Partia Socialiste tradhëton dhe e lë vetëm Kosovën

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Ashtu siç e ka në traditë, partia socialiste dhe kryetari i saj njëkohësisht edhe kryeministër i Shqipërisë Edi Rama, e lanë përsëri të vetme Kosovën përballë agresorit serb. Si dikur Enver Hoxha që në vitin 1945 e la Kosovën nën mëshirën e “vëllezërve” komunistë serbo-sllavë, të cilët e masakruan popullsinë e saj me zjarr dhe me hekur.
Ky akt anti-kombëtar nga socialistët shqiptarë ishte i pritshëm. Prej kohësh Edi Rama e ka futur Shqipërinë në nismën e “Ballkanit të Hapur” të projektuar nga Serbia dhe që i shërben interesave të saj. Prej kohësh Edi Rama përpiqet të futet në punët e brendshme të Kosovës pa i kuptuar ose pa dashur t’i kuptojë ato dhe i bën presion qeverisë kosovare që të pranojë gjëra të papranueshme për Kosovën.
Derisa si përfundim, i inatosur pse kosovarët nuk i pranojnë këshillat e tij absurde, anulloi mbledhjen e dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej këtë javë në Gjakovë dhe i kërcënoi Kosovën me sanksione perëndimore!
Dhe ajo që është më absurde me socialistët e Shqipërisë është se sillen sikur të mos ishin shqiptarë, por vendosen në pozitat e një neutraliteti ku mund të ishte çdo vend tjetër i NATO-s.
Por çfarë i kërkon Kosovës partia socialiste shqiptare? I kërkon të pranojë një asociacion të komunave me shumicë serbe, të kërkuar nga Serbia, e cila me anë të atij përpiqet që ta mbajë të lidhur Kosovën pas saj dhe të mos e lëshojë asnjëherë. Është më se e kuptueshme se përse Kosova nuk mund ta pranojë diçka të tillë, sidomos në kushtet kur Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e saj.
Atëherë përse qeveria socialiste në Shqipëri këmbëngul në marrëzitë e saj? Përse Shqipëria nuk e ngre zërin në NATO për agresionin serb këtë javë në territorin e Kosovës ku ushtria serbe rrëmbeu tre roje kufitare të Republikës së Kosovës? Përse Shqipëria nuk e ngre nivelin e gatishmërisë së ushtrisë së saj kur Serbia e ka bërë këtë dhe madje ka filluar provokimet?
Politika e Shqipërisë ndaj Kosovës duhet të ishte shumë e thjeshtë: përkrahje totale e politikës së Kosovës e cila i di më mirë punët e saj.
Nëse Kosova do ta kishte këtë përkrahje, edhe Serbia do të bëntë më shumë kujdes në veprimet e saj. Po ashtu edhe ndërkombëtarët do ta trajtonin më ndryshe Kosovën dhe nuk do të përpiqeshin t’i impononin zgjidhje afat-shkurtra që do të hapin probleme të mëdha më vonë.
Kosova sot ka mbetur e vetme përballë presionit ndërkombëtar, i cili për interesa të tij me Serbinë, duke se i bën lëshime kësaj të fundit.
Do të ishte dashur që të paktën Shqipëria të ishte vendosur në krah të Kosovës. Por në Shqipëri është vetëm qeveria socialiste që e ka braktisur Kosovën. Por jo Shqiptarët e Shqipërisë dhe të gjithë trojeve shqiptare, të cilët me mendje dhe me zemër janë sot në Kosovë dhe të gatshëm që ta përkrahin atë me të gjitha mjetet. Është koha që gjithë Shqiptarët, kudo që ndodhen, ta manifestojnë përkrahjen e tyre për Kosovën përballë agresionit të Serbisë.

Xhemil Meço

Author

Back to Top