Qarkorja e partisë komuniste që urdhëroi hapjen e Luftës Civile

Historia, Lufta 1939-1944 Comments Off

Qarkorja e mëposhtëme e Komitetit Qendror të partisë komuniste shqiptare u është dërguar komiteteve qarkore më 9 shtator 1943, vetëm 5 ditë pas konferencës së dytë të KQ të PKSH të mbajtur në Labinot më 4 shtator, ku nën shtytjen e emisarit jugosllav Vukmanoviç-Tempo u vendos prishja e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpallja e Luftës Civile.
Në këtë qarkore shihet qartë se qëllimi i komunistëve ishte marrja e fuqisë. Shihet qartë se ishin komunistët që vendosën hapjen e luftës kundër Ballit Kombëtar dhe të Luftës Civile me të vetmin qëllim për të marrë të vetëm pushtetin.
Ky dokument tregon qartë se akuzat e mëvonshme ndaj Ballit Kombëtar ishin të sajuara kryekëput nga partia komuniste, si pjesë e planit të saj për të marrë fuqinë e vetme. Është interesante të shikosh se akuzat e mëvonshme ndaj Ballit për bashkëpunim me Gjermanët përputhen tërësisht me planin komunist dhe burojnë nga direktivat e dhëna në këtë qarkore, e cila u dërgua në një moment kur trupat gjermane ende nuk kishin arritur plotësisht në Shqipëri.
Një tjetër informacion me rëndësi që vërteton kjo qarkore është se Aleatët përkrahnin Ballin Kombëtar, gjë të cilës komunistët i druheshin, sepse e shikonin si pengesë për të marrë pushtetin të vetëm dhe për të realizuar revolucionin e tyre komunist.

Kjo qarkore tregon qartë edhe demagogjinë komuniste për luftën për bashkimin kombëtar që gjoja e bënte Lëvizja Nacional-çlirimtare, por që historia tregoi se në të vërtetë ishte vetëm një gënjeshtër për të tërhequr popullin në radhët e saj.


Por më mirë ftojmë lexuesin ta shikojë vetë këtë qarkore dhe të nxjerrë përfundimet e tij:

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare gjithë Komiteteve Qarkorë të Partisë

9-9-1943 ora 22

(Shkresa mbasi fillon me nji lavdërim të posaçëm për Ushtrin’ e Kuqe lavdi-plote, e cila, e udhëhequn prej Partisë bolshevike të U.R.S.S.-it po pregatit lirimin e shpejtë të popujve të robnuem, vazhdon me këto pika kryesore )

Nji nga shkaqet kryesore qi detyruen rrëzimin e qeverisë së Badoglios asht zhvillimi i lëvizjes së Popullit Italjan, grevat madhështore të puntorve (proletariatit) të Veriut të drejtueme prej Partisë Komuniste Italjane heroike dhe nga Partit e tjera përparim dashëse. Shenojmë se Radio Londra nuk përmend fare Partinë Komuniste Italjane, ç’ka është karakteristike, por Partinë socialiste italjane si udhëheqëse të kësaj lëvizjeje, ashtu si bënë për Partinë Socialiste Poloneze dhe për të tjera Partira përparim-dashëse, “socialë-demokrate”,, “agrare” etj. Si , injeksion i jashtëm për të krijuar edhe në vende të tjera partira të këtij tipi, me qëllim që të përçajë forcat popullore në luftën e tyre çlirimtare dhe për t’ i shmangur nga objektivi i luftës së tyre. Në këtë mënyrë rrëzimi i Hitlerit dhe i Mussolinit të mos ketë konseguenca të rënda për reaksionarët dhe kapitalistat e Londrës dhe të New-Yorkut duke shkakëtuar shpërndarjen e proletariatit në radhë të parë dhe të forcave popullore, dhe të ngjallë mos besim në turmat ; Po në këtë mënyrë kanë vepruar edhe në luftën e parë me Partinë Social-Demokrate, Social-Shoveniste të kryesueme prej Kautsky, Scheiderman, Tserotelli, Cernav, Legin, etj. (Por Partitë komuniste e kanë eksperiencën e luftës së parë dhe do të dijnë të orientohen në këtë situatë).

Mbas dorëzimit pa kushte të Italisë ësht krijuar një situatë e re jo vetëm në Itali por edhe tek ne. Gjermanët mundohen me marrë krejt fuqinë në dorë dhe kështu të okupojnë Shqipërin’ e okupuar. Në një situatë të këtillë paraqitet kundërshtimi në mes t’ushtarve Italjanë dhe Gjermanë. Ndërsa qëndrimi i ynë tashti po ndryshon në mes të ushtrisë Italjane të cilën ne tani e shohim me sy tjetër, duhet të qëndrojmë në shfrytëzimin e kundërshtimeve të cilat po paraqiten dita-ditës më thellë.

… Në vetë qeverinë Engleze ka elementa reaksionarë të cilët duen të vendosin elementat reaksionarë në vendet e shtypuna. Tash për këto arësye, janë formue dhe tentojnë të formojnë qeverira reaksionare në Londër të vendeve të shtypur mbas rënies së Hiterit. Po këto rrethe që e kishin prurë Hiterin dhe Mussolinin në fuqi, përpiqen për me e ndrue rrymën e luftës së sotme kundra Hiterit dhe Mussolinit në drejtimin e gjoja të nji veprimi të ri që d.m.th. një Versaies e re. Në këtë mënyrë ata kanë krijue qeverina reaksionare në Londër të popujve të shtypur me pretensionin se ato qeverira përfaqësojnë këta popuj por që në të vërtetën nuk janë veçse rreguat e këtij reaksioni, për të shtypur lëvizjen Nacional-Çlirimtare të këtyre popujve.
Nuk përjashtohet mundësija e formimit të nji qeverije të tillë Shqiptare në Londër ose të ndihmojë për t’a krijuar në vend, prandaj shokëve u drejtohemi që në një rast të tillë të dijnë me marrë qëndrim të caktuar.
Zbarkimi i Aleatëve në Ballkan ose edhe në Shqipni nuk asht nji prospektiv shum i largët. Prandaj organizatat t’ona duhet të punojnë për të përballuar si situatë të tillë. Duhet që në rastin e zbarkimit të Aleatëve këshillat Nacional-Çlirimtare te jenë me të vërtetë pushteti i popullit, të mobilizojnë gjithë popullin rreth tyre dhe të mos lejojnë forca të tjera si Balli Kombëtar që të kenë një influencë në popull. Duhet që ushtrija nacional çlirimtare të jetë shum e fortë, të ketë gjithë popullin nga mbrapa dhe të mos lejojë që të ketë grumbullime të tjera ushtarake kundërshtare të sajë si p.sh. të Ballit Kombëtar. Duhet të dini se fuqitë Aleate të zbarkimit do të përkrahin të gjitha forcat Shqiptare dhe do të gjejnë përpara pa preferencë për ato të lëvizjes Nacional- Clirimtare dhe bile, po të marrim parasysh çështjen e Darlanit, me preferencë për ato reaksionarët. Që të mund të evitohet një gjë e tillë fuqitë Nacional- Çlirimtare duhet të fillojnë t’impozohen që tani kudo dhe në rastin e zbarkimit t’u paraqiten Aleatëve ku me anën e këshillave Nacional-Çlirimtare si i vetmi pushtet i popullit shqiptar. Aleatët duhet të jenë në Shqipëri vetëm me ushtrin’ e tyre për të thyer Gjermaninë me klyshët e sajë, por qeverimi i Shqipërisë duhet të jetë plotësisht në duart e Nacional Clirimtarëve dhe këtë gjë Aleatët duhet t’a njohin. Prandaj pra qysh sot të gjitha organizatat me të gjitha forcat e tyre duhet të punojnë në këtë drejtim.

“Ju e dini se marrëveshja e arrijtur me Ballin Kombëtar, me krijimin e Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë ka qenë në dëm të lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe të Partisë s’onë dhe si e tillë ësht dizaprovuar nga Komiteti Qendror. Mbi këtë gjë, ju kemi vënë me kohë në dijeni. Kjo marrëveshje na ka futur në pozita të vështira. Në momentin kur Balli duhesh vue me shpatullat në mur për aktivitetin e tij në favor të fashizmit okupator, në momentin kur Balli duhesh paraqitë para popullit Shqiptar si nji Organizatë përçarëse që saboton sistematikisht të gjitha projektet t’ona, neve i dhamë në dorë kartën e marrëveshjes, e një marrëveshjeje siç donte ai për me intrigue më mire në popull. Ishte momenti për të shpejtue diferencimin në rradhët e Ballit, për me u nda populli nga Balli, për me e nda elementin e ndershëm që kish shkuar viktimë nga krerët reaksionarë, nga rruga oportuniste antipopullore e antipatrike e politikës së Ballit. Me këtë marrëveshje neve lejuam që Balli të lidhet më ngushtë me elementët që i bënin presion brenda radhëve të tij për një marrëveshje me neve ; lejuam që Balli t’i shtrëngojë dhe t’i forcojë rradhët e tija e të mbahet akoma i lidhur mirë me turmat, që të gënjyera prej tij dhe të paskjarueme politikisht vazhdojnë t’a ndjekin.

Qëndrimi i ynë karshi Ballit duhet të jetë i rreptë dhe i drejtë. Duhet të demaskohet pa mëshirë politika aportuniste e tij, të luftohet fushata e tij demagogjike për bashkim dhe të spjegohet mirë se për bashkimin e vërtetë të popullit Shqiptar ka punuar me të tëra forcat e saja vetëm lëvizja Nacional- çlirimtare ; se bashkimi ësht një gjë që i intereson më tepër se kujdo atyre që janë për luftën e lirinë e popullit, se bashkimi nuk mund të bëhet ku njëri shkon në një rrugë dhe tjetri në rrugën e kundërt.”

Me anën e nji demaskimi të squet e të një pune të palodhëshme me Ballin në popull, me ja shkëputë popullin dhe me e lidhë me neve, me shkaktue divergjenca në rradhët e Ballit, me krijue situata të përshtatëshme për të shkaktue dhe shpejtue diferencimin në rradhët e Ballit dhe me i ra kresë me squetësi dhe në mënyrë gjithmonë ma vendimtare krenëve reaksionarë të tij ; me e paraqitë mirë në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar vllavrasjeje, me e ba qi populli t’a shofi se politika e Ballit do të na çojë në përpjekje me armë, me e ba qi populli i gjithë të revoltohet për këtë gja dhe kështu përgjegjësit historike të mos bashkimit të popullit Shqiptar dhe të përpjekjes, me armë të bienë, siç ësht e vërteta, dhe kjo gjë të jetë e qartë për të gjithë në Shqipëri, përmbi Ballin Kombëtar; të pregatisim, të tërë ata të Nacional-Çlirimtares, të pregatisim popullin në një përpjekje me Ballin ; Balli po e pregatit atë perpjekje që nuk duhet të na gjejë me duar lidhur ; nuk duhet në asnjë mënyrë t’i lejojmë Ballit të pregatitet dhe të na godasi në kondita më të favorëshme për atë, duhet t’a vemë me shpatullat në mur dhe t’a shtrëngojmë që t’i qesi sheshit kartat e tij dhe kështu të mund t’a godisim neve kur të jetë më e favorëshme për ne, kur t’a ketë kuptuar populli vendin e tij dhe kur të bashkohet me ne kundra tij.”

“Si merret fuqija. Situata na shtrëngon që të veprojmë, por që të veprojmë duhet të jemi të pregatitur sidomos ushtarakisht. Organizimi dhe forcimi i njisive në qytete shtrohet sot si një problem urgjent dhe me shumë rëndësi. Njësitë duhet të jenë të pajosura mirë me revolvera dhe me bomba dore dhe mundësisht me pushkë automatike (me ba ç’mos me ble dhe me u marrë Italjanëve me çdo mjet dhe me pare këto armë, dhe mos me pritë asnji ditë që të na i dërgojnë të tjerët) ; njisitë me u vue nën komandën e njerit nga shokët më të mirë, më të zotin dhe më të përshtatshmin e Partisë. Me studjue mënyrat e sulmit të qendrave më me rëndësi të qytetit dhe veçanërisht t’atyre ku ka armë… Me pasë kurdoherë parasysh që në raste sulmi kundra qyteteve nga ana e jonë, të kombinohen veprimet e guerilave të brendëshme me ato të çetave. Mos të harrohet rëndësija e dokumentave në zyrat sekrete t’armikut, të cilat duhet të bijen në duart t’ona. Gjithë organizatat e Partisë tash duhet të jenë të mobilizuara për çdo eveniment dhe të jenë gati për të përballuar çdo të papritur. Celulat e Partisë do të jenë motori i cili do të verë në lëvizje tërë popullin e qyteteve e të katundeve, duhet të spastrohen nga gjithë elementat që nuk do t’i kryejnë detyrat me kaq rëndësi. T’u thuhet shokëve të Partisë se sot ësht koha që ata të tregohen me të vërtetë prisat e sigurtë dhe guximtarë të popullit dhë të kuptojnë momentin vendimtar drejt marrjes së pushtetit. Celulat të jenë motori i grupeve simpatizantash dhe miqsh të Partisë, të cilëve t’u thohet se sot duhet të japin çdo gjë për çlirimin e Atdheut dhe naltësimin e forcimin e Partisë Komuniste. Teknika e Partisë duhet të jetë e mobilizuar dhe të punojë dit` e natë për të skjaruar popullin me trakte e proklamata për situatat e ndryshme që krijohen dhe evenimentet që rrukullisen duke i treguar kurdoherë rrugën që duhet të ndjeki. Në çdo moment duhet të mbani qëndrimin politik të kjartë në bazë të direktivave të Komitetit Qendror. Me mobilizimin e gjithë organizatës duhet të lidhni mobilizimin dhe pregatitjen e popullit për kryengritjen e përgjithëshme.

V.O. Këto direktiva, pa qenë nevoja që të këndohen, duhet të punohen në të gjitha celulat e Partisë dhe, në bazë të këtyre direktivave t’ u jepen udhëzime gjithë organizatave të Partisë deri në grupe simpatizantash. Veçanërisht të punohen në të gjitha celulat e çetave dhe katundeve të qarkut t’uaj.”

Author

Back to Top