4 arsye për të votuar kundër PS dhe Edi Ramës

Aktualiteti Comments Off

Zgjedhjet e 25 prillit 2021 po afrojnë dhe votuesve shqiptarë do t’iu duhet të vendosin se për kë të votojnë. Nga pikëpamja e nacionalizmit shqiptar është e qartë se duhet votuar kundër PS-së dhe Edi Ramës për arsyet që po rendisim më poshtë.

1. PS dhe Edi Rama rrezikojnë demokracinë në Shqipëri

Partia Socialiste e Shqipërisë është akuzuar për blerje të votës në zgjedhjet për Kuvend të vitit 2017. Biseda telefonike të botuara nga shtypi shqiptar dhe i huaj e provojnë këtë. Vota e lirë është baza e demokracisë dhe duket se Partia Socialiste e ka çuar në nivel shumë të lartë tjetërsimin e votës.

Gjatë periudhës së qeverisjes së Edi Ramës institucionet e shtetit shqiptar nuk kanë funksionuar normalisht. Duke nisur me Kuvendin ku opozita nuk mori pjesë për shumë muaj e deri tek Gjykata Kushtetuese që për një kohë të gjatë ishte jo funksionale. Ndonëse nuk është vetëm përgjegjësia e Edi Ramës, ky i fundit si kreu i ekzekutivit mbetet përgjegjësi kryesor duke mos garantuar lirinë e votës.

Në fushatën aktuale të filluar para kohe për zgjedhjet e 25 prillit 2021, tentativa për frikësim të opozitës me incidente si ai i Elbasanit, i nxjerrjes me forcë nga zyra të partive të opozitës, apo me sharje dhe ofendime ordinere nga vetë kreu i qeverisë, dëmtojnë rëndë votën e lirë dhe si rrjedhim demokracinë në Shqipëri.

2. PS dhe Edi Rama po shkojnë drejt vendosjes së një diktature neo-komuniste në Shqipëri

Nëse demokracia rrëzohet përfundimisht në Shqipëri, atëherë do të vendoset një regjim i fortë ose një diktaturë. Duke patur parasysh simpatinë e Edi Ramës për “anën e duhur të historisë”, domethënë komunizmin dhe njerëzit që ai ka afruar në drejtimin e Shqipërisë duke filluar me kryetarin e Kuvendit ish-ministër i Partisë së Punës, dhe të tjerë nga ish elita komuniste, kjo do të jetë një diktaturë neo-komuniste. Baza e PS-së e ka kuptuar këtë mjaft mirë dhe i këndon që tani këngë “komandantit” të ri Edi Ramës.

3. PS dhe Edi Rama rrezikojnë çështjen kombëtare

Duke ndjekur traditën e komunizmit shqiptar, Edi Rama në krye të PS e ka dëmtuar shumë çështjen kombëtare me futjen e Shqipërisë në të ashtuquajturin Mini-Shengen dhe me presionin ndaj Kosovës për t’u futur në këtë marrëveshje e cila ndihmon Serbinë të bëhet lideri ekonomik i rajonit duke i dhënë më pas mundësinë të shkatërrojë Pavarësinë e Kosovës dhe ta rikthejë atë nën sundimin serb.

Për fat të keq nuk mund t’i besohet shumë për çështjen kombëtare të majtës shqiptare, sepse ajo ka dalë nga ideologjia e internacionalizmit komunist që është diametralisht i kundërt me nacionalizmin shqiptar.

Nga ana tjetër Edi Rama nuk e kundërshtoi dhe e quajti të drejtë zgjerimin e hapësirës detare të Greqisë në 12 milje, vendim ky që cënon edhe hapësirën detare shqiptare.

4. PS dhe Edi Rama po shkojnë drejt vendosjes së një pushteti të përjetshëm

Demokracia në Shqipëri u vendos para 30 vjetësh pas një diktature komuniste e cila ishte në realitet një sundim i gjatë personal i Enver Hoxhës. Deri tani forcat politike nuk kanë qëndruar në pushtet më shumë se dy mandate. Edi Rama dhe PS synojnë kësaj radhe për një mandat të tretë. Nëse do të fitonin do ta “betononin” pushtetin e tyre përgjithmonë dhe nuk do të kishte opozitë që do të mund t’i “çmontonte” nga pushteti, duke i hapur kështu rrugën një pushteti të përjetshëm të “komandantit”. Për Shqipërinë nuk do të ishte diçka e mirë, duke patur parasysh edhe gabimet dhe abuzimet e Edi Ramës. Dhe sigurisht nuk është ajo që shqiptarët do të dëshironin.

Kurse opozita ka premtuar se nëse fiton do të votonte një ligj për ta kufizuar në 2 numrin e mandateve për një drejtues qeverie, duke adoptuar kështu praktikat e vendeve më të mëdha demokratike.

 
Natyrisht vetë PS dhe Edi Rama do të paraqesin aresyet e tyre për të qëndruar përsëri në pushtet, por arsyet e renditura më sipër janë me rëndësi vitale për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Prandaj iu bëjmë thirrje shqiptarëve të votojnë kundër Edi Ramës më 25 prill 2021 !

Author

Back to Top