« Këshillimi Kombëtar », një truk për të justifikuar « Ballkanin e hapur »

Aktualiteti Comments Off

Kryeministri në detyrë i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar zhvillimin e një të ashtuquajturi « këshillim kombëtar » qëllimi i të cilit do të ishte marrja e mendimit të shqiptarëve për çështje të ndryshme, një nga të cilat është ajo e « Ballkanit të hapur ». Bëhet fjalë, në fakt, për një sondazh masiv të kontrolluar kryekëput nga qeveria dhe pa asnjë verifikim nga insitucione apo organizma të tjera. Ky « këshillim » vjen në traditën e demagogjisë komuniste gjoja « për të marrë mendim nga populli », por edhe të zakonit të Edi Ramës për të shmangur institucionet dhe metodat demokratike për të realizuar qëllimet e tij. Dhe në këtë rast qëllimi është i qartë: me anë të këtij sondazhi qeveritar, të kontrolluar plotësisht nga qeveria, synohet që të justifikohen politikat e ndjekura nga kryeministri Rama, dhe kryesisht nënshkrimi i marrëveshjes së « Ballkanit të hapur » me Serbinë.
Marrëveshja e « Ballkanit të hapur » është një iniciativë personale e kryeministrit Rama, e pakonsultuar me askënd, as me opozitën dhe as me insitucione të tjera. Kjo marrëveshje ka gjetur një kundërshtim të fortë tek Shqiptarët të cilët nuk e dëshirojnë atë, për shkaqe historike, ekonomike por edhe vizioni për të ardhmen. Por sidomos për shkak të mosbesimit ndaj Serbisë, e cila jo më larg se dy dekada më parë masakroi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe u përpoq të kryente një spastrim etnik ndaj Shqiptarëve. Dhjetorin e kaluar, në Tiranë me thirrjen e opozitës u zhvillua një manifestim i madh, me pjesëmarrjen e mijëra protestuesve, pikërisht kundër marrëveshjes së « Ballkanit të hapur ».
Duke parë kundërshtimin e shqiptarëve për « Ballkanin e hapur », por edhe mungesën e legjitimitetit të tij në pushtet pas zgjedhjeve të tjetërsuara të 25 prillit 2021, kryeministri Edi Rama po përpiqet me anë të këtij « këshillimi » të legjitimojë marrëveshjen e « Ballkanit të hapur », duke e paraqitur si diçka që « kërkohet nga populli »
Por a ka ndonjë vlerë ky « këshillim » ? Në të vërtetë jo, sepse kontrollohet plotësisht nga një qeveri tek e cila shqiptarët nuk kanë as besimin më të vogël, dhe jo pa arësye. Askush nuk mund të besojë se rezultati që do të shpallet do të jetë i vërtetë. Ky « këshillim » nuk ka asnjë vlerë, as juridike dhe as politike. Nuk ka më shumë vlerë se gjoja iniciativat që vinin nga mbledhjet e masave punëtore apo kooperativiste në kohën e diktaturës komuniste.
Megjithatë kjo nuk do ta pengojë kreyministrin Rama të justifkojë nënshkrimin e marrëveshjes së « Ballkanit të hapur » me këtë sondazh qeveritar. Prandaj ky « këshillim » thjesht duhet konsideruar si një tjetër element i propagandës së kryeministrit Rama, i cili vazhdon përpjekjet e tij për rrënimin e demokracisë në Shqipëri dhe vendosjen e një diktature neo-komuniste.
Shqiptarët nuk dëshirojnë të futen në të ashtuquajturin « Ballkan i hapur » i cili është një krijesë e Serbisë. Shqiptarët dëshirojnë gjithashtu që vendi i tyre të vazhdojë në rrugën e demokracisë. Për të arritur këtë, ajo që ka rëndësi sot është ndërtimi i një opozite të fuqishme demokratike e cila do të mund ta mbajë Shqipërinë në binarët e demokracisë dhe do të mbrojë interesat kombëtare shqiptare. Zgjedhjet e pjesshme lokale, megjithë pengesat e shumta nga pushteti aktual, do të jenë një mundësi e parë në këtë drejtim. Në këto zgjedhje Shqiptarët duhet të votojnë për kandidatët e opozitës për të larguar rrezikun e një diktature të re hija e së cilës sillet mbi Shqipëri, dhe për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt një të ardhme më të mirë, demokratike, kombëtare dhe të begatë.

Xhemil Meço

 

Author

Back to Top