Përse gjithë ky nxitim për t’u futur në BE ?
Aktualiteti, Kosova 18 Korrik, 2021, Comments OffKohët e fundit kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka lënë rast pa u ankuar për mos hapjen e negociatave me BE nga ana e kësaj të fundit. Ky qëndrim publik aspak diplomatik dhe në kufijtë e arrogancës është disi i çuditshëm dhe shtron pyetjen: a është me të vërtetë kaq urgjente hapja e këtyre negociatave dhe hyrja e Shqipërisë në BE? Përse gjithë kjo urgjencë në një kohë që bëhet fjalë për procese që zgjasin me vite e me dekada?
Z. Rama akuzon « nacionalizmin » e disa vendeve europiane duke nënkuptuar partitë e ekstremeve të djathta të disa vendeve të BE, për bllokimin e negociatave. Është e vërtetë që ka zëra sot në BE kundër zgjerimit të saj. Por nëse këta zëra dëgjohen nga vendim-marrësit e atyre vendeve, kjo ndodh sepse kundërshtimet e tyre bazohen në probleme reale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.
Problemi i parë në Shqipëri është demokracia e brishtë jofunksionale, e cila në vitet e fundit është keqpërdorur si nga pozita dhe nga opozita. Duke bërë disa kalkulime politike meskine, opozita doli nga institucionet demokratike me shpresën se do ta merrte më shpejt pushtetin. Nga ana e saj pozita nuk vonoi ta mbushte boshllëkun e krijuar dhe nisi kapjen e të gjitha pushteteve, duke e rrezikuar seriozisht demokracinë e re shqiptare.
Probleme të tjera të Shqipërisë që janë shumë të dukshëm nga BE janë trafiqet dhe korrupsioni. Sado që qeveria e Shqipërisë trumbeton me të madhe se i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hyrë në BE, mjafton të ndjekësh shtypin shqiptar, për të kuptuar se sa larg nga BE është Shqipëria për sa i përket sigurisë, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe shtetit ligjor. Thuajse çdo javë dëgjojmë për përplasje bandash të trafiqeve të ndryshme shpesh me pasoja tragjike. Thuajse çdo sezon dëgjojmë për kanabizimin e vendit dhe probleme që burojnë prej tij. A mund të mendoj dikush seriozisht se në vendet e BE askush nuk i shikon këto ? A mund të besoj dikush seriozisht se vendet e BE do të nxitojnë ta pranojnë Shqipërinë në gjirin e tyre pa u rregulluar këto probleme?
Ndoshta BE, për shkak të « nacionalizmave » të saj, nuk është gati të hapë negociatat me Shqipërinë sot, por nga ana e saj edhe Shqipëria nuk është gati të hyjë në BE. Kryeministri Rama në vend që të ankohej kudo për BE, do të bënte më mirë të punonte për bllokimin e trafiqeve, uljen e korrupsionit dhe krijimin e besueshmërisë tek demokracia shqiptare dhe shteti ligjor.
Por në vend të kësaj kryeministri Rama na propozon Minishengenin ballkanik që nuk është veçse një utopi anti-shqiptare. I ashtuquajturi Minishengen ballkanik, i cili në teori na paraqitet si e njëjta gjë si BE sepse do të siguronte lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, në të vërtetë do të ishte tërësisht e kundërta e BE në praktikë. Sepse BE nuk është thjesht një hapësirë ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalet qarkullojnë lirisht. Por BE është në radhë të parë një bashkësi vendesh që, megjithë ndryshimet që mund të kenë, kanë të përbashkëta disa vlera themelore që janë demokracia, shteti ligjor, liritë individuale dhe ekonomia e tregut. Minishengeni utopik ballkanik nuk do të ishte i aftë të siguronte asnjë nga këto vlera, sepse vendet e tij nuk kanë as eksperiencën demokratike dhe as eksperiencën e ekonomisë së tregut që kanë vendet që krijuan BE. Përkundrazi Minishengeni ballkanik do të ishte një hapësirë trafiqesh, ryshfeti, padrejtësie dhe influence ku ligjin do ta bënin feudalë ballkanikë të pangopur që do t’i keqtrajtonin popujt e tyre sipas zakonit të vjetër ballkanik.
Kryeministri Rama thotë se Minishengeni ballkanik, me hapjen e kufijve, do të sillte liri. Por kjo nuk është e vërtetë për Kosovën, sepse vetëm 20 vjet më parë nga kufiri i saj me Serbinë, erdhi ushtria serbe e cila solli tmerrin dhe robërinë, mbi 10 mijë Shqiptarë të vrarë dhe 1 milionë të shpërngulur me forcë nga vatrat e tyre. Dhe ajo Serbi është e njëjta edhe sot dhe ka po të njëjtat synime: robërimin rishtas të Kosovës. Këtë e tregon më së miri fakti që Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe e deklaron hapur se kërkon ta rifusë nën sundimin e saj. Atëherë si mund të ketë besim dhe ta hapë Kosova kufirin ndaj Serbisë?
Serbia e di mirë që Minishengeni ballkanik është i parealizueshëm, por përpiqet ta përdorë atë për të realizuar qëllimet e saj për prishjen e Pavarësisë së Kosovës. Prandaj Kosova e ka kundërshtuar me forcë hyrjen në Minishengen. Do të duhej që edhe Shqipëria të kthehej me këmbë në tokë dhe të hiqte dorë sa më parë nga Minishengeni ballkanik. Por nëse kryeministri Rama e ka kaq për zemër lirinë e lëvizjes, le të hapë vetëm kufijtë e Shqipërisë me Kosovën, sepse këtë e dëshirojnë të gjithë Shqiptarët dhe është në interes të kombit shqiptar.
Por le t’i kthehemi edhe njëherë nxitimit për t’u futur në BE. Mendoj se ky nxitim është i paarsyeshëm. BE nuk ia ka mbyllur derën Shqipërisë, por bëhet fjalë për vonesa në hapjen e negociatave. Nuk ka asnjë urgjencë për hapjen e tyre. Madje nxitimi do të ishte i dëmshëm. Hapja e negociatave duhet bërë atëherë kur edhe BE edhe Shqipëria të jenë të gatshme. Edhe nëse do të duheshin edhe disa vjet. Shqiptarët e kanë të përcaktuar qartë drejtimin e tyre drejt BE dhe Perëndimit. Rreziku gjoja nga influenca ruse apo kineze në Shqipëri është më shumë një legjendë se sa një realitet për njerëzit e thjeshtë. Të vetmit që mund të ndikohen janë drejtuesit politikë. Prandaj e vetmja gjë që duhet të bëjë Shqipëria është të vazhdojë rrugën e reformave dhe etapave për në BE.
Nga ana tjetër duhet të kuptojmë se Shqiptarët nuk mund të shkojnë në BE pa zgjidhur çështjen kombëtare. Shqiptarët duhet të hyjnë në BE si një njësi, dhe jo të shpërndarë në disa shtete. Zgjidhja më e mirë e realizueshme sot do të ishte që Kosova dhe Shqipëria të bashkoheshin më parë nëpërmjet një referendumi. Së paku do të duhej që Shqipëria dhe Kosova të koordinonin hyrjen e tyre në BE dhe ta realizonin këtë së bashku. Deri tani çuditërisht nuk kemi parë një koordinim të tillë nga drejtuesit politikë as në Tiranë dhe as në Prishtinë. Ndoshta do të jetë e vështirë të realizohet diçka e tillë me qeverinë aktuale, por opozita shqiptare do të duhej të bënte propozime në këtë drejtim. Dhe të ndiqte një politikë më racionale dhe kombëtare me Kosovën, duke hequr dorë nga protagonizmi dhe aventurizmi dhe duke zbatuar vetëm një rregull të thjeshtë: koordinim dhe përkrahje totale për politikën e jashtme të Kosovës e cila e di vetë më mirë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë ndaj Serbisë, sepse e njeh më mire dhe është ajo që e ka rrezikun te dera.
Vendi dhe e ardhmja e Shqipërisë janë në BE dhe Perëndim, në aleancë me SHBA, sepse kjo është prirja natyrore dhe dëshira e Shqiptarëve dhe përputhet me aspiratat e Shqiptarëve që janë liria dhe demokracia. BE është një bashkësi e kombeve, e bazuar mbi vlerat e demokracisë dhe lirive njerëzore ku Shqiptarët e kanë plotësisht vendin e tyre. Por çdo punë e mirë kërkon kohën e vet. Procesi i hyrjes në BE kërkon kohë dhe nxitimi nuk është i nevojshëm. Ajo që ka rëndësi është të shkohet në drejtimin e duhur, duke vënë mbi çdo gjë interesin kombëtar, sepse vetëm interesi kombëtar është udhërrëfyesi më i mirë që do t’i nxjerrë Shqiptarët dhe kombin shqiptar në vendin që iu takon, do të zgjidhë çështjen kombëtare shqiptare dhe do të vendosë përfundimisht paqen në rajon.
Xhemil Meço