshat ka ardhur një kartë
Rrapo Meton mos e patë?
Eshtë nisur për Tërbaç,
me drejtimin për në Brat.
Tërë natën me dava,
nuk u gdhi dot më saba
seç u flit me zë të lartë,
ashtu si e kish zanat.
Vallë kush ia bënte gjyqnë
Mehmeti me gjithë Lirinë, (Mehmet Shehu dhe Liri Gega)
prokurori Miladinë. (Miladin Popovic)
Tek kamina në spital
atje ja bënë meqanë
e lanë gjysmë të gjallë,
çpanë a paçin belanë?
Dhe shtypi i shqiptarëve në diasporë, në SHBA, shkruan te gazeta “Kombi”:
“…Komunistët vranë barbarisht Rrapo Meton” .