Një barbarizëm pa shembëll që ngjeth mishtë ! (vazhdim)
Lufta civile 30 Tetor, 2022, Comments Off
Me këtë titull Balli Kombëtar, me 26 Tetuer 1943 nxuer nji trakt me anën e të cilit vehej në dijeni populli se Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci, qi të dy Ballista të njohun në të gjithë prefekturën e Korçës, u vranë barbarisht në Mëlçan prej nji çete komuniste të kryesueme prej Agush Gjergjevicës. Trupat e tyne u gjetën të sakatuem : pa sy, pa veshë, pa hundë, pa dhambë, me krahët dhe gjunjët e thyem dhe me organet seksuale të preme.
Katër ditë ma parë, me të njëjtin titull Partia Komuniste nxuer edhe ajo nji trakt, me anën e të cilit pretendon me iu përgjegjë akuzave të Ballit. Partija Komuniste në këtë rast bahet si ngjalë, me çdo mënyrë ajo mundohet me rrëshqitë prej duerve : problemi si do qi të shtrohet, fakti nuk mbulohet dot. Në traktin e vet, të kuqtë ngatërrojnë punën me fashista, me nazista, me Gestapo, me Tempo, me Signale, me Hitlerin, me Mussolinin, me shtypin e 1917- ës, me të Kuqt e Spajës, me qenllëqe, me kalemxhij, me Mehdi benë, e me të tjera fjalë qi kush i kendon, harron punën e vëllazënve Behxhet dhe Xhevdet Bulgareci dhe trulloset fare.
Populli i jonë këto dokrra nuk i han ma ! Na të Ballit themi se Behxhet dhe Xhevdet Bulgareci u masakruen barbarisht ma keq se në kohën e Gjengjis Kanit, prej çetës partizane të kryesueme prej Agush Gjergjevicës. Ju të Partisë Komuniste na përgjigjeni tue na sha. Shamja nuk formon argument. Vetëm ata qi nuk kanë fakte, prova dhe argumenta, shajnë. Në të tillë gjendje jeni edhe ju.
Para se me ardhë përsëri në themë, duem edhe na t’i përgjegjemi këtyne pikave qi na duket se vlejnë të përmenden.
1) Ju doni me dijtë emnin e kalemxhiut qi mshifet mbrapa tabllosë së Ballit Kombëtar. Emni i tij asht Balli Kombëtar. Po emni i kalemxhiut qi mshifet mbrapa tabllos së Partisë Komuniste, cili asht ? Gjithë bota e din ; emni i tij asht… gënjeshtar dhe mashtrues !
2) Ju thoni se Agush Gjergjevica asht nasionalist i njoftun. Ne dijmë se Agush Gjergjevica asht kryetar i nji çete komuniste; si ai ashtu edhe të gjithë pjestarët e çetës së tij si shejë dalluese mbajnë yllin e kuq sovjetik.
3) Ju thoni se Behxhet dhe Xhevdet Bulgareci kanë qenë spiunë t’Italianve. Kjo gja nuk asht e vërtetë , asht rrenë me bisht dhe ju e dini fort mirë sepse nuk jeni si na qi s’e kemi mësue ende mirë zanatin. Ju jo vetëm qi e dini mirë zanatin, por keni edhe nji rreth spiunazhi mjaft të mirë. Djemt Shqiptarë qi ndodhen sot në rradhët t’ueja, gjithë bota e din, janë të detyruem të spiunojnë jo vetëm të gjithë antarët e Ballit, por shokët, vlleznit, motrat, prindët e vet ! Rregjimi i juej s’ka asnji ndryshim prej regjimit fashist dhe prej regjimit nazist : qi të gjithë këta rregjime janë të bazuem mbi spiunazhin dhe mbi terrorin. Siç ra rregjimi fashist, siç do të bjerë rregjimi nazist, ashtu do të rrëzohet për së shpejti edhe rregjimi i juej këtu në Shqipni !
Por le të kthehemi në themë. Këta dy martira jo vetëm që s’kanë qenë kurrë në lidhje me qeverinë italjane, por deri ne fruer 1943 ata ishin pjestarë të nji çete t’uej. Ata u ndanë prej jush vetëm atëhere kur ju i detyruat të vejshin mbi flamur yllin e kuq sovjetik ! A e shifni tash qi kemi të drejtë qi themi se jeni rrenacakë e mashtrues ?
Tash, mbas këtij digresioni, na ju themi se fakti i masakrimit barbar asht fatkeqësisht i vërtetë. Njerzit qi erdhën prej rrethëve të Korçës ditën 20 tetuer na treguen ngjarjen, por na nuk e shkruejtëm se s’na besohej qi në vëndin t’onë, me tradita dhe zakone aq të bukura dhe fisnike sa qi na i kanë cmir bota, të ndodheshin njerz qi mund të bajshin monstruozitet të tillë. Mirpo, porsa na erdhi raporti i jonë zyrtar, atëhere u bindëm sepse çdo dyshim u zhduk. Dhe qe bile hollësitë :
Ditën 13 tetuer 1943 çeta partizane e kryesueme prej Agush Gjergjevicës kërkoi strehim në katundin nasionalist Melçan ku ndodhej edhe nji çet’ e Ballit. Njerzit t’onë i pritën partizanët miqsisht dhe sinqerisht, tue u lirue bile shumë shtëpi dhe tue ba vetë roje. Aty kah mesi i natës u ndigjuen dy krisma pushkë të cilave asnjeni s’u dha randësi. Mbas ndonjë ore Agush Gjergjevica lajmëron partizanët e vet, shtëpi për shtëpi, qi të mblidheshin, se kishin me u nisë për nji vend të pa caktuem. Dhe çeta e Ballit duel dhe i përcuell shokët, bashkëluftuesit partizanë tue, ju urue udhën e mbarë. Mbasi partizanët u larguen, nji katundar lajmon se ndigjoi qi Agush Gjergjevica i kishte thanë nji shokut të vet : “shpejt shpejt, t’ikim se kanë me na vra të gjithëve”. Për këtë punë çeta jonë u mërzit shumë, se besonte qi Agush Gjergjevica nuk kishte besim në të. Me komentet e zakonshëm të rastit, luftëtarët t’onë u kthyen nëpër shtëpija për me u shtri. Ma vonë, afër agimit, disa katundarë prunë në Melçan trupat e dy viktimave të mjerë, dhe atëhere u-muer vesh pse Agushi ishte nisë ashtu pa pritun nën nji shi të rreptë me njerzit e vet, dhe se ç’kishte dashë të thonte me fjalët “shpejt, t’ikim se kanë me na vra të gjithve”.
Trupat e coptuem të Behxhedit dhe të Xhevdetit mbetën të ekspozuem atë mëngjes dhe popullsija e Melçanit, e Bulgarecit dhe e gjithë katundeve rreth e përqark erdhi për me pamë me syt e veta mizorin e pabesueshme. Jo vetëm të vegjlit, gratë, pleqt’ e plakat vajtojshin pa rreshtë, por edhe të gjithë burrat, trima të provuem në sa e sa lufta, qajshin me za si kalamaj !
Në vorrimin qi u ba në teqe, muerën pjesë ma shumë se njimijë burra.
Puna e zezë e kryeme mbi trupat e dy vllezenve , Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci, dhe ajo e ekzekutimit të 62 robve të zanun prej Mehmet Shehut ditën 21 tetuer 1943 ne katundet e Lushnjes, nuk mund të lehen në heshtje ose vetëm ne letër.
Populli Shqiptar lyp prej jush komunista të këtij vendi, në qoftë se ju ka mbetë ende ndopak ndjenjë burrnije, qi të formohet nji komision për me konstatue vërtetësinë ose rrenën e fakteve. Ju a lëjmë juve në dorë t’a formoni komisjonin si të doni : Komisjon asnjanës ose komisjon fetar ; komisjon i përbamë prej dy, ose me sa veta qi të doni ju prej anës s’uej dhe aq veta ose edhe ma pak prej Ballit; komisjon me antarë të Kryqit të Kuq ose jo. Me anën e mjekve nekropsija mund të kryhet lehtë edhe me përpikni.
Kjo punë duhet medoemos të bahet, sepse ky vend i Skanderbeut sot nuk kërkon ma të dijë në se ju jeni o s’jeni Shqiptarë, sot ai don me dijtë në se ju jeni a jo njerëz.
8 Nanduer 1943.