Pavarësinë e ka vulosur Kuvendi i Kosovës !
Aktualiteti, Kosova 15 Korrik, 2020, 0 CommentDëgjojmë shpesh kohët e fundit presidentin e Serbisë Aleksander Vucic të thotë se Serbia nuk ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës apo se statusi i saj nuk do të diskutohet. E dëgjojmë po ashtu të flasë për rezolutën 1244 të KS të OKB dhe të mbështesë aty « sovranitetin » e Serbisë në Kosovë.
Por kjo është një shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare, sepse Kosova ka shpallur pavarësinë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 22 korrik 2010 e cila në konkluzionin e saj thotë se « Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk shkel të drejtën ndërkombëtare » .
Rezoluta 1244 e votuar më 10 qershor 1999, megjithëse e përmendte sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë, autorizonte OKB-në të kishte një prani civile dhe ushtarake në Kosovë, e cila do të krijonte institucionet demokratike në pritje të një zgjidhje politike dhe zgjedhjeve.
Në pikën 11e thuhet se prania e OKB-së « kishte përgjegjësinë që të ndërmjetësonte një proces politik i cili do të vendoste statusin e ardhshëm të Kosovës duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambujesë », ku delegacioni shqiptar kishte kërkuar pavarësi mbështetur në vullnetin e popullit.
Kurse në pikën 11f thuhet se prania e OKB-së kishte përgjegjësinë, « në një stad final, të kalimit të pushtetit nga institucionet e përkohshme tek institucionet e dala nga procesi politik »
Rezoluta 1244 nuk e paragjykonte statusin final të Kosovës, por e linte të hapur mundësinë e përcaktimit të tij si rezultat i një procesi politik.
Në fund të këtij procesi politik, Shpallja e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, i zgjedhur demokratikisht si përfaqësues legjitim i popullit të Kosovës, i dha fund sovranitetit në Kosovë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe trashëgimtares së saj Serbisë.
I gjithë ky proces buronte nga Rezoluta 1244 dhe ishte i bazuar në të drejtën ndërkombëtare ashtu siç e konfirmoi edhe GJND. Mund të themi se sot pika 11e është përfunduar, kurse pika 11f ka nisur pas shpalljes së Pavarësisë dhe është në vazhdim.
Prandaj nuk ka asnjë bazë juridike kur politikanët serbë thonë se rezoluta 1244 njeh sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Më e shumta mund të thonë se e njihte në vitin 1999, por sot procesi ka ecur përpara dhe statusi final i Kosovës është vendosur.
Rezoluta 1244 iu dha mundësinë Shqiptarëve të Kosovës të vendosnin për statusin e tyre, dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës votuan për Pavarësi. Që nga ky moment Kosova është sovrane dhe sovraniteti iu hoq Serbisë. Për këtë arësye shumica e vendeve në botë e njohën Kosovën.
Kur politikanët e Serbisë pretendojnë sot se nuk e njohin Kosovën apo se duhet që Parlamenti i Serbisë të votojë për statusin e Kosovës, kjo është thjesht një absurditet. Kosova nuk ka nevojë që të njihet nga Serbia, Kosova tashmë ekziston. Kurse Parlamenti i Serbisë nuk ka kompetencë të votojë për ekzistencën apo jo të një shteti tjetër.
E vetmja që mund të bëjnë autoritetet e Serbisë është të konstatojnë Pavarësinë dhe të nënshkruajnë një marrëveshje demarkacioni me Republikën e Kosovës.
Pikërisht për këtë arësye përfaqësuesit e BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi flasin për « normalizim » të marrëdhënieve dhe jo për « status ».
Nuk duhet të biem në grackën e deklaratave të drejtuesve të Serbisë të cilët flasin për mosnjohje të Kosovës. Janë thjesht provokime militantësh, janë thirrje të hapura për luftë ndaj një shteti tjetër dhe si të tilla janë të dënueshme nga drejtësia ndërkombëtare.
Kosova duhet të tregohet e qetë dhe e duruar në bisedimet me Serbinë, duke bërë kujdes që të ruajë sovranitetin dhe interesat e saj.
Qëllimi i Serbisë është që ta dëmtojë sa më shumë Pavarësinë e Kosovës. Disa nga mjetet e saj janë pengimi i pranimit të Kosovës në OKB dhe institucione të tjera, refuzimi për të bërë demarkacionin, fushata për mos-njohjen e Kosovës.
Por Kosova nuk ka pse të shpejtohet. Demarkacioni ose përcaktimi i vijës kufitare është bërë me Maqedoninë e Veriut dhe me Malin e Zi. Edhe nëse do të duhen vite për ta bërë me Serbinë, puna pret. Për të marrë një shembull nga historia, megjithëse kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar në vitin 1913 nga Konferenca e Londrës, demarkacioni përfundoi vetëm në vitin 1925.
Po ashtu edhe hyrja E Kosovës në OKB apo në institucione të tjera që sot bllokohet nga Serbia apo aleatë të saj, mund të presë dhe duhet relativizuar rëndësia e saj. Vetë ish-Jugosllavia nuk ka qenë kurrë antare OKB dhe ka hyrë vetëm në vitin 2000.
Kosova mund të funksionojë fare mirë si shtet në këto kushte edhe për disa dekada. Hapja e rrugëve me Shqipërinë dhe vende të tjera bën që zhvillimi ekonomik të mos pengohet. Sa më shumë kohë të kalojë me një shtet funksional të Kosovês, aq më të interesuar e të siguruar do të jenë edhe investitorët në Kosovë.
Negociatorët e Kosovës në bisedimet me Serbinë duhet të përgatiten që të mos kenë sukses për një kohë të gjatë. Kjo edhe për arësye se përballë tyre kanë shovinistë nga më ekstremët. Të mos harrojmë se presidenti aktual i Serbisë Aleksander Vucic ka qenë Ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Milloshevicit kur trupat serbe kryenin spastrimin etnik në Kosovë. Si i tillë, Vucic ka patur dijeni për atë që ndodhte në Kosovë, madje e ka nxitur dhe ndihmuar. Si mund të bisedohet me këtë njeri, i cili e ka vendin në Hagë, për normalizmin e marrëdhënieve?
Duhet pritur ndoshta 5, 10 apo më shumë vjet, derisa në Serbi të ketë të tjerë politikanë për të diskutuar për normalizim të marrëdhënieve. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë se përse të nxitohen për të realizuar një marrëveshje të keqe, e cila më vonë mund të sillte pasoja të rënda për Kosovën dhe gjithë rajonin. Përkundrazi duhet të kenë gjithë kohën e duhur për ta studiuar në mënyrë transparente dhe për ta votuar në Kuvendin e Kosovës, legjitimiteti i të cilit është i padiskutueshëm.
U bënë 12 vjet që kur Kuvendi shpalli Pavarësinë dhe ende Kosova nuk është njohur nga OKB dhe marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normalizuar. Por nuk është kjo diçka e jashtëzakonshme. Le të kujtojmë se Shqipëria e shpalli Pavarësinë më 12 nëntor 1912 por u njoh nga Turqia vetëm në vitin 1921.
Shqiptarët e asaj kohe për vite me radhë u përpoqën për njohjen e Pavarësisë, ashtu sikurse Kosova sot dhe në fund ia arritën. Ja si i tregon kënga popullore përpjekjet dhe vendosmërinë e Ismail Qemalit për njohjen nga Fuqitë e Mëdha:
…
Unë jam Ismail Qemali,
Prapa më vjen historia.
Të lutëm nëmë një vulë,
Të vuloset kufia.
Të shtat vulat t’i dhamë,
Po s’doj të vulos’ Turqia.
Do vulos’ se s’është punë,
Është imja Shqipëria!
Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mija.