Abas Ermenji – Një Jetë Për Shqipërinë

Abas Ermenji – Një Jetë Për Shqipërinë

Aktualiteti, Historia, Kosova, PBK - Partia "Balli Kombëtar", Personalitete Comments Off

Me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Profesor Abas Ermenjit
 
Abas Ermenji u nda nga jeta pa e realizuar dot qëllimin e jetës së tij për të bashkuar Kosovën dhe Çamërinë në një Shqipëri Etnike. Por të gjithë jetën e tij ia kushtoi këtij qëllimi madhor.
Luftoi dhe punoi për këtë qëllim që në vitin 1939 kur organizoi rininë korçare për rezistencë të armatosur dhe në demostrata kundër pushtuesit italian. Vazhdoi në vitet 1941-1944 kur komandoi fuqitë e armatosura të Ballit Kombëtar në krahinën e Skraparit dhe Beratit dhe luftoi kundër italianëve dhe më pas kundër gjermanëve dhe komunistëve që, për llogari të serbo-sllavëve, i hapën një luftë vëllavrasëse nacionalistëve.
E vazhdoi luftën e tij kundër regjimit komunist në mërgim kur përgatiste grupe luftëtarësh të dërguar në Shqipëri në kuadrin e Komitetit « Shqipëria e Lirë » i drejtuar nga Mit’hat Frashëri për ta çliruar vendin nga sundimi gjakatar i diktaturës komuniste.
Në mërgim Abas Ermenji do të kryente për mëse 50 vjet, si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat  « Shqipëria e Lirë » me qendër në Paris, një veprimtari kombëtare për sensibilizmin e opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe do të denonconte mizoritë e regjimit komunist në Shqipëri, duke mbajtur gjallë në këtë periudhë të errët një zë të pastër të nacionalizmit shqiptar dhe shpresën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.
 
Në tetor 1970 e shohim Abas Ermenjin duke mbajtur fjalën e hapjes së Kongesit të 7-të të Ballit Kombëtar në Detroit, duke iu dhënë zemër Shqiptarëve që të veprojnë për « çlirimin, gjallërimin dhe lavdinë e Shqipërisë » sepse « « lirinë mund t’a gëzojnë vetëm ata popuj që janë të zotët t’a fitojnë dhe t’a mbajnë ».
Në vitin 1973 e gjejmë në Çikago, në tribunën e Lidhjes Kosovare ku mbajti një fjalim të rëndësishëm i cili entuziazmoi pjesëmarrësit, u dha zemër që të punojnë edhe më shumë për çështjen e Kosovës, dhe sensibilizoi autoritetet amerikane për fatin e kësaj krahine shqiptare që gjendej nën sundimin e Serbisë. « Vëllezër Kosovarë ! Gjithë shpresat duhet t’i kini në punën dhe qëndresën e organizuar që mund ta bëni ju vetë dhe që mund ta bëjmë të gjithë ne së bashku » – bënte thirrje në fjalën e tij.
Në krye të Komitetit Kombëtar Demokrat « Shqipëria e Lirë » do të protestonte pranë Parlamentit Europian, Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë etj. për trajtimin që iu bëhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos në periudhën e demostratave të vitit 1981 në Kosovë.
Dhe më në fund, pas 50 vjetësh mërgimi, në vitin 1995 u kthye në Shqipëri në krye të Partisë Balli Kombëtar (PBK) , të rikrijuar në Tiranë pas rënies së komunizmit. Pa përtuar, si të ishte djalë i ri, Abas Ermenji bëri fushatë në të gjithë Shqipërinë, jo thjesht për Ballin, por për çështjen kombëtare, për Kosovën martire që Serbia kërkonte ta shfaroste. I bënte rregullisht thirrje qeverisë shqiptare që të mbronte shqiptarët e Kosovës me të gjitha mjetet.
Çlirimi i Kosovës në qershor 1999 e gëzoi më shumë se çdo gjë. Në tetor të atij viti e gjejmë në Prishtinë, duke e realizuar pjesërisht ëndrrën e jetës së tij: ta shihte Kosovën të lirë nga sundimi i Serbisë. Në Prishtinë takoi drejtuesit kryesorë politikë shqiptarë dhe u gëzua që konstatoi se ata ishin të gjithë në një mendje për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Natyrisht do të kishte dëshiruar që ajo të bashkohej në Shqipërinë Etnike, si zgjidhja e vetme e vërtetë e çështjes shqiptare. Dhe këtë ua bëri të ditur Kosovarëve. Por çdo gjë në kohën e vet.
Abas Ermenji nuk arriti ta realizojë qëllimin e tij të Shqipërisë Etnike. Por ai arriti të bëjë diçka tjetër, po aq të madhe. Ashtu sikurse Mit’hat Frashëri solli frymën e pastër të nacionalizmit shqiptar nga koha e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në periudhën e viteve 1939-1944 e cila u mishërua tek organizata nacionaliste Balli Kombëtar, ashtu edhe Abas Ermenji e solli këtë frymë të pastër të nacionalizmit shqiptar deri në vitet 1990.
Nacionalizmi i pastër shqiptar e ka burimin në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878 dhe kemi fatin që falë Ballit Kombëtar dhe drejtuesve të tij, ai ka arritur deri në ditët tona, për të na treguar rrugën që duhet të ndjekë kombi shqiptar, për të zënë vendin që i takon në radhën e kombeve të kohës sonë.
Një gazetar e pyeti dikur pas rikthimit  në Tiranë se si ndihej që komunizmi kishte fituar në Shqipëri. Abas Ermenji iu përgjigj se në fakt komunizmi kishte humbur, sepse idetë e tij janë hedhur poshtë në të gjithë botën. Dhe idetë e tij, idetë e nacionalizmit kishin fituar edhe në Shqipëri.
Sot, 20 vjet pas vdekjes së Abas Ermenjit, shohim se çështja kombëtare shqiptare ka përparuar, por nuk është zgjidhur. Kosova është e pavarur, por ende jo në Shqipërinë Etnike. Do të duhen akoma burra të tjerë si Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini, Mithat Frashëri, Adem Jashari dhe Abas Ermenji, luftëtarë dhe mbrojtës  të paepur të kombit shqiptar dhe të Flamurit Kuq e Zi, të cilët do të mund ta realizojnë ëndrrën e madhe të bashkimit kombëtar, Shqipërinë Etnike.
 
Xhemil Meço

Author

Back to Top