Fjala e Hafëz Jusuf Azemit në Kongresin e Lidhjes Kosovare

Aktualiteti, Historia, Lidhja Kosovare, Maqedonia Perëndimore, Personalitete Comments Off

Hafëz Jusuf Azemi, në Kongresin e Lidhjes Kosovare në Çikago, 25 dhe 25 Nëntor 1973

Me shumë përvuejtuni due të falënderoj Kongresistat për këtë nderë të madh që më bajnë tue më zgjedhë të kryesoj këtë mbledhje historike, Kongresin e Parë Botnuer të Lidhjes Kosovare. Nuk due të marr kohën e vlefshëme të Kongresit me historinat e ngjarjet të cilat folësit e shquem përpara meje i përshkruen ma së mirit. Por përpara mbylljes së seksionit të parë të këtij Kongresit due të përmend nga kjo tribunë me nderimin që meritojnë, disa nga herojt dhe luftat e tyne për të cilat kam dijeni personale.
Due të përmend Mefail Shehun e Zajazit që njihet prej popullit si Mefaili i Madh, dhe Mefail Mehmetin po prej Zajazit kreshnik, që njihet prej popullit si Mefaili i Vogël. Shokët e tyne, heroj të ramun dëshmorë në luftë, komandanta çetash si Azem Lani, Etem Ismaili, Begzat Aliu, Rushit Sadiku, Muhedin Zajazi, Qerim Qerimi, Nuhi Kolibari, Mefal e Azem Kasa, Mehdi Çeliku, Mehmet Grashica, Rexhe Meta, Hysen e Daut Selimi, Sadik Qerimi e tjerë. Nga çetat e tyre vetëm 14 veta mundën të dalin në Greqi dhe sod gjindën në mërgim.
Po ashtu ranë në luftë Alim Sali Rexha, Abedin Selmani, Hajdin Mehmeti e Hasan Beqiri. Luftat ma të rrepta të këtyne burrave janë bamun në Kërçovë, Zajas, Dibër, Kolarë dhe Gostivar. Për shembull, vetëm në Kolarë, nga 60 shtëpi, u dogjën 53 prej tyne nga beteja ku u ndeshën Shqiptarët grykë më grykë me anmikun okupator. Në Zajas u dogjen ma se 200 shtëpi. Katundi Qafa, në mes Kërçovës e Gostivarit u dogj krejt. Komandanti i cili edhe ra dëshmor qe Sinan Batalishta. Mandej Komunistët dogjën katundet Prapadisht, Tuhin, Novosellë, Prenkë e Goran. Të gjithë e keni ndigjue emnin e Kryekreshnikut Xhemë Gostivarit i cili bashk me Aqif Reçanin me shokë janë dallue gjithmonë në lufta të rrepta që i shtinë tmerrin anmikut okupator komunist ashtu siç i patën shtimun tmerrin edhe anmikut okupator fashist si në luftat e Treskës, Rekës, Vratnicës. Në Vratnicë, në fushën e Tetovës, Shqiptarët shpartalluen nji Brigadë komuniste. Aty u dalluen si udhëheqës të Shqiptarve, Hafëz Xhemil Efendiu, Myderizi i Tetovës, nji patriot i vjetër e i dalluem. Aty u vra Aqif Mustafa, kryetar i çetës Balliste bashk me Sadushin e Shipës, Demir Sejdiun, Kadri Azemin, Refik Saliun e shumë të tjerë.
Due të përmend mbledhjen historike në malet përmbi Tetovë në mes të Sul Hotllës, Xhemë Gostivarit, të dy Mefailave të Zajazit, Aqif Reçanit dhe Myderizit të Tetovës, Hafëz Xhemil Efendiut, ku u vendos që Sul Hotlla me 50 veta të hyjnë në Shkup dhe të ngrejnë Flamurin për Bajramin e Madh të vitit 1945 që e realizoi përpiknisht. I qoftë emni i paharrueshëm këtij trimi me fletë të malsis së Shkupit Shqiptar.
Xhema në kohën e okupacionit fashist pat qenë inkuadrue në rradhët e Ballit Kombëtar ku qe betue personalisht prej themeluesit të pavdekshëm, Mithat Frashërit. Xhema e pat luftue okupatorin me terbim, si fashistat ashtu edhe komunistat Serbo-Maqedhonas.
Due të përmend demonstratën e madhe popullore të Tetovës të vitit 1942, kur Myftiu i Tetovës Hafëz Sylejman Delili mbas një fjalimi të zjarrtë, qe arrestue prej autoriteteve fashiste dhe internue n’Itali, porse populli i primun prej klerit u çue peshë dhe detyroi okupatorin t’a lirojnë Myftiun. Nuk ka fjalë që të përshkruej njeriu të gjitha heroizmat, të përmendi të gjithë emnat e dëshmorvet që kanë ra dhe po bijnë çdo ditë për mbrojtjen e të drejtave të shejta Kombëtare dhe njerzore. Le të përulemi para kujtimit të tyne dhe t’i lutemi Perendisë që të na bajë të denjë të ndjekim udhen e tyne për të çue në vend Amanetin e tyne të shenjtë. Ju faleminderit!

Hafëz Jusuf Azemi, në Kongresin e Lidhjes Kosovare në Çikago, 25 dhe 25 Nëntor 1973

Titulli origjinal: Fjala e Kryetarit të Kongresit, të Përndershmit Hafëz Jusuf Azemit në Kongresin e Lidhjes Kosovare

Author

Back to Top