Partia Socialiste drejt vendosjes së një diktature neo-komuniste

Aktualiteti Comments Off

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 25 prillit nxorrën fituese Partinë Socialiste me 74 mandate ndaj opozitës e cila mundi të marrë vetëm 63 mandate.

Megjithëse dita e votimit në dukje kaloi e qetë, procesi zgjedhor u parapri nga shkelje të shumta nga ana e Partisë Socialiste në pushtet. Media ka treguar raste të shumta të qarkullimit të fletëve të votimit para zgjedhjeve, të kartave të identitetit të zgjedhësve dhe të listave të zgjedhësve, çka dëshmon për një aktivitet të shfrenuar të për blerjen e votave. Në ditët para zgjedhjeve, aktivistët e opozitës në shumë raste ndaluan makina të administratës që shpërndanin ushqime dhe para për të blerë vota për PS-në.

Më e rëndë akoma, vetëm një ditë para zgjedhjeve, Partia Socialiste nëpërmjet zyrave shtetërore shpërndante tollona karburanti dhe leje legalizimi në këmbim të votave. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të blerjes së votës dhe vjedhjes së zgjedhjeve.

Përveç administratës shtetërore, Partia Socialiste në këto zgjedhje përdori edhe një strukturë të ngjashme me atë të Sigurimit famëkeq të diktaturës komuniste: Patronazhistët. Kjo strukturë në kundërshtim të plotë me ligjin ka grumbulluar të dhënat personale të shqiptarëve si dhe të dhëna sensitive si pikëpamjet politike, për t’i përdorur për blerjen e votës me të holla apo me favore në kurriz të shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, gjatë numërimit të votave u vërejtën shkelje dhe parregullsi të mëdha. Procesi i numërimit u karakterizua nga tensione të mëdha dhe konfrontime edhe fizike.
Mediat shqiptare kanë transmetuar pamje filmike që tregojnë komisionerë të Partisë Socialiste duke shtuar kryqe mbi fletët e votimit për t’i bërë ato të pavlefshme. Si rezultat gati 100 mijë fletë votimi kanë dalë të pavlefshme. Këto fletë votimi kanë ndikuar mbi rezultatin e 10 mandateve.

Duke parë mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe numërimi i tyre, prishjen e fletëve të votimit, pseudo-reformën zgjedhore, është më se e qartë se vullneti i votuesve është tjetërsuar nga Partia Socialiste e Edi Ramës. Thënë shqip zgjedhjet e 25 prillit janë vjedhur.

Dhe me paturpësinë më të madhe Edi Rama feston fitoren e vjedhjes së votave dhe madje bën edhe thirrje për bashkim të shqiptarëve. Por çfarë bashkimi mund të ketë me ata që vjedhin votën e shqiptarëve dhe mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar ? Edi Rama në fjalimin e fitores bën thirrje për bashkimin e nacionalistëve me komunistët ! Por çfarë bashkimi mund të ketë me atë që përqafon vëllazërisht presidentin e Serbisë Vuçiqin dhe kërkon ta fusë Kosovën në mini-Shengenin serbomadh ?! Edi Rama lavdëron Mithat Frashërin por shan Ballistët që “hanë pula e keca”! Por a e di Edi Rama se Mithat Frashëri ishte Ballisti i parë, ishte Ai që krijoi Ballin Kombëtar ?

Në të vërtetë Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kërkojnë bashkim, por kërkojnë vetëm kohë sa të vendosin në mënyrë të plotë dhe të përjetshme diktaturën e tyre neo-komuniste. Shqiptarët duhet ta kuptojne se Rilindja e Edi Ramës nuk është rilindja kombëtare, por është rilindja e komunizmit. Rilindjen kombëtare nuk mund ta bëjë një komunist, sepse ai nuk e di çfarë është kombi.

Duket qartë se shqiptarët në 25 prill votuan për ndryshimin. Por vota e shqiptarëve u tjetërsua nga Partia Socialiste në pushtet duke i hapur rrugën një mandati të tretë dhe të përjetshëm të saj. Rreziku i vendosjes së një regjimi totalitar, i një diktature neo-komuniste është real.

Për të gjitha këto arsye zgjedhjet e 25 prillit nuk duhen njohur nga opozita. Bëhet fjalë për mbijetesën e demokracisë shqiptare e cila sot është në rrezikun më të madh që nga viti 1990.

Shqiptarët sot aspirojnë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, për një komb shqiptar të bashkuar, prandaj nuk mund të pranojnë që zgjedhjet të vidhen dhe vullneti i tyre të tjetërsohet dhe të deformohet. Shqiptarët nuk e dëshirojnë dhe nuk e pranojnë vendosjen e një diktature neo-komuniste anti-kombëtare e cila nuk mund veçse të shkaktojë tragjedi të tjera për shqiptarët.

Xhemil Meço

 

Author

Back to Top