Bisedimet e kota midis Kosovës dhe Serbisë

Aktualiteti 0 Comment

Ngritja e akuzave për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës ndaj drejtuesve të UCK-së është tronditëse dhe e padrejtë sepse vendos shenjën e barazisë midis spastrimit etnik të kryer nga Serbia dhe luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës , vendos shenjën e barazisë midis xhelatit dhe viktimës.
Edhe më absurde është ngritja e këtyre akuzave kur kjo vjen nga një institucion i drejtësisë së Kosovës që iu është besuar prokurorëve të huaj, i kijuar falë një ligji të votuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014.
Duket qartë që këto aktakuza bëhen me qëllimin për të penguar pjesëmarrjen e institucioneve të Kosovës në një takim në Uashington me një delegacion të Serbisë  për të gjetur një zgjidhje për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Siç e dimë, shqiptarët e Kosovës në vitet 1998-1999 u përballën me një spastrim të egër etnik të ekzekutuar nga Serbia, që pati si rezultat vrasjen e mbi 10 mijë shqiptarëve dhe shpërnguljen e mbi 800 mijë shqiptarëve të tjerë drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, pa folur për përdhunimet, djegiet e shtëpive dhe fatin e mijëra shqiptarëve që ende nuk janë gjetur.
Djemtë e Kosovës morën armët dhe luftuan masivisht në radhët e UCK-së duke i vënë gjoksin tankeve të Serbisë që kishte vendosur t’i shfaroste.

Ndërhyrja ajrore e NATO-s për të shmangur një tragjedi njerëzore dhe një spastrim etnik të paparë në Europë, i dha fund luftës dhe e detyroi Serbinë të tërhiqte trupat ushtarake dhe para-ushtarake nga Kosova më 3 qershor 1999.

Rezoluta 1244 e votuar më 10 qershor 1999 e kaloi Kosovën nën administrimin e OKB-së dhe ia ngarkoi sigurinë e saj NATO-s.

Më 17 shkurt 2007 Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e cila u njoh menjëherë nga Shqipëria, SHBA, Anglia, Turqia, Franca të pasuar nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian dhe vende të tjera në botë. Sot pavarësia e Kosovës njihet nga 112 prej 193 vendeve antare të OKB-së 3 prej të cilëve janë antarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (KS) me të drejtë vetoje : Franca, Anglia dhe SHBA. Kurse dy antarët e tjerë të përhershëm të KS të OKB -së Rusia dhe Kina nuk e kanë njohur Kosovën, po ashtu edhe Serbia e cila nuk e pranon sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Kjo mosnjohje, solli në vitin 2011 një iniciativë të Bashkimit Europian për një dialog midis Serbisë dhe Kosovës i cili duhet të përfundonte me njohjen reciproke dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Por, megjithë shtytjen e BE-së, Serbia nuk e pranoi kurrë këtë.

Sepse Serbia, e cila drejtohet nga ish-ministri i propagandës së Sllobodan Millosheviçit gjatë luftës së Kosovës, ka vetëm një qëllim: të pengojë pavarësinë e Kosovës derisa të krijohet një situatë e re ndërkombëtare, më e favorshme për Serbinë që do t’i lejonte asaj të rikthehej me ushtri në Kosovë.

Si pasojë dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel dështoi dhe shpresat e BE-së për një marrëveshje u shuan. E vetmja arritje në këto negociata ishte në anën e Serbisë me krijimin e “asociacionit të komunave serbe”, i cili përsëri do të jetë një mjet më shumë për Serbinë për të sabotuar pavarësinë e Kosovës.

Në 14 dhjetor 2018, Presidenti i SHBA Donald Trump, iu dërgoi një letër prsidentëve të Kosovës dhe Serbisë ku i shtynte të gjenin një zgjidhje të cilën ai do ta përkrahte. Siç thuhej në letrën e tij ishte ky një rast i vetëm që nuk duhej humbur.

Pikërisht në kuadër të këtyre përpjekjeve do të zhvillohej në Uashington takimi midis presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës. Dhe pikërisht vetëm disa ditë para këtij takimi u ngrit aktakuza ndaj presidentit aktual të Kosovës dhe ish-drejtuesit të lartë të UCK-së z. Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Le të kujtojmë se në të njëjtën mënyrë, nga e njëjta gjykatë u ngrit një aktakuzë ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ish-drejtues i lartë i UCK-së, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen në një kohë që qeveria e tij, në përpjekje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës, kishte vendosur “masat e reciprocitetit” për mallrat që vinin nga Serbia.

Kemi të bëjmë këtu me një përdorim abuziv të kompetencave të kësaj gjykate të cilat do të duheshin diskutuar në Kuvendin e Kosovës.

Eshtë për të ardhur keq që takimi i Uashingtonit u pengua në këtë mënyrë.

Por përsëri nuk do të kishte patur ndonjë rezultat, sepse Serbia është e vendosur në politikën e saj të mosnjohjes së Kosovës. Këtë përfaqësuesit e Serbisë e thonë hapur dhe nuk ka arësye të besohet që nuk janë të sinqertë.

Deri tani Serbia nuk ka bërë asnjë lëshim dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim.

Në këto kushte vazhdimi i dialogut është i pakuptimtë dhe mund të jetë i dëmshëm për Kosovën.

Kosova nuk është e detyruar të bisedojë me Serbinë nëse këto bisedime përdoren kundër Kosovës. Këto bisedime Serbia i bën për të fituar kohë dhe për t’i treguar BE-se se gjasme përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, kusht ky për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian.

Kosova fare mirë mund të adoptojë një politikë më të ashpër duke refuzuar bisedimet nëse Serbia nuk pranon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe nëse është e detyruar të shkojë në këto bisedime, të mos nënshkruajë asgjë pa u njohur më parë pavarësia.

Ashtu sikurse Serbia, edhe Kosova mund të shpresojë në kushte më të favorshme ndërkombëtare në të ardhmen, dhe sidomos situata në terren shkon në favor të konsolidimit të institucioneve Kosovës. Prandaj Kosova nuk ka se përse të nxitohet për njohjen nga Serbia.

Por nga ana tjetër duhen bërë përgatitje për rastin më të keq, i cili do të ishte një tentativë e Serbisë për të ripushtuar ushtarakisht Kosovën në rast të një ndryshimi të pafavorshëm të situatës ndërkombëtare pas disa vitesh.

Kosova do të duhej brenda mundësive të përgatitej për një situatë të tillë. Por edhe Shqipëria do të kishte një rol thelbësor për të ndihmuar në mbrojtjen e Kosovës dhe duhet të merrte masa paraprake në këtë drejtim.

Që tani mund të punohej për një marrëveshje ushtarake midis Shqipërisë dhe Kosovës për ndihme reciproke në raste agresioni të jashtëm.

Sigurisht që klasa politike mbarëshqiptare do të duhet të tregohet e kujdeshme dhe e bashkuar. Edhe më e bashkuar duhet të tregohet klasa politike e Kosovës. Duhen lënë mënjanë grindjet e vogla politike dhe të punohet së bashku për sigurimin përfundimtar të sovranitetit të Kosovës.

Vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhjet përfundimisht çështja e Kosovës dhe çështja shqiptare në Ballkan.

Xh. F. Meçorrapaj

 

Author

Back to Top