Shqipëria të bëhet gati për luftë!

Aktualiteti Comments Off

Zhvillimet e fundit në Kosovë janë tejet shqetësuese. Serbia po përdor pakicën serbe në komunat e veriut të Kosovës për të sfiduar autoritetin e qeverisë kosovare në këtë rajon dhe si përfundim për të destabilizuar shtetin e ri kosovar. Nuk është kjo diçka e re, sepse e dimë që Serbia ka si qëllim final sabotimin e Pavarësisë së Kosovës dhe rikthimin nën sundimin e saj të gjithë Kosovës. Nëse kjo nuk do të ishte e mundur do të tentonte të paktën gjysmën e Kosovës dhe jo vetëm komunat e veriut.
Por ajo që është e re në këtë situatë është vendosja e një numri të madh forcash ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, gjë e cila duhet marrë shumë seriozisht, sepse ka vetëm një kuptim: përgatitje për një agresion ushtarak.
Duket sot ndoshta e pamundur që kjo të ndodh për shkak të pranisë së KFOR-it në Kosovë. Por ka dy elementë që nuk duhen harruar. Në radhë të parë misioni i KFOR-it në Kosovë është ruajtja e paqes dhe jo mbrojtja e Pavarësisë së Kosovës. Ka një ndryshim të vogël midis të dyjave dhe situata aktuale në veri e dëshmon sot këtë. Kosovës sot i kërkohet edhe nga aleatët e saj të pranojë asociacionin e komunave serbe, që do të thotë delegim i sovranitetit të saj për një rajon të saj tek një pakicë. Ky delegim është mjaft i rrezikshëm në kushtet kur Serbia nuk e njeh Kosovën, sepse nuk ka asnjë dyshim që do të përdoret për të realizuar objektivat e Serbisë që pamë më sipër.
Nga ana tjetër, situata mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm edhe për shkak të situatës ndërkombëtare. Shihet qartë se Rusia po shtyn serbët që të hapin një front të dytë kundër Perëndimit. Dhe këta të fundit me sa duket po tregohen mjaft të gatshëm për diçka të tillë. Si rrjedhim një sulm ndaj Kosovës nga ana e ushtrisë serbe, sidomos në veri por edhe më gjerë, nuk mund të përjashtohet.
Eshtë sot e qartë se dialogu Kosovë-Serbi ka dështuar, sepse Serbia nuk pranon ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Mjetet diplomatike për të bindur Serbinë thuajse janë ezauruar. As prespektiva për hyrjen në BE, dhe as ajo e ndihmës së SHBA për zhvillimin ekonomik të Serbisë që do ta transformonte atë në një fuqi ekonomike rajonale, nuk kanë funksionuar. E vetmja gjë që duket se funksionon me Serbinë është ndihma ushtarake dhe politike ruse për ripushtimin e Kosovës. Dhe është në rrjedhën e gjërave, sepse Serbia deri tani e ka vonuar njohjen e Kosovës vetëm me këtë qëllim: pritjen e një situate më të favorshme ndërkombëtare ku aleatët e saj si Rusia ta ndihmojnë dhe përkrahësit e Pavarësisë së Kosovës të lodhen dhe të heqin dorë. Natyrisht që aleatët e Kosovës nuk do të lodhen dhe as do të heqin dorë, sepse nuk janë regjime personale që të ndryshojnë politikat sipas momentit. Por mbetet që Serbia sot ka përkrahjen e plotë të Rusisë e cila mjafton për t’a inkurajuar që t’i futet rrugës së luftës.
Sidoqoftë kur mjetet diplomatike dështojnë, e vetmja rrugë mbetet lufta. Megjithë prezencën e KFOR-it, e cila e ka parandaluar dhe vazhdon ta parandalojë këtë luftë, Kosova duhet të bëhet gati për t’i rezistuar një agresioni ushtarak nga ana e Serbisë. Ushtria e Kosovës, FSK, do të ishte në vijën e parë të fronit. Nuk ka dyshim që FSK do ta përballonte një agresion nga ana e Serbisë. Por ajo do të ketë nevojë edhe për ndihmën e ushtrisë së Shqipërisë, sidomos për forcat ajrore dhe mjete të tjera të cilat sot i ka të ndaluara.
Kosova dhe Shqipëria së bashku janë në gjendje ta përballojnë një agresion të Serbisë dhe për këtë duhet të përgatiten së bashku. Askush nuk e dëshiron luftën dhe shpesojmë që kjo mos të ndodh. Por dëshira e shqiptarëve për paqe, nuk e garanton atë sepse kanë përballë një vend shovinist, me një mendësi kolonialiste që justifikon aktet e tij mizore me legjenda fallco mesjetare, vend i cili nuk do të hezitojë të fillojë një luftë të re në Ballkan, siç e tregojnë edhe situatat e fundit.
« Nëse do paqen, përgatitu për luftë » thotë një fjalë e vjetër latine. Pikërisht këtë duhet të bëjnë sot shqiptarët. Serbia nuk iu lë rrugë tjetër. 7 milionë Shqiptarë janë në gjendje ta përballojnë agresionin serb dhe të ruajnë tokat që u kanë lënë të parët. Por nuk duhet të presin nga të tjerët, duhet të përgatiten vetë dhe të marrin në dorë fatet e kombit të tyre.

Xhemil Meço

Author

Back to Top