Flamuri turko-shqiptar – fyerje për Kombin Shqiptar!

Aktualiteti, Historia, Kosova, Maqedonia Perëndimore Comments Off

Media shqiptare raporton se me rastin e 97-vjetorit të Republikës së Turqisë, një flamur i kuq gjigand me gjysmë-hënën dhe yllin e Turqisë dhe me shqiponjën e Shqipërisë është shfaqur në fasadën e Universitetit të Tiranës. Në pamje të parë, ky është thjesht një urim për festën e Turqisë, ndoshta pak i madh, por sigurisht në masën e servilizmit të pushtetarëve të Tiranës.

Por ajo që është e papranueshme është shkrirja në një flamur e simboleve të Turqisë me shqiponjën tonë dykrenore. Është kjo një fyerje për Kombin Shqiptar për disa arësye.

Në radhë të parë Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenore është flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Të vendosësh Flamurin e tij në atë të Turqisë është një kontradiktë e papajtueshme. Por është edhe një mohim i rezistencës së 25-vjeçare në mbrojtje të tokave shqiptare nga një pushtues i huaj, që ishte në atë kohë fuqia më e madhe në botë.

Pas pushtimit, Turqia i sundoi tokat shqiptare për më shumë se 400 vjet në kuadrin e Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj kohe ka patur disa përpjekje nga shqiptarët për të dalë më vehte, si një vend autonom dhe më pas i pavarur. Këto përpjekje u shtuan sidomos në fund të shekullit të 19-të me Lidhjen e Prizrenit dhe përfunduan me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912.

Shpallja e Pavarësisë u bë me sakrifica të mëdha, me kryengritje të shumta dhe me shumë dëshmorë të Lirisë që u flijuan për Flamurin Kuq e Zi me shqiponjën dykrenore. Shkrirja e simboleve është një fyerje dhe një mohim për të gjithë dëshmorët e Shqipërisë së Pavarur.

Gjatë shekullit të 19-të disa shtete të Ballkanit, si Greqia, Serbia etj. fituan pavarësinë. Edhe Shqiptarët bënë përpjekje të mëdha në këtë drejtim, por u penguan shumë pikërisht nga Turqia e cila nuk lejonte deri dhe shkollat shqipe dhe jo më autonominë siç e kërkonte Lidhja e Prizrenit. Turqia i përdori shqiptarët dhe tokat shqiptare për interesa të saj duke i sjellë një dëm kolosal kombit shqiptar. Për shembull, në Traktatin e Shën-Stefanit, pasi humbi luftën me Rusinë, Turqia, për të ruajtur interesat e saj në Ballkan, bëri pazare me tokat shqiptare duke ia falur një pjesë të tyre Bullgarisë (sot Maqedonisë), Serbisë dhe Malit të Zi.

Natyrisht, për copëtimin e tokave shqiptare nëpër vende fqinje në radhë të parë janë përgjegjës shqiptarët që nuk vepruan në kohën e duhur dhe me fuqinë e duhur, sepse shumë prej tyre mendonin se ishin të sigurt në Perandorinë Osmane. Por edhe Turqia me pengimin e krijimit të një shteti shqiptar dhe Traktatit të Shën-Stefanit, pati një rol mjaft të madh në copëtimin e tokave shqiptare.

Pas shpalljes së Pavarësisë, marrëdhëniet midis shtetit të ri shqiptar dhe Turqisë u normalizuan në vitin 1923, me ardhjen në fuqi të Mustafa Qemal Ataturkut. Këto marrëdhënie kanë qenë korrekte gjatë gjithë shekullit 20-të. Është për t’u shënuar refuzimi që i ka bërë Mustafa Qemal Ataturku në vitin 1937 një marrëveshje me Serbinë ku kjo e fundit planifikonte të zhvendoste në Turqi një numër të madh familjesh kosovare në zbatim të planit të Vasa Cubriloviqit për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Gjatë diktaturës komuniste marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të pakta, por ato u intensifikuan pas vitit 1990. Prej atëhere Turqia, edhe si vend antar i NATO-s është konsideruar si një vend aleat me të cilin Shqipëria, por edhe Kosova kanë patur marrëdhënie shumë të mira në ekonomi dhe fusha të tjera. Është përsëri për t’u vlerësuar njohja e shpejtë e Kosovës nga Turqia dhe përkrahja që ajo i ka dhënë shtetit të ri kosovar.

Natyrisht, duke patur parasysh këto, Turqia mund të konsiderohet sot si një vend aleat i Shqipërisë dhe Kosovës dhe duhen bërë të gjitha përpjekjet për të mbajtur marrëdhënie të mira midis vendesh aleate. Por duhet patur kujdes për të mos shkuar shumë larg. Mbajtja e marrëdhënieve të mira ka disa kushte dhe në radhë të parë respektin reciprok.

Turqia natyrisht ndjek në radhë të parë interesat e saj. Vizioni që kanë sot drejtuesit e saj, ndryshe nga ai i shekullit të 20-të, është një influencë e gjerë në Ballkan e gjetiu. Dhe përkufizmi i kësaj influence mund të shkojë shumë larg, deri në shkrirje të kufijve, sikurse të simboleve në flamur, gjë e cila është thjesht e papranueshme për kombin shqiptar.

Ka zero përqind mundësi që kjo të ndodhë, por ka shumë më tepër mundësi që Shqiptarët, ashtu si dikur me Traktatin e Shën-Stefanit, të dëmtohen shumë nga kjo politikë. Duke filluar në radhë të parë me Kosovën.

Prandaj është përgjegjësia e drejtuesve shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm në marrëdhëniet me Turqinë, të përcaktojnë qartë pozicionin e tyre, ta shpjegojnë atë, dhe të dënojnë çdo teprim apo provokim që nuk mund të jenë veçse kundër-produktiv. Shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë janë shumë të ndjeshëm përsa i përket pavarësisë dhe lirisë së tyre dhe këtë duhet ta dijë mirë çdokush.

Siç themi ne Shqiptarët: Miqësia miqësi, por secili zot në shtëpinë e tij !

Xh. Meçorrapaj

Author

Back to Top