Shteti shqiptar duhet të reagojë urgjentisht për kufirin detar me Greqinë!
Aktualiteti 12 Janar, 2021, Comments OffGreqia po përgatitet që të votojë në parlamentin e saj projekt-ligjin për zgjerimin e kufirit detar në 12 milje në datën 19 janar 2021.
Ky zgjerim përfshin edhe ishujt e Jonit, çka do të thotë edhe kufirin detar me Shqipërinë. Por për çudi, asnjë reagim nga Tirana zyrtare, përveç deklaratave të kryeministrit Edi Rama se “Greqia ka të drejtë ta zgjerojë kufirin detar në 12 milje”.
Në 20 tetor 2020 gjatë një vizite në Tiranë ministri i jashtëm i Greqisë Z. Dendias dhe kryeministri Rama kishin deklaruar se çështjen e kufirit detar midis dy vendeve do ta çojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. Ministri grek tha se ishte arritur në lidhje me këtë çështje një marrëveshje, e cila nuk u bë kurrë publike.
Nga ana tjetër Greqia, ka nisur procesin e votimit të projekt-ligjit për zgjerimin me 12 milje duke përfshirë edhe ishujt e Jonit, pa specifikuar asgjë në lidhje me kufirin detar me Shqipërinë, por vetëm duke thënë se do të respektojë Konventën e Detit. Fjali kjo e cila nuk do të thotë asgjë.
Ky mos-reagim i shtetit shqiptar kur Greqia zgjeron kufirin detar, kur ky zgjerim prek edhe hapësirën detare shqiptare dhe kur Greqia nuk përcakton asgjë në lidhje me kufirin shqiptar është shumë shqetësues dhe ngre shumë pikëpyetje.
Minimalisht Shqipëria duhet të reagonte duke thënë që nuk është dakord që zgjerimi i Greqisë të prek hapësirën detare shqiptare! Nëse çështja do të shkojë me të vërtetë në Gjykatën Ndërkombëtare reagimi i Shqipërisë sot do të ketë peshën e vet.
Mos-reagimi i Shqipërisë do të thotë pranim i vendimit të Greqisë për zgjerimin në 12 milje edhe në ujrat shqiptare. Edhe nëse çështja shkon një ditë në Hagë, Greqia do të niset nga një pozicion i favorshëm me 12 milje.
Heshtja e Tiranës zyrtare të bën të mendosh se marrëveshja Rama-Dendias nuk është bërë publike sepse ka pika që nuk do të pranoheshin nga opinioni publik shqiptar. Një nga ato pika mund të jetë mos-reagimi i Tiranës zyrtare për projekt-ligjin që do të kalojë në parlamentin e Greqisë i cili do ta përmirsojë pozitën e Greqisë para GJND.
Marrëveshja Rama-Dendias parashikon që të dy vendet ta shpien problemin e kufijve detarë para GJND. Por çfarë ndodh nëse Greqia, duke gjetur një arësye apo një tjetër, nuk e bën këtë?
Në atë rast do të duhej që Shqipëria ta çonte çështjen para GJND. Por a mund t’i bëjmë besim kryeministrit Edi Rama që ta bëjë këtë? Në shumë raste Edi Rama ka treguar se vazhdon traditën anti-kombëtare komuniste. Një shembull i keq i kësaj vazhdimësie është promovimi i mini-Shengenit serbomadh ballkanik dhe presioni ndaj Kosovës që të futet në të.
Për më tepër momenti i zgjedhur nga Greqia për të votuar këtë projekt-ligj është vetëm 3 muaj para zgjedhjeve në Shqipëri tek të cilat do të fokusohet gjithë vëmendja e opinionit shqiptar. Zhvillimet politike të katër vjetëve të fundit lënë të mendohet se mund të ketë destabilitet politik në muajt e ardhshëm. Në atë rast shteti shqiptar do ta kishte të vështirë ndjekjen e kësaj çështje dhe mund të humbiste një kohë të çmuar.
Është sot urgjente që shteti shqiptar të ri-afirmojë hapësirën e tij detare me 12 milje dhe të kërkojë garantimin dhe mos-cënimin e hapësirës së tij detare nga zgjerimi i Greqisë, qoftë për detin territorial, qoftë për Zonën Ekonomike Ekskluzive.
Qeveria e Shqipërisë duhet të bëjë transparencë të plotë në lidhje me këtë çështje :
1. të publikojë marrëveshjen Rama-Dendias e cila sigurisht nuk mund të jetë thjesht një marrëveshje verbale
2. të tregojë përgatitjet që ka bërë për paraqitjen e çështjes në GJND sepse koha nuk pret
Përndryshe dyshimet më të rënda do të bien mbi qeverinë e Shqipërisë, dyshime që shpresojmë të jenë të pajustifikuara.
Është ky një moment që do të hyjë në historinë e Shqipërisë, për mirë apo për keq. Kryeministri Rama nuk mund të bëjë të paditurin, të hesht sot dhe nesër të na thotë se nga gënjeu Greqia. Është sot totalisht përgjegjësia e tij çështja e kufirit detar me Greqinë.
Nëse çështja e kufirit detar nuk zgjidhet drejt, do të shtohet edhe një burim tjetër konflikti midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse kombi shqiptar nuk do të pranojë kurrë që pas Çamërisë, Greqia t’i grabitë edhe hapësirën detare.