Jo zaptimit të detit shqiptar nga Greqia !

Aktualiteti Comments Off

PETICION

https://www.ipetitions.com/petition/jo-zaptimit-te-detit-shqiptar


Drejtuar:

1. Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama

2. Qeverisë së Republikës së Shqipërisë


Për dijeni:


1. Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

2. Presidentit te Republikës së Shqipërisë

3. Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

Në datën 20 Janar 2021 Parlamenti i Greqisë votoi një ligj për zgjerimin e hapësirës detare të Greqisë nga 6 milje që ishte më parë në 12 milje. Ky zgjerim përfshin edhe detin Jon dhe pjesën veriore të tij ku Greqia ka një kufi detar me Shqipërinë. Ky ligj i lejon Greqisë që të zgjerohet me 6 milje në detin territorial, shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive të Shqipërisë.

Nga ana e Shqipërisë nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, përveç deklaratave të kryeministrit Edi Rama që ia njohin Greqisë të drejtën e zgjerimit me 12 milje.

Në datën 20 Tetor 2020 pas një takimi në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i jashtëm i Greqisë z. Dendias kishin deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë për çështjen e rregullimit të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo marrëveshje nuk u bë kurrë publike duke shkaktuar shqëtësim të madh në opinionin shqiptar.

Për më tepër deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për paraqitjen e çështjes në GJND. Greqia nuk duket e nxituar për t’a bërë këtë. Natyrisht që Greqisë nuk i intereson që çështja të shkojë në Hagë dhe mund ta zvarrisë atë derisa të harrohet. I takon Shqipërisë që të ankohet në GJND sepse ajo është pala e dëmtuar.

Por çuditërisht nuk ka asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare dhe kryeministri i saj.

Greqia nuk mund të zgjerohet me 12 milje në hapësirën detare shqiptare.

Përcaktimi i drejtë i kufirit detar me Greqinë, i bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare është me rëndësi jetike për Shqipërinë në aspektin e sigurisë kombëtare. Po ashtu, përcaktimi i drejtë i Zonës Ekonomike Ekskluzive ka një rëndësi të madhe ekonomike për Shqipërinë.

Për këto arësye, i bëjmë thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Qeverisë së Shqipërisë që :

1/ Të deklarojnë publikisht që Shqipëria refuzon që Greqia të zgjerohet në hapësirën detare shqiptare në detin Jon

2/ Sa më parë t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për cënimin e hapësirës detare shqiptare nga Greqia

3/ Të bëjnë transparencë të plotë mbi këtë çështje me rëndësi kombëtare.

Author

Back to Top