Jo bashkimit me Serbinë!
Aktualiteti 1 Gusht, 2021, Comments OffMë 29 korrik 2021, kryeministri socialist i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut nënshkruan në Shkup një marrëveshje që shënon krijimin e « Ballkanit të Hapur », i quajtur më parë « Minishengeni ballkanik » i bazuar në iniciativën serbe të Novi-Sadit.
Kjo marrëveshje parashikon hapjen e kufijve për qarkullimin e mallrave dhe punëtorëve, të investimeve dhe bizneseve. Kosova, e cila konsideron se kjo marrëveshje është kundër interesave të saj, nuk mori pjesë në këtë marrëveshje.
« Ballkani i hapur » është një marrëveshje jo natyrore që shkon kundër interesave shqiptare në Ballkan, qofshin ato kombëtare apo ekonomike. Me Pavarësinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit, faktori shqiptar ishte fuqizuar në rajon dhe, megjithë problemet e shumta të trashëguara nga e kaluara, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kishin bërë përparime si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë të shtetit ligjor, pavarësisht se ato nuk kanë qenë të mjaftueshme. Por « Ballkani i hapur » shënon një kthesë radikale në drejtimin drejt Perëndimit dhe vlerave të tij që kishin marrë këto tri shtete dhe i kthen përsëri drejt Serbisë dhe Lindjes.
Nuk duhet të kemi asnjë iluzion për suksesin e kësaj marrëveshje, sepse ata që e kanë nënshkruar nuk e kanë kapacitetin për ta realizuar. Dhe, më e rëndësishmja, po veprojnë në kundërshtim me vullnetin e popujve të tyre. Askush në Shqipëri nuk e dëshiron bashkimin me Serbinë, me një popull që nuk na lidhin as gjuha dhe as zakonet. Përkundrazi, na lidhin vetëm luftrat dhe spastrimi etnik që kemi vuajtur prej tyre disa herë në histori. Dhe për të cilat serbët nuk kanë shprehur as pendimin më të vogël. Por përkundrazi e thonë hapur se janë të gatshëm ta përsërisin të njëjtën gjë në Kosovë.
Askush në Shqipëri nuk dëshiron që serbët të vijnë në Shqipëri si punëdhënës duke falimentuar bizneset shqiptare, askush nuk dëshiron që serbët të vijnë dhe të hapin biznese, sikur nuk ka ndodhur asgjë! Në një kohë që të gjithë shqiptarët e kanë parë dhe i kanë ende të gjalla kujtimet e gjenocidit që serbët ushtruan ndaj shqiptarëve të Kosovës vetëm dy dekada më parë.
Këtë duhet ta dijë edhe kryeministri në detyrë i Shqipërisë Edi Rama. Por ai nuk e ka problem dhe kjo nuk është ndonjë çudi e madhe për ata që e njohin sadopak hisorinë e komunizmit në Shqipëri. Sepse Edi Rama vjen nga elita komuniste e Tiranës, nga komunistët e Bllokut, të cilët e kanë traditë anti-shqiptarizmin sepse u mungojnë ndjenjat kombëtare. Nuk është hera e parë që komunistët shqiptarë e dëshmojnë këtë. Në vitet 1944-1945 Enver Hoxha, pasi e la Kosovën nën mëshirën e forcave serbe, dërgoi edhe divizione të ushtrisë komuniste shqiptare për të « shtruar » kosovarët të cilët patën shpresuar gjatë Luftës së Dytë Botërore të çliroheshin njëherë e mirë nga sundimi serb. Qëllimi i Enver Hoxhës ishte i dyfishtë : të ndihmonte shokët serbë në « shtrimin » e Kosovës por edhe të dekurajonte Shqiptarët e Kosovës në aspiratën e tyre për liri.
Në vazhdimësi të traditës së partisë komuniste shqiptare, që u krijua nga Serbia, që i shërbeu Serbisë duke luftuar dhe shkatërruar nacionalizmin shqiptar dhe duke e kthyer Kosovën në Serbi në vitin 1945, pikërisht të njëjtën gjë bën sot edhe Edi Rama duke nënshkruar marrëveshjen e « Ballkanit të hapur » : jo vetëm izolon Kosovën dhe e vendos atë në vështirësi për mbrojtjen e pavarësisë së saj të arritur me aq sakrifica, por edhe e dekurajon atë në luftën e saj për të hequr qafe njëherë e mirë rrezikun serb. Dhe më keq akoma, i jep një goditje tronditëse dëshirës dhe aspiratave të Shqiptarëve për të jetuar së bashku, në një hapësirë lirie dhe demokracie me të drejta të plota kombëtare.
« Ballkani i hapur » është një projekt i dështuar që në lindje. Por do të dëmtojë shumë çështjen kombëtare shqiptare dhe do të realizojë disa qëllime anti-shqiptare. Me anë të tij Serbia synon të sabotojë Pavarësinë e Kosovës. Kurse Maqedonia e Veriut synon të defaktorizojë elementin shqiptar, për të cilin ka filluar të konsiderojë se ka shumë të drejta kombëtare.
Por çfarë interesash ka Shqipëria në këtë marrëveshje? Në të vërtetë asnjë interes kombëtar, por as edhe ndonjë interes ekonomik, sepse Shqipëria është tërësisht e papërgatitur dhe zbatimi i kësaj marrëveshje do të sillte falimentimin masiv të bizneseve shqiptare. Përkundrazi është një marrëveshje që dëmton rëndë interesat kombëtare shqiptare. Atëherë përse kryeministri socialist Edi Rama e nënshkroi këtë marrëveshje? Interesat duhet të jenë thjesht personale, ose të një grupi interesi për të cilin interesat kombëtare shqiptare nuk kanë rëndësi.
Në një situatë të tillë kjo marrëveshje duhet kundërshtuar me forcë. Por cilat janë mjetet e ligjshme për ta bërë këtë, në një situatë kur partia socialiste e kryeministrit Edi Rama sapo ka dalë fituese në zgjedhjet e përgjithshme? Mund të flasim shumë për legjitimitetin e zgjedhjeve, për blerjen dhe vjedhjen masive të votave, përdorimin e administratës për këtë qëllim, kodin e padrejtë elektoral, zhvlerësimin e votës së gati një qind mijë votuesve etj. por fakti është që institucionet zyrtare ia kanë njohur këtë fitore partisë socialiste. Megjithatë në sistemin politik të Shqipërisë, ekzistojnë mjetet legale për ta kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes së « Ballkanit të hapur ».
Në radhë të parë kjo marrëveshje nuk mund të kalojë si një vendim i thjeshtë i qeverisë por duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë, sipas nenit 121/1a/1c të Kushtetutës, sepse është një marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me kontrollin e territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky votim do të jetë një provë shumë e madhe për partinë socialiste dhe do të tregojnë nëse ajo është ende në vazhdimësinë e komunizmit apo jo. Por do të jetë edhe një provë për partinë demokratike e cila deri tani e ka minimizuar këtë marrëveshje duke e cilësuar si « protagonizëm » në një kohë që flitet për hapjen e kufijve të Shqipërisë ndaj një vendi që ka kryer akte armiqësore ndaj kombit shqiptar.
Por mundësia më e mirë që Shqiptarët të shprehen për këtë marrëveshje do të ishte që opozita të kërkonte një referendum për të, sepse bëhet fjalë për një çështje me rëndësi madhore për të ardhmen dhe fatet e kombit shqiptar.
Shqiptarët do të votojnë masivisht kundër marrëveshjes së « Ballkanit të hapur » sepse ata nuk e dëshirojnë bashkimin me Serbinë gjenocidale. Sepse shqiptarët dëshirojnë të jetojnë të bashkuar në një shtet kombëtar në liri dhe demokraci dhe jo në një Jugosllavi të re e cila nuk mund të sjellë veçse tragjedi të reja për popujt e rajonit ashtu siç e ka bërë në vitet ’90.
Xhemil Meço