Shqipëria të dalë nga marrëveshja e « Ballkanit të hapur »

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Ditët e fundit Serbia po kërcënon të sulmojë ushtarakisht Kosovën. Ka grumbullluar një numër të madh forcash ushtarake me mjete të rënda pranë kufirit verior të Kosovës dhe helikopterë të ushtrisë serbe fluturojnë pranë kufirit. Është kjo një situatë tepër e rrezikshme për Kosovën, situatë e cila mund të shkaktojë një konflikt të gjerë rajonal.

Ashtu sikurse në vitet ’90 « kasapi » i Ballkanit Sllobodan Millosheviçi dërgoi ushtrinë serbe në Kosovë gjoja për të mbrojtur popullsinë serbe, por në fakt për të kryer një spastrim etnik në shkallë të gjerë ndaj Shqiptarëve me pasojat e tmerrshme që sot i dimë, ashtu edhe sot Serbia kërcënon të dërgojë ushtrinë në Kosovë gjoja për të mbrojtur popullsinë serbe. Por nga çfarë duhen mbrojtur serbët e Kosovës? Nga vendosja e targave të Kosovës në makinat e tyre? Sepse askush nuk po i kërcënon ata. Vetëm po u kërkohet të respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës ku ata jetojnë.

Serbia reagon në një mënyrë të tillë, sepse nuk dëshiron funksionimin normal të shtetit të ri kosovar. Sepse Serbia ka në plan ta pushtojë sërish Kosovën dhe ta zbrazë atë nga Shqiptarët. Por kohët kanë ndryshuar dhe ëndrrat donkishoteske të Serbisë nuk mund të realizohen më. Shqiptarët janë sot më të fuqishëm se asnjëherë tjetër dhe kanë një përkrahje të gjerë ndërkombëtare. Nëse Serbia do të tentojë të hyjë në Kosovë me ushtri, që ka pak gjasa se serbët dinë të sulmojnë vetëm popullsitë e pambrojtura, por nëse ndodh, Serbia do të përballet me të gjithë Shqiptarët dhe me të gjithë botën demokratike. Dhe do të dështojë keq në planet e saj kolonialiste dhe ekspansioniste.

Megjithatë rajoni ndodhet në një situatë shumë të brishtë ku çdo gjë mund të ndodhë. Prandaj Shqiptarët, kudo që ndodhen, duhet të jenë të përgatitur dhe jo të flenë mbi dafina. Në radhë të parë, në situata të tilla është më se i domosdoshëm një unitet mbarëkombëtar. Shqiptarët kudo që ndodhen, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë etj. duhet të flasin me një zë dhe të veprojnë si një trup i vetëm. Nuk është më koha sot për politikë ditore. Jemi në një situatë prag lufte, dhe është koha që të mobilizohen të gjitha kapacitetet mbarëkombëtare për ta përballuar me faqe të bardhë këtë situatë.

Drejtuesit shqiptarë duhet të jenë bashkë dhe jo të ndarë. Duhet të kenë qëndrime dhe të zhvillojnë politika të përbashkëta dhe të bashkërenditura mbarëkombëtare, sidomos në raport me Serbinë.
Një çështje madhore që ndan sot politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë është ajo e « Ballkanit të hapur », e cila është kritikuar nga politikanët kosovarë dhe nga opozita shqiptare në Tiranë, por është përkrahur nga qeveria socialiste në pushtet. Është koha e duhur që qeveria shqiptare të ndalë përkrahjen për « Balllkanin e hapur » dhe Kuvendi i Shqipërisë të mos ratifikojë marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Maqedoninë në korrik 2021. Arsyet janë më se të qarta.

Në radhë të parë Serbia nuk ka ndërmend ta njohë shtetin e Kosovës dhe këtë e tregoi edhe me dërgimin e ushtrisë në kufirin e Kosovës sapo kjo e fundit ushtroi sovranitetin e saj në territorin e saj për vendosjen e targave të makinave.

Duke dërguar ushtrinë në kufi me Kosovën Serbia i ka shkelur me të dyja këmbët parimet bazë të marrëveshjes së « Ballkanit të hapur » që duhet të sillte lirinë e lëvizjes. Por nuk mund të ketë liri lëvizje nën grykat e tankeve serbe.

Marrëveshjet për hapjen e kufijve kanë si kusht themelor besimin e ndërsjellë midis vendeve. Kur ky besim nuk ekziston, kufijtë nuk mund të hapen. Sot besimi midis Serbëve dhe Shqiptarëve është afër nivelit zero, prandaj çdo marrëveshje e tillë është e papranueshme dhe utopike.

Sot duket qartë se kryeministri Rama u gabua me nënshkrimin e « Ballkanit të hapur ». Gabimet janë njerëzore dhe ato mund të korrigjohen. Është koha që Shqipëria të tërhiqet nga marrëveshja e « Ballkanit të hapur » dhe të vendosë të tjera marrëdhënie, më realiste, me Serbinë.

Natyrisht që marrëdhëniet ndërshqiptare duhen forcuar dhe përshtatur me rrethanat e reja të krijuara. Shqiptarët sot, si rrallëherë në histori, kanë shansin e madh që ta zgjidhin çështjen e tyre kombëtare dhe të hyjnë me ballin lart në radhën e kombeve në vendin që iu takon. Prandaj nuk duhet ta humbasin këtë rast, që do të thoshte për ta tragjedi të reja, por duhet ta shfrytëzojnë atë për të krijuar një ardhme të sigurt dhe të begatë për fëmijtë e tyre, për vendin e tyre.

Xhemil Meço

 

Author

Back to Top