Plani i Serbisë per të rifutur Kosovën në sundimin e saj
Aktualiteti, Kosova 5 Shtator, 2021, Comments Off22 vjet pas largimit të forcave serbe nga Kosova dhe 13 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ende Serbia nuk e pranon se Kosova tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, dhe sidomos atyre demokratike me në krye SHBA dhe BE. Ky refuzim i mos-njohjes së këtij realiteti të ri ka vetëm një shpjegim: Serbia planifikon ta ri-fus Kosovën nën sundimin e saj.
Kur Kosova shpalli Pavarësinë, Serbia nuk pranoi ta njihte atë, megjithëse e dinte se e kishte humbur përgjithmonë të drejtën të qeveriste një popull të cilin u përpoq ta zhdukte. Përkundrazi, Serbia iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) duke i kërkuar të vlerësonte nëse shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Dhe GJND u përgjigj se po, shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare !
Por përsëri Serbia nuk e njohu Kosovën. Megjithatë ka marrë pjesë në bisedimet me Kosovën të ndërmjetësuara nga BE, duke nënshkruar edhe ndonjë marrëveshje teknike. Në këto bisedime Serbia ka marrë pjesë për të shmangur vëmendjen nga njohja e pavarësisë së Kosovës dhe për të përfituar ndonjë mjet më shumë për realizimin e planit të saj për Kosovën, siç ka qenë rasti i asociacionit të komunave serbe.
Por cili është plani që ka Serbia për të rifutur nën sundimin e saj Kosovën? Sepse sot kjo duket e pamundur ngaqë do të kundërshtohej me forcë nga Shqiptarët e Kosovës, por edhe nga një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar për arësye morale, sigurie dhe gjeo-politike. Por nuk ka dyshim që Serbia e ka një plan afatgjatë i cili po zbulohet dita-ditës.
Në radhë të parë Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Kjo tashmë është më se e qartë, serbët vetë e kanë thënë dhe stërthënë, e thonë çdo ditë dhe nuk kemi asnjë arsye të mos u besojmë. Këtë e vërtetoi edhe fakti që as joshja e futjes në BE, dhe as përpjekjet e SHBA me marrëveshjen e Uashingtonit nuk kanë arritur t’i bindin serbët të ndryshojnë qëndrim.
Serbët këmbëngulin sepse mosnjohja e Kosovës mund t’i japë një bazë juridike dhe t’i mundësojë Serbisë që të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë në të ardhmen, nëse kushtet ndryshojnë në favor të saj. Sot Serbia nuk mund të ndërhyjë në Kosovë sepse aty ndodhet KFOR-i, një forcë me mandat të OKB dhe me trupa dhe komandë të NATO-s. Dhe serbët, ndonëse tregohen trima dhe të pamëshirmshëm atje ku gjejnë më të dobët, ia kanë frikën forcës dhe nuk guxojnë t’i kundërvihen. Serbët kanë treguar se gjuha e vetme që njohin është gjuha e forcës. U tërhoqën nga Kosova kur iu bëri ballë UÇK-ja dhe forcat e NATO-s.
Për këto arësye për sa kohë të jetë KFOR-i në Kosovë, Serbia ka shumë pak gjasa të ndërhyjë ushtarakisht. Por Serbia do të bëjë ç’është e mundur që KFOR-i të largohet sa më shpejt. Dhe mënyra e vetme që të largohet KFOR-i nga Kosova do të ishte një vendim i Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB. Të mos harrojmë se, megjithëse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe njihet nga më shumë se 100 vende të OKB, KFOR-i qëndron në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 të OKB e cila përcakton edhe detyrat e KFOR-it të cilat janë aktuale edhe sot. Dhe në këto detyra gjejmë pengimin e kthimit të forcave serbe dhe monitorimin e kufirit të Kosovës. Misioni kryesor i KFOR-it është ruajtja e sigurisë në Kosovë.
Këtu qëndron edhe rreziku i parë vdekje-prurës i të ashtuquajturit « Ballkan i Hapur ». Sepse nëse Kosova hyn në këtë marrëveshje pa u njohur më parë nga Serbia, roli i KFOR-it në Kosovë bëhet i pakuptimtë. Përse do të duhej një prani ndërkombëtare sigurie, nëse këto vende u merrkan kaq mirë vesh bashkë saqë hapin kufijtë dhe ekonomitë e tyre ndaj njëri-tjetrit? Do të krijoheshin kështu kushtet që brenda disa vitesh, një aleat i Serbisë në KS të OKB të kërkonte fundin e misionit të KFOR-it. Natyrisht aleatë tanë në KS të OKB, me të drejtë, do të kërkonin vazhdimin e këtij misioni, por diskutimi do të kishte kaluar në një etapë tjetër dhe Serbia do të kishte bërë një hap të madh përpara në planet e saj.
« Ballkani i hapur » do t’i mundësonte për më tepër Serbisë të kontrollonte Kosovën ekomikisht dhe më vonë politikisht për të arritur synimet e saj.
Këtë duhet t’ia shpjegonte dikush edhe kryeministrit Rama, sepse kur i shikon punët vetëm nga ana e interesit ekonomik, këto detaje mund të të shpëtojnë pa i parë.
Pra synimi i Serbisë është që KFOR-i të largohet nga Kosova pa e njohur më parë pavarësinë e Kosovës. Kjo do t’i jepte më pas mundësinë të ndërhynte ushtarakisht.
Një pjesë tjetër e planit të Serbisë për Kosovën është lufta psikologjike e cila ka si synim përfundimtar lodhjen, demoralizmin e kosovarëve dhe humbjen e besimit te vetëqeverisja e tyre. Një synim tjetër edhe më i rëndësishëm është lodhja e ndërkombëtarëve dhe sidomos shteteve mike të Kosovës, me shpresën se ata do të tregohen më pak të vendosur në njohjen e Kosovës.
Në radhë të parë Serbia synon t’iu tregojë kosovarëve por edhe ndërkombëtarëve se shteti i Kosovës nuk e kontrollon dot vendin. Për këtë arsye që në fillim Serbia ka përdorur komunat me shumicë serbe të veriut të Kosovës. Aktet provokative po vazhdojnë sot me investime të ndryshme si ai i një universiteti në Mitrovicë që më vonë gjoja do të zhvendoset në Prishtinë etj. Qëllimi i tyre është destabilizimi i Kosovës, humbja e durimit dhe humbja e besimit te Kosova, megjithëse në realitet efekti i tyre është modest.
Në planin ndërkombëtar Serbia ka bërë fushatë për mos-njohjen e Kosovës nga vende të tjera, për tërheqje të njohjes së Kosovës dhe për bllokimin e hyrjes së Kosovës në disa organizma ndërkombëtarë. Duhet thënë që fushata e saj nuk ka patur shumë sukses, por i ka shërbyer një lufte psikologjike që ka si objektiv popullsinë e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar.
Brenda Serbisë propaganda e paraqet Kosovën gjithmonë si pjesë të Serbisë, përkohësisht nën kontroll ndërkombëtar. Qëllimi është që publiku serb të mos e pranojë as ai pavarësinë e Kosovës dhe të vazhdojë të ndjekë politikën shoviniste të drejtuesve të Serbisë. Por e vërteta është vështirë të fshihet, sidomos në kohët e sotme. Prandaj autoritetet serbe hidhen përpjetë sa herë që Kosova mbyll kufirin, sepse demaskohen keqasi përpara qytetarëve të tyre për gënjeshtrat e tyre pa skrupull.
Plani i Serbisë për Kosovën duhet vendosur në një kontekst më të përgjithshëm që është ai i « botës serbe », që nuk është veçse vazhdimi i projektit të Millosheviçit për një Serbi të madhe. Me këtë plan Serbia synon të pushtojë dhe të bashkangjit territore në disa vende fqinje të Ballkanit, midis të cilëve dhe Kosova.
Dhe përsëri « Ballkani i hapur » i jep këtu një ndihmë jashtzakonisht të madhe Serbisë, duke rrezikuar seriozisht sovranitetin dhe territorin e vendeve që do të futen në të.
Por çfarë mund dhe çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë situatë ?
Në radhë të parë Kosova nuk duhet të futet as në « Ballkanin e hapur » por as në ndonjë marrëveshje tjetër normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë, pa u njohur më parë nga ajo dhe pa u njohur nga OKB. Për këtë nevojitet një konsensus i të gjitha forcave politike dhe duhet të jetë një kriter që nuk negociohet.
E dyta, kosovarët duhet të ruajnë qetësinë përballë provokimeve dhe luftës psikologjike të Serbisë. Do të duhet kohë, durim dhe vendosmëri për të arritur në njohjen përfundimtare të pavarësisë nga OKB.
E treta, Kosova do të duhet të ndërmarrë veprime për të afirmuar sa më shumë pavarësinë si në rajon edhe në botë dhe të mos i lerë vend propagandës serbe, e cila aktualisht është në veprim me regjim të plotë.
E katërta, Kosova duhet të rrisë kapacitetet e saj të sigurisë. Kjo justifikohet me qëndrimin agresiv të Serbisë, armatosjes së saj dhe deklaratave të zyrtarëve të saj për rikthim në Kosovë.
E pesta, Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë sapo të jetë e mundur. Sot ky bashkëpunim duket i pamundur për shkak të qëndrimit arrogant, të papërgjegjshëm dhe aventuresk të kryeministrit Rama, por koha shkon përpara dhe shpresojmë që opozita të jetë pas zgjedhjeve të ardhshme në pushtet në Tiranë. Sapo një qeveri i përgjegjshme të jetë në fuqi në Tiranë, duhet forcuar bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, por sidomos në ato ushtarake dhe të sigurisë.
KFOR-i do të qëndrojë edhe shumë vite në Kosovë, por jo përjetësisht. Në një moment do të largohet dhe Shqiptarët duhet të jenë të gatshëm për atë situatë. Nëse Serbia ende nuk do ta ketë njohur Kosovën, atëherë e vetmja zgjidhje do të mbetet përballja e Shqiptarëve me Serbinë. Kosova së bashku me Shqipërinë e kanë të mundur ta përballojnë Serbinë. Por duhet të jenë të përgatitura që më parë duke rritur dhe bashkërenditur kapacitetet e tyre ushtarake.
Shpresojmë shumë që nuk do të arrijmë deri aty, por kundërshtimi i Serbisë për njohjen e Kosovës, nuk lë shumë mundësi të tjera. Ndoshta qeverisja në Serbi do të ndryshojë dhe do të ketë një qëndrim tjetër, ndoshta situata ndërkombëtare do të ndryshojë dhe do ta mundësojë njohjen e Kosovës. Por nuk mund të jemi të sigurt për këtë. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një qasje pragmatike, afatgjatë, me objektiva të qarta dhe të paluajtshme dhe të punojnë në nivele institucionale për t’i realizuar. Vetëm kështu mund të arrihet njohja e Kosovës dhe zgjidhja e çështjes kombëtare, sepse pa Kosovë nuk ka Shqipëri.
Xhemil Meço