Lidhja e Prizrenit dhe Shqiptarët sot
Aktualiteti, Historia, Kosova, Maqedonia Perëndimore 12 Qershor, 2023, Comments Off145 vjet më parë, më 10 qershor 1878, u krijua Lidhja e Prizrenit e cila ishte përpjekja e parë e shqiptarëve për bashkimin në një njësi të vetme politike dhe administrative. Kjo përpjekje u zhvillua në një kohë kur toka shqiptare iu ishin falur fqinjve serbë, bullgarë e malazez nga Traktati i Shën Stefanit disa muaj më parë dhe kur Fuqitë Mëdha po rivizatonin hartën e Ballkanit në Kongresin e Berlinit. Shkaku i këtyre ndryshimeve ishte fitorja e Rusisë në luftën ruso-turke me ç’rast Rusia përkrahu zgjerimin e shteteve sllave në Ballkan, kryesisht në dëm të tokave shqiptare. Perandoria otomane, megjithë luajalitetin e shqiptarëve ndaj saj, nuk i mbrojti tokat shqiptare, por përkundrazi i përdori ato për të negociuar pasoja më të lehta për vetë Turqinë. Shqiptarët me Lidhjen e Prizrenit u përpoqën të krijonin një entitet politik shqiptar autonom i cili do të përfshinte katër vilajetet me shumicë shqiptare: atë të Shkodrës, të Kosovës, të Manastririt dhe të Janinës. Për fat të keq Lidhja e Prizrenit nuk e arriti qëllimin e saj për disa arsye, ku më kryesorja ishte ndarja e shqiptarëve në 4 vilajete dhe përçarjet midis tyre.
Pas disa vitesh, shqiptarët i përqëndruan forcat në krijimin e një shteti të pavarur që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Por disa muaj më vonë Konferenca e Londrës i njohu këtij shteti shqiptar më pak se gjysmën e tokave shqiptare. Pjesën tjetër ua fali fqinjve, Kosovën Serbisë, Çamërinë Greqisë etj. Qëllimi ishte gjoja të evitohej Lufta Ballkanike, e cila megjithatë u zhvillua. Por pas kësaj lufte tokat shqiptare iu mbetën fqinjve dhe iu nënshtruan një procesi de-shqiptarizmi me dhunë apo të fshehtë.
Gjatë Luftës së Dytë nacionalizmi shqiptar tentoi t’i ribashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm, por pa sukses, sepse kjo përpjekje u sabotua në Shqipëri nga komunizmi i sponsorizuar dhe përkrahur nga Serbia.
Sot, 145 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, Çamëria është spastruar etnikisht nga Greqia dhe në vitin 1999 edhe Kosova për pak pësoi të njëjtin fat nga hordhitë serbe të cilat shpërngulën nga vatrat e tyre thuajse një milion shqiptarë apo më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës. Por falë sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar me anë të rezistencës paqësore, falë luftës së UÇK-së dhe pastaj ndërhyrjes së NATO-s, ky spastrim u evitua dhe shqiptarët e Kosovës mundën të kthehshin në vatrat e tyre pas disa muajsh.
Nga ana tjetër shumë qytete që ishin shqiptare në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe që u lanë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, gjatë shekullit që kaloi u zbrazën nga popullsia e tyre shqiptare e cila u largua ose u asimilua. Shembuj të tillë janë Manastiri (sot Bitola në Maqdoni ) ku u mbajt edhe Kongresi i Alfabetit, Kosturi (sot Kastoria), Follorina (Florina), Janina etj. në Greqi, pa folur për qytetet e Çamërisë si Preveza, Arta, Parga etj. apo ato që sot gjenden në Serbi si Pazari i Ri, Bllaca, Kurshumlia, Vranja etj. apo ato që gjenden në Mal të Zi si Rozhaja, Gucia etj.
De-shqiptarizmi i këtyre qyteteve dhe krahinave është pasojë direkte e mos-integrimit të tyre në shtetin shqiptar dhe e lënies së tyre jashtë kufijve të tij. Sepse fqinjët tanë ballkanikë kanë ushtruar sistematikisht një politikë agresive asimilimi ose spastrimi ndaj popullsive shqiptare që kanë patur brenda kufijve të tyre.
Lidhja e Prizrenit është një eksperiencë e veçantë që na vjen nga historia dhe duhet të na bëjë të mendojmë për të ardhmen e shqiptarëve e cila po përcaktohet sot. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët po dilnin nga një perandori shumë-kombëshe kurse sot po futen në një tjetër strukturë po ashtu shumë-kombëshe që është Bashkimi Europian. Duke parë daljen katastrofike të shqiptarëve nga perandoria otomane e cila shkaktoi tkurrjen e tokave shqiptare dhe rrezikoi edhe vetë ekzistencën e kombit shqiptar, me të drejtë sot mund të shtrojmë pyetjen: si duhet të futen shqiptarët në Bashkimin Europian? Bashkë në një shtet apo të ndarë në disa shtete?
Politika dhe situata aktuale privilegjojnë opsionin e dytë. Shqiptarët parashikohet të futen në BE të ndarë në gjashtë shtete: Shqipëri dhe Kosovë ku ata përbëjnë shumicë absolute, në Maqedoni ku përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, në Mal të Zi dhe Serbi ku janë minoritet i njohur dhe në Greqi (e cila është tashmë në BE) ku janë minoritet të cilin shteti grek nuk e njeh.
Por a është kjo zgjidhja e duhur për interesin kombëtar të shqiptarëve? A nuk rrezikojnë shqiptarët përsëri në një moment tjetër të historisë në të ardhmen tkurrjen e mëtejshme të trojeve të tyre ose edhe më keq vënien në dyshim të ekzistencës kombëtare?
Historia e daljes së shqiptarëve si shtet i pavarur dhe më saktë periudha që nga Lidhje e Prizrenit e deri në fillim të shekullit të XX na jep këtë mësim të thjeshtë: nëse duhet të futen në një strukturë shumë-kombëshe si BE, shqiptarët duhet të futen si një shtet i vetëm kombëtar, ashtu sikurse shtetet e tjera të BE dhe jo të ndarë në shtete të ndryshme ku rrezikojnë shkrirjen dhe asimilimin, i cili do të bëhet edhe më i fortë me tendencën e globalizimit me të cilën përballet sot e gjithë bota.
Por ky mësim i thjeshtë është tejet i vështirë për t’u zbatuar. Sepse në radhë të parë vetë shqiptarët nuk janë dakord për strategjinë që duhet të ndjekin. Ndasitë krahinore, klanore, politike, dhe fetare i kanë ndjekur gjithmonë në historinë e tyre. Shqiptarët përgjithësisht kanë reaguar kur rrezikun e kanë patur tek dera, atëherë kur për fat të keq është shumë vonë. Këtë e konstatojmë edhe sot.
Nuk ekziston sot për shembull as në Shqipërinë londineze dhe as në Kosovë një vizion i qartë kombëtar dhe as një strategji e mirëfilltë kombëtare. Kosova është e përqëndruar në njohjen ndërkombëtare, gjë për të cilën ka të drejtë, por nuk është e qartë se çfarë ndodh më pas nëse njohja arrihet. Ose çfarë ndodh nëse njohja ndërkombëtare nuk arrihet. Ose çfarë ndodh nëse Serbia nuk e njeh asnjëherë Kosovën, gjë e cila duket se do të ndodh. Madje në Kosovë ka tashmë tendenca për të krijuar një « komb kosovar » me shqiptarët gjë e cila është absurde dhe do të shtonte edhe më shumë përçarjet ndër-shqiptare dhe do të dëmtonte kombin shqiptar.
Shqipëria londineze është edhe më keq, sepse qeveria aktuale socialiste jo vetëm që nuk ka një vizion kombëtar, po përkrah edhe një vizion anti-kombëtar që është « Ballkani i Hapur » që rrezikon t’i japë Serbisë mundësinë për ta rikthyer Kosovën nën sundimin e saj.
Për t’i bërë edhe më të vështira punët, sipas traditës së vjetër bajraktariste, dy shtetet shqiptare janë në kundërshtim të plotë prej disa vitesh si për vizionin edhe për strategjinë e ndjekur nga secili prej tyre për çështjen kombëtare.
Në një kohë, që si Shqipëria londineze edhe Kosova, si shtete që janë kanë mjete dhe mundësira për të përcaktuar një vizion kombëtar dhe një strategji kombëtare të përbashkët për të ardhmen dhe për të punuar për to. Natyrisht një strategji kombëtare nuk është e thjeshtë për t’u përcaktuar dhe më pas për t’u zbatuar, sepse do të ndeshet me kundërshtimin e armiqve të kombit shqiptar por edhe të miqve të cilët kanë prioritete të tjera, dhe jo çështjen kombëtare shqiptare, të cilën duhet dhe mund ta mbrojnë vetëm shqiptarët.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se ku duan të shkojnë dhe si. Dhe për këtë duhet të sigurojnë edhe mjetet e duhura dhe të përgatiten për të mos u gjendur të habitur në momentin e fundit. E rrethuar nga fqinjë armiqësorë, Shqipëria londineze do ta ketë të vështirë të përballojë e vetme sfidat e së ardhmes përballë ndërhyrjeve dhe eskpansionit të tyre politiko-ekonomik. E pasigurt për të ardhmen e saj, sapo vëmendja e komunitetit ndërkombëtar të bjerë, Kosova rrezikon tentativa të reja pushtimi nga Serbia, e cila nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e saj me të vetmin qëllim për ta mbajtur të hapur mundësinë e dërgimit të ushtrisë. Shqiptarët e Maqedonisë gëzojnë sot disa të drejta, të cilat rrezikojnë që t’i humbasin me kalimin e kohës nëse nuk bëjnë kujdes. Një presion kundër të drejtave të shqiptarëve me qëllim asimilimin apo largimin e tyre, ushtrohet edhe në Mal të Zi dhe Serbi. Kurse Greqia as nuk e pranon ekzistencën e minoritetit shqiptar atje dhe nuk ua njeh pronat e grabitura çamëve në fund të luftës së Dytë Botërore.
Ka ardhur koha, sa nuk është shumë vonë, që Shqiptarët të bien dakord për një vizion të përbashkët kombëtar, të përcaktojnë një strategji të qartë për ta jetësuar atë dhe të punojnë së bashku dhe të përkrahin njëri-tjetrin për realizimin e këtij vizioni. Vetëm kështu shqiptarët mund ta çojnë deri në fund idenë e një shteti kombëtar shqiptar gjithë-përfshirës të iniciuar nga Lidhja e Prizrenit dhe të hyjnë të sigurt dhe të kthjellët në eksperiencën sfiduese të Bashkimit Europian.
Xhemil Meço