Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit
Historia, Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", Kosova 12 Qershor, 2022, Comments OffNë jetën e popujve, ka disa data me shenjë, që dallohen prej të tjerave, sepse i hapin udhën një periudhe të re historie : e tillë është për ne Shqiptarët data që shënon Lidhjen e Prizrenit. Për t’a kuptuar në mënyrë të qartë rëndësinë e saj, duhet të përfshijmë në një shikim të vetëm dy pjesë të historisë së Shqiptarëve : atë që ngjitet nëpër vijën e kohës gjer në shekullin e XV-të dhe atë që zbret drejt 1912-ës e gjer në ditët tona. Atëhere do të shohim se Lidhja e Prizrenit del si një nyje që ndan e lidh dy epoka në jetën tonë kombëtare.
Duke lënë mënjanë historinë e vjetër, Shqipëria ka qënë një njësi etnike e gjeografike në Kohën e Mesme, qyshse, në të XIII-tin shekull, Charles I d’Anjou ngrehu një Mbretëri të Shqipërisë (Regnum Albaniae), e cila ra më vonë në duart e Thopiasve. Veçse, n’ato kohë të feudalizmit, megjithë gjallërinë ushtarake dhe kolonizuese që tregon elementi Shqiptar në Ballkan, duke u shkapërderdhur përtej kufijve etnikë, sidomos me Balshajt, në Veri, dhe me Shpatajt, në Jugë, duke kolonizuar vende të Greqisë gjer në Atikë, në More e në ishujt e Egjeut, s’mund të flitet për një Shtet Shqiptar të bashkuar. Bashkimi politik u mungonte atëhere edhe shumë kombeve që kishin pasur tradita të vjetra politike e shtetërore. Vetëm ndënë grushtin e Skënderbeut, Shqiptarët bënë një bashkim kombëtar, i cili u mbajt për aq kohë sa jetoi burri i Krujës. Pastaj u këput ; hynë në mes sundimi i huaj dhe anarkia, dhe çdo krahinë ndoqi fatin e saj.
Gjatë katërqind vjetëve ndënë Perandorinë Otomane, u duk sikur Shqiptarët e patën humbur, jo vetëm idenë e një Shteti Shqiptar, por edhe vetëdijen e kombësisë.
Shqiptarët, aq të shquar për iniciativë individuale sa i kanë dhënë botës pa kursim nga më të mëdhenjtë ushtarakë, udhëheqës e themelues shtetesh, në truallin e tyre s’kanë mundur të ngrehin diçka të lidhur, të qëndrueshme, të fortë. Natyrisht, kjo nuk është një e metë rrace : ka shpjegimin e saj në faktorët historiko-gjeografikë që kanë penguar bashkimin dhe forcimin e një njësie Shqiptare si komb e shtet ; që kanë sjellë ndasira fesh, krahinash, interesash ; që kanë penguar zhvillimin e një kulture kombëtare të lartë, dhe dobësuar besimin në mëkëmbjen e Shqipërisë si Shtet më vehte.
Ky është shkaku që Shqiptarët, gjer nga gjysma e shekullit të XIX-të, paraqiten si një popull pa qëllime, pa drejtim, dhe sidomos pa një ide qëndrore Shqiptare. Edhe kur e pruri rasti që Shqipëria, nga mbarimi i shekullit të XVIII-të dhe në fillim të të XIX-tit, të bjerë tërësisht në duar të Shqiptarëve, me Ali Tepelenën në Jugë dhe me Bushatllinjtë në Veri, nuk u ngreh dot si shtet më vehte. Dhe kjo jo nga mungesa e forcës (sepse atëhere dy pashallarët Shqiptarë tundnin Perandorinë), por sepse asnjëri prej tyre s’mundi të dalë prej kuptimit të principatës personale në idenë e një Shqipërie – Shtet më vehte.
Lidhja e Prizrenit hodhi idenë e bashkimit Shqiptar, përmbi ndarjet fetare e krahinore, përmbi aventurat personale. Këtu qëndron rëndësia historike e saj.
Shekulli i XIX-të karakterizohet nga zgjimi i kombësivet, për popujt e Evropës së Jugë-Lindjes. Eshtë fryma patriotike ajo që zotëron ndjenjën, veprimtaritë, artet dhe letërsitë e tyre në atë kohë. Lëvizjet për autonomi, kryengritjet për pavarësi kombëtare ziejnë e pëlcasin ngado. Në Ballkan është bërë kryengritja greke. Popuj të tjerë kanë fituar autonominë. Natyrisht, kjo erë e nxehtë ndjenjash dhe luftrash nacionaliste s’mund të mos kalonte edhe mbi popullin Shqiptar. Disa nga bijt e shpërndarë të tij ishin prekur prej saj dhe kishin filluar të shkruajnë e të flasin. Por, në Shqipëri brenda, pritej ndonjë tundje e fortë për t’a zgjuar kombin nga e mpita e shekujve.
Dhe tundja erdhi më 1878. Rusia, ngadhënjyese mbi Turqinë, e shtrëngoi këtë të nënshkruajë Traktatin e Shën Stefanit, në Mars 1878, i cili krijonte një Bullgari të madhe, dhe zgjeronte Serbinë e Malin e Zi, tre shtetet e mbrojtur të Rusisë në Ballkan. Zgjerimi i tyre bëhej sidomos mbi toka Shqiptare.
Traktati i Shën Stefanit, që forconte tepër pozitën e Rusisë në Ballkan dhe mbi ngushticat, prekte, natyrisht, interesat e të tjera fuqive të mëdha. Prandaj, për t’a rishikuar, u bë një mbledhje e të Mëdhenjve në Berlin, në Qershor 1878, e cila u quajt Kongres i Berlinit. Megjithëse aty u prishën disa pjesë të Traktatit, sidomos plani i një Bullgarie të madhe, prapë se prapë Serbisë dhe Malit të Zi iu njiheshin tokat Shqiptare. Jo vetëm kaq, por u lëshua edhe Greqia për të kërkuar Epirin gjer në lumin Kallama.
Këto ngjarje u hapën sytë Shqiptarëve, të cilët vrapuan t’i dalin përpara rrezikut. Dhe vepruan ashtu siç duhej. U dyndën nga të katër anët e Shqipërisë dhe dërguan në Prizren delegatët e tyre, të cilët formuan të famshmen Lidhje të Prizrenit, në Qershor 1878. Eshtë e para herë, pas vdekjes së Skënderbeut, që Shqiptarët çohen peshë të gjithë bashkë si komb, për t’u mbrojtur si komb. Këtu nuk është fjala për luftë krahinash, që kishin zakonisht për qëllim mos-pagimin e taksave a mosvajtjen ushtarë. Nuk është fjala as për luftë personash ambiciozë, që kërkonin të bëheshin pasha a vezir. Këtu lëviz i tërë kombi, për t’u mbrojtur prej coptimit, prej vdekjes.
Lëvizja e Prizrenit nuk u kufizua në diskutime e fjalë boshe, por mori masat më energjike për mbrojtjen e Vendit. Jo vetëm këtë, por qe edhe e zonja t’i zbatojë, për aq sa lejonin kushtet dhe gjendja e atëherëshme. Përveç protestave që i drejtoi Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha, Lidhja e Prizrenit ia hyri menjëherë organizimit për një qëndresë me armë, ajo që është mjeti më i sigurtë i shpëtimit.
Në përshtatje me gjeografinë dhe me ndarjen administrative të Vendit, Lidhja e Prizrenit organizoi degët e saj gjer në qendrat më të vogla të Shqipërisë, me dy krye-degë të mëdha, njëra në Prizren dhe tjetra në Gjirokastër, duke pasur si pikëpjekje Elbasanin. Mori edhe masat ushtarake për qëndresën me armë. Kështu që, kur Mali i Zi u lëshua për të pushtuar tokat që i qenë njohur nga Kongresi, u ndotd përpara forcave Shqiptare, të komanduara nga Ali Pashë Gucia, dhe u shtrëngua të zbrapset. Në Jugë, me thirrjen e Abdyl Frashërit, frymëzonjës i Lidhjes, u mblodh përnjëherësh një fuqi e armatosur prej më se 30.000 burrash dhe iu mvesh kufirit, për të mbajtur Grekët në cak të tyre.
Qëndresa me armë e Shqiptarëve, jo vetëm që e vuri çështjen e Shqipërisë si një problem ndërkombëtar, por shtrëngoi edhe Kongresin t’a ndryshojë disa herë vijën e tokave që i njihte Malit të Zi. Gjersa më në fund, Fuqitë e Mëdha u detyruan të dërgojnë njësi të flotës së tyre përpara Ulqinit, në Shtator 1880, për t’i bërë Shqiptarët të përkulen.
Lidhja e Prizrenit u muar me të tërë problemin Shqiptar në përgjithësi, dhe jo vetëm me mbrojtjen e kufijve. Ajo hodhi programin e një Shqipërie të bashkuar dhe autonome. Kërkoi bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një vilajet të vetëm, shkolla Shqipe, administratën me nënëpunës të vendit, dhe mëkëmbjen e një ushtërie Shqiptare prej 200.000 vetësh, që do të shërbente vetëm në Shqipëri. Kjo ish autonomia në kuadrin e Perandorisë, që do të përgatiste bazat, shpirtin dhe strukturën e një Shteti Shqiptar të pavarur, për në të ardhmen. Kjo ish rruga nëpër të cilën janë ngjitur edhe popuj të tjerë drejt pavarësisë, si për shembull, Serbia, Rumania, Bullgaria.
Lidhja e Prizrenit s’ia arriti dot plotësisht qëllimit, as që e zbatoi dot programin. Një pjesë të tokave Shqiptare e rrëmbyen fqinjët. Autonomia s’u arrit. Sepse pengesat dhe forcat e kundërta ishin të shumta. Fuqitë e Mëdha, jo vetëm që s’i përkrahën kërkesat e Lidhjes, por dërguan edhe flotën për të thyer qëndresën e Shqiptarëve. Porta e Lartë, që e pat shikuar me sy të mirë Lëvizjen e Shqiptarëve kur lufta e këtyre i jepte dorë kundër armiqve të saj që i qenë rrasur gjer tek portat e Stambollit, u kthye t’a shtypë kur pa se mori thellë dhe u vu në udhën e autonomisë. Krerët e Lëvizjes u kapën dhe u burgosën, degët e saj u shthurën, elementët e saj u ndoqën në të gjitha anët e Shqipërisë. Por shkundja që i dha popullit Shqiptar Lidhja e Prizrenit, ish i tërë roli historik i saj. Ideja KOMB u vu përmbi ndarjet fetare e krahinore, në veri e në jugë, në Kosovë e në Epir. Dhe, jo vetëm që u vu si ideal, por u mbrojt edhe me gjak. Prandaj ajo e bëri punën e saj ; ose, siç tha Abdyl Frashëri, “fara u mbuall”.
Pas Lidhjes së Prizrenit, historia e Shqiptarëve hyn në një fazë të re. Në planin ndërkombëtar, problemi i Shqipërisë vihet si një pjesë e pandarë me “Çështjen e Orientit”. Në jetën e brendëshme, zhvillohet ajo që quajmë “Rilindja Kombëtare”. Shqiptarët e muarën vesh tani që, po të duanë të rrojnë si komb, duhet të formojnë shpirtin e kombësisë. Edhe iu vunë punës. Pasi brenda në atdhe ish i ndaluar mësimi i Shqipes dhe çdo lëvizje patriotike, roli udhëheqës në zgjimin kombëtar u binte Shqiptarëve të jashtëm. Tek Arbëreshët e Italisë kish nisur kaherë punimi i gjuhës dhe i letrave Shqipe, me De Radën dhe Camarden. Më 1879, kur Lidhja e Prizrenit ish në veprim e sipër, që formuar “Shoqëria e Stambollit” prej Sami Frashërit, Jani Vretos dhe Vaso Pashës, për punimin e gjuhës. Më vonë nisën të botohen radhë radhë libra, gazeta, të përkohëshme, nga klube e shoqëri të ndryshme, në Bukuresht, në Sofje, në Kajro, në Bruksel, dhe më në fund në Amerikë, të cilat gjenin mënyrën sesi të hynin dhe të qarkullonin në të katër anët e Shqipërisë. Në Atdhe, dëshira për të mësuar Shqipen vinte duke u shtuar dita-ditës. Nisi të lulëzojë një literaturë patriotike, e cila u ngrit lart sidomos me Naimin dhe Fishtën.
Krahas me zhvillimin e letrave dhe të ndjenjës atdhe-dashëse vinin dhe lëvizjet me armë. Dilnin çetat maleve me Çerçis Topullin dhe Mihal Gramenon. Bëhej kryengritja e Malësisë së Shkodrës, pëlciste kryengritja e Kosovës. U arrit në Flamurin e Vlorës.
Në historinë e re të Shqipërisë, Lidhja e Prizrenit hodhi kushtrimin e parë për bashkimin e Shqiptarëve rreth idesë KOMB, rreth truallit ATDHE. Aty zuri fill lëvizja për rilindjen kombëtare, për lirinë e Shqiptarëve, për ngritjen e Shqipërisë në Shtet më vehte. Dhe atë ide e atë rrymë ndjekin edhe sot e kësaj dite patriotët e vërtetë, ata që duanë t’a bëjnë Shqipërinë të Shqiptarëve.
Por bota s’ka ndryshuar. Imperializmat e tanishëm janë më të fortë e më të ashpër nga ata të kohës së kaluar. Dhe tradhëtarët e brendëshëm janë më të fshehtë, më dinakë, më të pabesë nga ata të dikurshmit. Ata të vjetrit e shfaqnin sheshit për cilin ishin. Këta të sotmit derdhin lotë krokodili për “hallet e Shqipërisë”, dhe, të fshehur prapa fjalësh patriotike – si kunadhja me pendë këndezi – mundohen t’a marrin kalanë nga brenda, për hesap të këtij apo të atij padroni të huaj. Këtë provë e kemi parë me sytë tanë dje, dhe po e shohim sot.
Shqiptarë ! Mos luftoni për hesap të të huajve dhe për të zgjedhur se kujt t’i dorëzoni çelsat e Shqipërisë. Mundohuni t’i dalloni interesat tuaja nga ato të imperializmave, dhe luftoni vetëm për vehten tuaj, për lirinë tuaj. Të mos përsëriten edhe një herë ato kohë kur lufta bëhej midis Greqisë dhe Perandorisë turke, dhe kokat që thyheshin nga të dy anët ishin të Shqiptarëve….
Shqiptarë ! S’ka ditë të bardhë as dritë gëzimi për ju gjersa të mos siguroni kushtet e zhvillimit të lirë të jetës suaj, të mundësive tuaja lëndore e shpirtërore ; gjersa të mos siguroni pavarësinë kombëtare dhe liritë demokratike, duke i mbyllur rrugën lodrës së klikave të brendëshme, që s’ju ka sjelle veçse vëlla-vrasjen, shtypjen, zinë e bukës, tiraninë. Dhe këto s’mund t’i siguroni gjersa ju, në politikë, të mos dini t’i matni vlerat e njerëzve në bazë të një morali shoqëror dhe kombëtar ; gjersa ju të mos dini të ndani atdhetarët nga tradhëtarët, të drejtët nga hileqarët, barinë nga ujku, grurin nga egjra. Dhe nguleni në mendje njëhere e përgjithëmonë që vetëm në vehten tuaj, në bashkimin, në mirëkuptimin tuaj, qëndron shpëtimi i juaj.
Prof. Abas Ermennji
Marrë nga gazeta “FLAMURI”, gusht 1953