Gjuhë komuniste
Aktualiteti, Diktatura komuniste, Lufta 1939-1944 19 Qershor, 2023, Comments OffDuke lexuar librin e përkthyer në italisht “Il sangue tradito” , (Gjaku i trathëtuar) botim i Ministrisë së Jashtëme Jugosllave.
Prof. ABAS ERMENJI
Në një fjalim që mbajti Enver Hoxha në Shkodër pakë muaj më parë, thosh se njerëzit e Ballit Kombëtar ishin duke u marrë vesh me Titon, në dëm të interesavet të Kosovës, për të vepëruar në Shqipëri.
E ç’nuk ndëgjuaka njeriu në këtë botë! Enver Hoxha që lindi prej Titos si Eva nga brinjë e Adamit, që u-emërua kumandar i t’ashtu-quajturës ushtëri nacional-çlirimtare të Shqipërisë nga Dushan Mugosha, ai që gjer dje i quante ‘megallomani reaksionare’ të drejtat t’ona mbi Kosovën, ai që, i shtytur prej jugosllavit Svetozar Vukmanoviç-Tempo, prishi Lidhjen e Mukajt pikërisht pse Balli Kombëtar kish vënë si bazë të programit Shqipërinë Ethnike, ai që dërgoi fuqi në Kosovë për të shuar kryengritjen e shtytur nga Balli Kombëtar dhe për t’i a dorëzuar Titos të nënështruar, po ai na dalka sot me një moral patriotik t’u tregojë Ballistëvet detyrat kundrejt Kosovës !
Në një botim të Ministrisë së Jashtëme Jugosllave, punuar nga Vladimir Dedijer dhe nxjerrë si një farë ‘Libër i Bardhë’ pas prishjes së marrëdhënievet me Shqipërinë, përkthyer tani vonë n’italisht ndënë titullin ‘Il Sangue Tradito’ mund të kuptojë njeriu mjaft gjëra rreth komunistëvet dhe Ballit Kombëtar.
- Partija Komuniste Shqiptare është krijesë e Jugosllavëvet
Partia Komuniste Shqiptare është fund e krye një krijesë e Jugosllavëvet dhe, pa ndërhyrjen e ngultë të këtyre, as që do të kish parti komuniste në vendin t’onë. Përpara se të vinin Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha për t’organizuar dhe udhëhequr komunizmin në Shqipëri, aty s’kish veç disa grupe të vegjël e të parëndësi që s’ishin aspak të lidhur me masat, “që ishin larg nga veprimtarija komuniste e vërtetë, që ishin në kundërshtim me njeri tjetrin, gjë kjo që ka shkaktuar luftë t’ashpër e të paprerë midis tyre. Ndër ‘ta sundonte shpirti i ngushtë i sektarizmës, oportunizmës dhe i lokalizmës”. (Sang. Trad. f. 3, nxjerrë nga rezoluta e Konferencës së parë të përgj. të P.K.SH., mbajtur në Labinot, në prill 1943).
Situata që mbretëronte midis grupevet komuniste në Shqipëri më 1941, u-karakterizua kështu nga Miladin Popoviç :
- “Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodheshin grupe dhe grupthe (gjithësejt tetë, ndër të cilët dy Trotskistë). Seicili prej tyre tërhiqte nga anë e tij. Shpeshëhere bënin edhe ‘bashkime’, ‘marrëveshje’ për të paditur tek ne njeri tjetrin. Bënin nga këto ‘marrëveshje’ deri me Fundon. Mund të kish çdo gjë tek këto grupe, por asgjë komuniste…” (Sang. Trad. f. 8, nga relacioni i Miladin Popoviç, Komitetit Qendror të partisë komuniste jugosllave, 21 Maj 1942).
“Bisedimet me këto grupe vazhduan prej dhjetë gjer më njëzet ditë. Kalonim nga një pjekje ilegale në tjetrën. Me grupin e Korçës i rrahëm çështjet në shtëpinë e Enver Hoxhës e të Koço Tashkos. Ky grup nuk donte t’i njihte gabimet e tij; kërkonte të shpallej si parti e pastaj gjithë grupet e tjerë të mblidheshin rreth tij, por arritëm t’a bindim me argumenta të forta që të pranojë krijimin e partisë. Në grupin ‘Korça’, ndihma m’e fortë na erdhi nga punëtorët Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo…” (Sang. Trad. f. 9, nga shënimet e Dushan Mugoshës mbi aktivitetin e tij në Shqipëri në vitet 1941-1944).
Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, dhe pakë më vonë Blazo Jovanoviç e Svetozar Vukmanoviç-Tempo, qenë shtytësit, krijuesit, udhëheqësit dhe kumandarët e vërtetë të partisë komuniste shqiptate. Ata çdukin mosmarrëveshjet, ata vënë disiplinë, ata bëjnë mbledhjet, ata emërojnë kumandarët, ata organizojnë, ata urdhërojnë. Ata shtyjnë të krijohet ushtërija ‘nacional-çlirimtare’, dhe, me t’u-formuar brigata e Parë, Dushani shkon si këshilltar pranë Mehmet Shehut, por në të vërtetën është ai që kumandon ; ata e shtyjnë më në fund partinë komuniste shqiptare në luftën vëllavrasëse me Ballin Kombëtar.
Dushani e cakton edhe Enver Hoxhën si kumandar të përgjithshëm t’ushtërisë ‘nacional-çlirimtare’.
“Para se të nisej për Jugosllavi, Dushan Mugosha u-ftua në mbledhjen e K.Q. të P.K. Shqiptare, ku ishin prezent disa antarë të komitetit, dhe aty parashtroi mendimin se kumandari i përgjithshëm, Spiro Moisiu, nuk ishte në lartësinë e detyrës, dhe propozoi t’emërohej në vënt të tij Enver Hoxha, deri atëhere komisar i komandës së lartë. K.Q. i P.K. Shqiptare e pranoi këtë propozim të Dushan Mugoshës dhe, në konferencën e Përmetit, nga fundi i Majit 1944, Enver Hoxha u-emërua kumandar i përgjithshëm me gradën kolonel-gjeneral.” (Sang. Trad. f. 61).
Dushani emëron edhe Mehmet Shehun si kumandar të divizionit të Parë, me gjithë që Enver Hoxha nuk donte.
“Dushan Mugosha propozonte emërimin e Mehmet Shehut si Kumandar i divizjonit të Parë, kurse Enver Hoxha nuk qe d’akord. Por, pas shpjegimevet të Dushanit, më në fund e pranoi këtë propozim… etj..” (Sang. Trad. f.61).
Që Jugosllavët e kishin në dorë të tërë punën, dëshmohet edhe nga dallkaukllëqet që u bënin kryeterroristët, të cilët mundoheshin kush e kush t’ë fitonte favoret sa më shpejt. Kur Dushan Mugosha do të kthehej në Jugosllavi, kryeterroristët i çfaqnin servilizmat më të ulta, me anë letrash. Ja ç’i shkruan Mehmet Shehu : - “Nuk kishim parti, por kishim e ishim ‘komunistë bazhibuzukë’, ishim një ‘turli me zarzavate të hidhura’, e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat t’uaja mundëm të seleksionohemi, të formojmë partinë t’onë komuniste, t’a forcojmë. Na dhat dorën, na mësuat, na ngritët si mëma foshnjen… etj..” Më në fund i thotë :
- “O Salë! (pseudonimi i Dushanit) po për interesat e larta të brigadës tënde, kë do të lësh pranë shtabit të përgjithshëm ? Kujt do t’i a besosh këtë misjon special… ? ! !”
Domethënë se brigata është e Dushanit dhe, passi po ikën, ai di se kujt do t’i a besojë misionin e tij special.
Bedri Spahiu : - “Ne mësuam nga ti o Salë, atë çka është e nevojshëme dhe e domosdoshme që të mendojmë e të ndjejmë vehten si komunista. Prandaj unë për vehte, e besoj të gjithë ne, na duket sikur kemi diçka nga qenia e jote. Jeta e jonë si komunistë është lidhur me ty… Unë ngushullohem duke parë ndryshimin që kam bërë prej çastit të parë që jemi parë dhe se kam përfituar nga ti me sa ka qenë e mundur.”
Erë servilizmi mban edhe letra e Enver Hoxhës, e Nexhmije Hoxhës, e Hysni Kapos, e Koçi Xoxes, e Ramazan Çitakut. Pa le i shkreti Omar Nishan që është mbyllur n’odë dhe qan me ngashërime duke “kujtuar poshtërsitë që ka thënë armiku për Dushanë”. (Sang. Trad. Facsimili. Fotokopjet e të gjitha këtyre letravet.)
Servilizmi kundrejt drejtuesve Jugosllavë arrin kulmin me fjalën e Enver Hoxhës, në Berat, në mbledhjen e plotë të K.Q. të P.K., në Nëntorin e 1944-ës : - “Shoku Blazo (Blazo Jovanoviç delegati i K.Q. të P.K. jugosllave, pranë K.Q. të P.K. shqiptare) ka dhënë ndihmën më të madhe në pregatitjen e konferencës dhe në përpunimin e relacionit. Blazoja qe për ne si të kish zbritur Zoti nga qielli.” (Sang. Trad. f.26, shënimi 28)
- Kush e bëri qëndresën kombëtare prej Prillit të 1939 -ës gjer në Nëntor të 1941 -së ?
Të vimë tani tek qëndresa kombëtare ose lufta që i u-bë pushtuesit të huaj. Libri në fjalë e vë në dukje qëndresën e popullit Shqiptar në ditët e Prillit të 1939 -ës, vazhdimin e asaj qëndrese gjatë luftës italo-greke, tregon sesi populli Shqiptar nuk ndëgjoi n’asnjë mënyrë të luftojë kundër grekëvet, përkundrazi mbajti anën e tyre, edhe ata pakë bataljone që ndodheshin të mobilizuar u-hodhë nga anë e Grekëvet, u-shpërndanë ose sabotuan luftën. Por nga ana tjetër thotë se grupet komunistë kishin qëndruar si të mpitë gjatë kësaj periudhe, dhe s’kishin bërë asgjë gjer sa formuan partinë, ndënë shtytjen e Miladinit e të Dushanit, në Nëntorin e 1941-së. I vetëmi aktivitet që patën treguar komunistët gjer në këtë datë – thotë libri – qe një trakt që hodhi grupi Shkodrës kur Hitleri sulmoi Bashkimin Sovietik.
“Me sulmin e Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik, kushtet për fillimin e një kryengritjeje me armë të popullit shqiptar kundër pushtuesit u-bënë më të pjekura akoma. U-shkundën nga letargjija gjer disa drejtuesi grupesh (komuniste). Kështu për shembull, grupi i Shkodrës lëshoi një çpallje duke ftuar popullin të ngrihej me armë. Më gjithë këtë për shkak të veprimtarisë politike të mangët dhe në mungesë të ndonjë pregatitjeje organizative, kjo çpallje nuk pat, në të vërtetë, asnjë përfundim praktik.” (Sang. Trad. f.44).
Kur bën fjalë për qëndresën e popullit Shqiptar në këtë periudhë të parë të luftës, auktori shton :
- “Krerët komunistë nuk dijtën t’i çfrytëzonin këto kondita objektive për t’i dhënë dallgë luftës nacional-çlirimtare. Pushtuesi shkonte gjithnjë duke e shtuar tmerrin. U-krijuan kampe përqëndrimi më të mëdha akoma, në të cilat ishin hedhur në dimrin e 1940-1941-së qindra Shqiptarë. Ndërkaqë, drejtuesit e grupevet komuniste nuk e pregatitnin popullin në luftë t’armatosur kundër pushtuesit. Ata mbajtën një qëndrim të tillë edhe në rastin e sulmimit të Jugosllavisë nga ana e trupavet fashiste e Hitleriane.” (Sang. Trad. f. 43-44)
Auktori harron të thotë, se n’atë kohë, një pjesë e tyre ishin milicë, dhe disa, si Omer Nishani, bënin apollogjinë e fashizmit !
Në konferencën e parë për formimin e partisë komuniste shqiptare, 8 Nëntor 1941, dhe rezolutën e së parës konferencë të përgjithëshme të P.K. shqiptare, mbajtur në Labinot në Prill të 1943-së, ky qëndrim i mpitë i grupevet prej Prillit të 1939-ës gjer në Nëntor të 1941-së, u-qortua rreptësisht.
Në rezolutën e konferencës së Labinotit është thënë tekstualisht :
“Lufta midis grupevet (komuniste) nuk i linte të merrnin një qëndrim siç duhet : a) në çështjen e pushtimit të Shqipërisë më 7 Prill 1939 ; b) në të tjera ngjarje të mbrendëshme të rëndësishme të Shqipërisë ; c) në çështjen e luftës së Dytë imperialiste, si edhe në çështjen e luftës s’Italisë kundër Greqisë dhe Jugosllavisë.” (Sang. Trad. f. 4).
Atëhere vjen pyetja, pasi grupet komuniste paskan ndejtur të mënjanuar e të mpitë gjersa u dha shtytjen Miladini me Dushanë, qëndresën e popullit Shqiptar kundër pushtuesit të huaj kush e frymëzoi dhe kush e udhëhoqi prej Prillit të 1939-ës deri më Nëtor të 1941-së ? Ata qindra njerëz që, gjatë kësaj periudhe, u-dergjën burgjevet dhe ishujvet, cilët qenë ? A nuk qenë ata burra që hodhë themelet e Ballit Kombëtar ? Ty s’t’a nxë goja një hata të këtillë, Z. Vladimir Dedijer, por po t’a themi ne.
- Qysh u-prish Lidhja e Mukajt dhe si filloi lufta vëlla-vrasëse.
Libri në fjalë, natyrisht, është plot sharje për Ballin Kombëtar dhe e quan këtë organizatë si një krijesë të reaksionit për të mbytur lëvizjen ‘nacjonal-çlirimtare’, në bashkëpunim me të huajin. Neve s’na bëjnë më përshtypje këto gjepura, pse kemi më shumë nga gjashtë vjet që po i ndëgjojmë, që n’atë mëngjes kur partija komuniste, e shtytur nga Vukmanoviç Tempo, e grisi marrëveshjen e Mukajt dhe i vuri gramafonit të saj zë-çjerrë një tjetër pllakë kundër Ballit Kombëtar. Por vetëm duamë të vëmë në dukje këtu disa të vërteta që s’mbulohen dot, e që dalin vetvetiu në shesh, si konkluzion logjik, nëpër kritikën e shtrëmbët t’armikut.
“Balli Kombëtar ish munduar të gënjejë masat me parullën se luftonte për një Shqipëri të lirë e të pamvarur, e cila kish për të pasur një rregullim republikan ku fshatari dhe beu të kishin të drejta të njejta, ku zotnia dhe shërbëtori do të kishin po ato të drejta përpara ligjit. Një nga parullat themeltare të Ballit Kombëtar, që e kanë shfrytëzuar për së tepërmi Italianët dhe qeveritë e ndryshme kuislinge, ishin krijimi i një ‘Shqipërie të Madhe’ në të cilën duhej të përmblidheshin Kosova e Metohija si edhe Çamëria.”
“Balli Kombëtar, me këto parulla, kish arrijtur të hyjë në disa shtresa popullore. Krerët e Ballit Kombëtar janë reaksionarë të cilët bëjnë një politikë të dyfishtë, por rreth tyre është mbledhur një numur mjaft i math njerëzish me të vërtetë të nderçim dhe me influencë, të cilët besojnë verbërisht tek kryetarët. Kështu ndodhen në’ të njerëz që gjer tani nuk kanë qënë përqafuar nga lëvizja nacjonal-çlirimtare, dhe s’marrin dot një qëndrim të këputur.” (Sang. Trad. f. 77, nga relacioni i Miladin Popoviçit, me K.Q. të P. K. Jugosllave, 19 Prill 1943)
Ja ku na dolli tani, nga vetë raporti i Miladin Popoviçit, që Balli Kombëtar s’paska qënë fund e krye korb i zi por pëndët e trupit i paska pasur të bardha dhe vetëm kokën të zezë ! Por sesi mund të shkonin verbërisht gjithë këta njerëz të nderçim pas kryetarëvet trathtarë, këtë i-a lëmë për shpjegim llogjikës së Popoviçit.
Më poshtë :
- “Drejtuesit e Ballistëvet nuk donin të njihnin ekzistencën e të tjera organizatash përveç Ballit Kombëtar, dhe e shikonitn komitetin qëndror të nacjonal-çlirimtares si një organizatë tipikisht komuniste. Me Ballistët qenë zhvilluar në vend bisedime të gjata e të pafrytshëme. Ndër’to i shtyjmë për bashkëpunim, por drejtonjësit pastaj i bindin në të kundërtën. Ky Balli na ka bërë të humbasim shumë kohë dhe punë. Vetem se ky vepërim, në tërësinë e tij, nuk ka mbetur i pafrytshëm. Shumë fshatra kanë qënë çkëputur nga influenca e Ballit, jo nga që kemi zhvilluar një luftë të hapët kundër tij, por me guximin tonë në luftën kundër pushtuesit.” (Sang. Trad. f. 77)
“Disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha, u epnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin Kombëtar, ndërsa linin pas dore aktivitetin që duhej zhvilluar në rradhët e Ballit Kombëtar për të demaskuar kryesinë e sajë reaksionare dhe trathtare.” (Sang. Trad. f. 78)
Partia komuniste nuk donte të zbatonte vendimet që kish marrë në konferencën e saj të përgjithëshme të Labinotit, përsa i përkiste krijimit të një ushtrije komuniste ose ‘nacional-çlirimtare’, pa u-marrë vesh me Ballin Kombëtar pse kish frikë mos zgjuante dyshime në Ballin dhe dështonte marrëveshja. Por Svetozar Vukmanoviç-Tempo dhe Blazo Jovanoviç e shtyjnë me pahir në këtë drejtim.
“Zbatimi i vendimevet të konferencës përsa i përkiste formimit t’ushtërisë nuk po ecte shpejt, nga qëndrimi i mvarur i disa antarëve të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha. Shkaku i këtij qëndrimi të pavendosur duhej kërkuar në përçapjet për marrëveshje me organizatën e Ballit Kombëtar.”
“Disa ditë pas konferencës së Parë të përgjithëshme, arriti në katundin Labinot, ku ndodhej një pjesëe e K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Svetozar-Vukmanoviç-Tempo. Në bisedimet e tij në Labinot me disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Vukmanoviç-Tempo, bashkë me Blazo Jovanoviçin, nënvizoi edhe njëherë detyrat kryesore të partisë në çështjet ushtarake. Ai u-mundua të vërtetojë se ish i domosdoshëm formimi i komandës së lartë t’ushtërisë nacional-çlirimtare të Shqipërisë pa pritur rrjedhën e bisedimeve me Ballin Kombëtar, i cili ish duke organizuar me ngulme ushtërinë e tij dhe i zgjatte me qëllim bisedimet me lëvizjen nacional çlirimtare. Mos me ia hyrë menjëherë formimit të komandës së lartë t’ushtërisë nacional-çlirimtare, donte të thosh t’i shkoje pas qejfit Ballit Kombëtar dhe planevet të tij trathtare. Këtë nuk e kuptuan, pra, disa antarë të K.Q. të P. K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha e Dr. Ymer Dishnica, nga papjekuri e tyre politike dhe pse s’kishin kurrfarë prespektive. Ata besonin se ish m’e dobishme të mbaronin njëherë bisedimet me Ballin Kombëtar, pa pastaj të mendonin për formimin e komandës së lartë e të njësivet sulmonjëse, sepse po t’i a hynin kësaj pune shpejt, Balli Kombëtar mund të tërhiqej nga bisedimet. Po t’a shpejtojmë mëkëmbjen e ushtërisë, thoshin ata, do të ngjallim dyshime tek Balli Kombëtar, gjë kjo që do t’na e bëjë të pamundur marrëveshjen.” (Sang. Trad. f. 53, nga bisedimet me Svetozar Vukmanoviç-Tempo)
“Për të njëjtat arsye, disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare ishin kundër krijimit të njësivet të lëvizëshme. Shoku Vukmanoviç-Tempo këshilloi si – të domosdoshëm kalimin prej kompanish fushore (që nuk bëjnë jetë ushtarake) në detashmente partizane, që duhet të bëjnë jetë ushtarake të tamamtë, të jenë vazhdimisht n’ofensivë, lehtësisht të trasferuarshëm. Gjithashtu duheshin formuar me doemos njësira ushtarake më të mëdha…etj..” (Sang. Trad. f.53)
“Nga ky qëndrim i Enver Hoxhës, u-arrit në formimin e kumandës së lartë vetëm katër muaj pas konferencës së Parë të përgjithëshme, dhe në formimin e brigatës së parë vetëm pesë muaj pas konferencës. Njësitë ushtarake të trasferuarshme e sulmonjëse u-krijuan vetëm pas një ndërhyrjes së re të shokut Svetozar Vukmanoviç-Tempo, i cili, nga gjysma e dytë e Korrikut të 1943-së, duke u-kthyer prej Greqie, arriti në katundin Kucakë, afër Korçës, dhe parashtroi rishtas në gji të mbledhjes së K.Q. të P. K. shqiptare pikpamjen e tij : - Insistova rishtas mbi nevojën kalimit të domosdoshëm prej kompanish territoriale të fushavet në detashmente partizane të transferuarshëm dhe në njësira ushtarake më të mëdha e të rregullta. Mbasi aktiviteti përsa i përket organizimit të fuqisë në tokat e çliruara ish lënë mbasdore krejt, kam nënëvizuar nevojën e fillimit të menjëhershëm të një organizimi t’autoritetit ushtarak të prapavijavet, më parë se të mbaronin përpjekjet për marrëveshje me Ballin Kombëtar.” (Sang. Trad. f. 54)
“Svetozar Vukmanoviç-Tempo, pasi u-pranuan definitivisht propozimet e tij nga anë e K.Q. të P.K. shqiptare, u-nis për në Maqedhoni.” (Sang. Trad. f. 55)
Auktori mendon se ky qëndrim i antarëvet të K.Q. të P.K. shqiptare në lidhje me Ballin Kombëtar u-vinte nga papjekuri e tyre politike, nga mungesa e një pregatitjeje theorike, dhe nga që s’kishin prespektiva se qysh do të zhvilloheshin ngjarjet pas përzënjes s’okupatorit, as vendosmëninë në luftën kundër reaksionit të mbrëndshëm.
“Për këtë shkak u-arrit në kapitullimin e turpshëm t’antarëve të K.Q. të P.K. shqiptare, të delegatëve të K.Q. të nacional-çlirimtares, përpara drejtonjësve të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukajt më 1 dhe 2 Gusht 1943. Në krye të delegatës të K.Q. të nacional-çlirimtares ndodhej një nga antarët e lëkundshëm të zyrës politike të K.Q. të P.K. shqiptare, Ymer Dishnica, intelektual nga familje bejlerësh, i cili kish jetuar gjatë në Francë, dhe ish ndënë influencën e social-demokracisë, siç ishin shumë intelektualë komunistë shqiptarë që kishin studjuar në Francë. Dërgata e K.Q. të nacional-çlirimtares ra kryekëput në pozicionet reaksionare të drejtonjësve të Ballit Kombëtar, duke pranuar krijimin e një t’ashtuquajturi ‘Komitet i Shpëtimit Kombëtar’, të cilit i u-dhanë të gjitha kompetencat për të drejtuar lëvizjen e çlirimit kombëtar, ndërsa komiteti qëndror i nacional-çlirimtares nuk zihej ngoje fare dhe s’flitej për të sikur edhe një fjalë. Në rezolutën e nënëshkruar nga dërgata e komitetit qëndror të nacional-çlirimtares me krerët e Ballit kombëtar, nuk shënohet aspakë lufta kundër okupatorit, as bëhet fjalë për lëvizjen nacional-çlirimtare dhe fitoret e saj në të kaluarën. Në vënd të përshëndetjes ‘Vdekje Fashizmit – Liri Popullit’, u-vu fjala nacionaliste ‘Ja Vdekje – Ja Liri’. Ndër detyrat e ‘Komitetit të Shpëtimit Kombëtar’ figurante edhe krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’, parrullë me të cilën vepëronin pushtuesit italianë, gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe trathtorët e tjerë.”
Nga mbarimi i Korrikut të 1943-së, në vegjiljen e konferecës së Mukajt, shoku Svetozar Vukmanoviç-Tempo kish arritur rishtas pranë selisë së K.Q. të P.K. shqiptare që ndodhej në katundin Kucakë. Në mbledhjen e K.Q. të P.K. shqiptare, me kërkesën dhe institimin e Koçi Xoxes, ai parashtroi pikpamjen e tij në lidhje me qëndrimin e tij kundër Ballit Kombëtar dhe qëndrimin rreth krijimit të brigatavet sulmonjëse, do me thënë njësivet ushtarake në lëvizje, t’ushtërisë nacional-çlirimtare të Shqipërisë. Në lidhje me shpjegimet në gji të kësaj mbledhje të K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Vukmanoviç-Tempo thotë : - “Duk’me qënë që K.Q. i P.K. shqiptare, me Enver Hoxhën në krye, i-jep rëndësi të madhe marrëveshjes me Ballin Kombëtar, kam dashur t’i bind që ish shumë më e dobishme të forcohej lufta e armatosur kundër okupatorit në të gjtha anët e Shqipërisë, të zhvillohej një ativitet politik m’i fortë në qarqet e ulëta dhe në njësitë ushtarake të Ballit Kombëtar, të bëhet i mundur dallimi midis tyre, kështu që të shihej kush ishte për luftë kundër okupatorit, dhe të demaskoheshin përpara masavet elementet trathtare. Të shpartalloheshin në çast, me forcë ushtarake të gjitha ato njësi të Ballit Kombëtar që do të bashkëpunonin me okupatorin. Me një fjalë, duhej luftuar gjallërisht për të bërë ndarje e dallime ndër rradhët e Ballit Kombëtar, për të tërhequr në lëvizjen nacional-çlirimtare elementet patriotë, dhe për të ç’farosur me armë bashkëpunëtorët e ç’faqur t’okupatorit. Disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha e Dr. Ymer Dishnica, thoshnin që ish e dobishme të pritej gjersa ky dallim të bëhej vetë në rradhët e Ballit Kombëtar. Mbasi u-vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së komitetit, u-muar më në fund qëndrimi që duhej. Komiteti Qëndror i P.K. shqiptare e dënoi trathtinë e turpshme të Mukajt.” (Sang. Trad. f. 79)
Ja se ç’thotë edhe Miladin Popoviçi në raportin që i bën komitetit qëndror të P.K. jugosllave, më 19 Tetor 1943 : - “Shokët delegatë ranë në Mukaj mbi pozicjonet e nacionalistëvet dhe qenë mbushur me opurtunizmë, duke u-kënaqur vetëm me ndonjë ndryshim fjale ose fraze të programit. Ndodhej atëherë këtej shoku Tempo. E rrahëm çështjen edhe me komitetin qëndror duke e studjuar krejt punën, gjendjen, etj., dhe vendosëm t’a kthejmë manifestën e të mos e njohim mënyrën e organizimit të ‘Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë’, as fonksonin e tij si autoriteti m’i lartë në luftën e çlirimit kombëtar, të mbledhim menjëherë konferencën dhe të zgjerojmë komitetin qëndror të nacional-çlirimtares.” (Sang. Trad. f. 79 e 80)
- “Menjëherë pas konferencës së Mukajt u-thirr në Labinot konferenca e dytë e komitetit qëndror të nacional-çlirimtares, në gji të së cilës u-muar një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar.” (Sang.Trad. f. 80)
Pasi i rreshton të gjitha këto fakte, auktori i mëshon Ballit Kombëtar me gjuhën komuniste, e quan organizatë trathtare, bashkëpunëtore me okupatorin etj..
Le njëherë s’janë jugosllavët ata që gjykojnë se kush është trathtar e kush është patriot në Shqipëri, por, sido qoftë, një njeri që ka pesë pare mend, arsyeton kështu.
Sikur Balli Kombëtar t’ish një organizatë në bashkëpunim me okupatorin, pse do të kërkonin aq fort komunistët të merreshin vesh me’ të, aqë sa s’donin të krijonin ushtëri, s’donin të bënin kumandë ushtarake, s’donin të merrnin asnjë inisjativë pa u-bashkuar me Ballin Kombëtar ?
Sikur Balli Kombëtar të kish bashkëpunuar me okupatorin, përse në Mukaj partia komuniste i u-nënshtrua vijës politike të tij, dhe s’kuxonte n’asnjë mënyrë të shqepej nga ajo vijë gjersa Vukmanoviç-Tempo dhe Miladin Popoviçi e shkulën që andej me shqelm ?
Në këtë mes, kujt i mbetet përgjegjësia e luftës vëlla-vrasëse, Ballit Kombëtar që s’i luan marrëveshjes apo partisë komuniste që, e-shtytur nga Vukmanoviç-Tempo, e-theu Lidhjen e Mukajt dhe e sulmoi befas Ballin Kombëtar ?
Ç’kuptim kanë fjalët e Vukmanoviç-Tempos kur thotë se ‘duhet luftuar gjallërisht për të bërë ndarje e dallime ndër radhët e Ballit Kombëtar, për të tërhequr elementët patriotë në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe për të çfarosur me armë bashkëpunëtorët e okupatorit’ ?
Me fjalë të tjera a nuk do të thotë kështu : - Të shikojmë në rradhët e Ballit Kombëtar cilët janë ata që mund t’i nënshtrohen partisë komuniste, dhe të tjerët t’i quajmë sikur bashkëpunojnë me okupatorin e t’i çfarosim me armë ? Dhe çfarosja filloi menjëherë. Pse Mehmet Shehu bashkë me Dushanin, menjëherë pas prishjes së marrëveshjes së Mukajt, zunë afër Lushnjes 68 ushtarë të Ballit Kombëtar dhe i-therrë të gjithë në një gjak, sikur ishin zoq pule dhe jo bujq Myzeqeje ? Një mizori të tillë se kanë bërë as Hunët e Atilët as Jeniçerët e Otomanëvet, s’di në se e kanë bërë Tartarët e Gengis-Khanit. Dhe pastaj përgjegjësinë e luftës vëlla-vrasëse e paska Balli Kombëtar ! Pse ky, kur pa që antarët e tij po binin ndënë thikën e përgjakur si bagëtia në kasaphanë, s’duhej të kish luftuar, por t’ulte xverkun ndënë satërin e Dushanit dhe t’i thosh : – ‘prema kokën në qetësi’ !
Një nga përpjekjet më djallëzore të komunistëvet ka qënë që t’a paraqesin Ballin Kombëtar si bashkëpunëtor të Gjermanëvet. Kurse e vërteta është që Balli Kombëtar i priti me luftë Gjermanët, në Barmash, në Qafë të Thanës, në rrethet e Vlorës, dhe pikërisht në këtë kohë partia komuniste e goditi me trathëti befas që mbrapa krahëvet. Atëhere ç’të bënte Balli Kombëtar, nëse ai luftonte me komunistët për të mprojtur vehten, duke goditur edhe Gjermanët nga ana tjetër, atje ku mundte dhe me ato fuqi që kishte.
Kjo ishte gjendja ku e kish hedhur vendin Partia komuniste me shtytjen e Serbëvet.
- Balli Kombëtar dhe Kosova
Sa për pikëpamjen e Ballit Kombëtar në lidhje me problemin e Kosovës, shih se ç’thotë Libri i Bardhë i Ministrisë së Punëvet të Jashtëme Jugosllave :
- “Një nga parrullat themeltare të Ballit Kombëtar, që e kanë çfrytëzuar përsëtepri italianët dhe qeveritë e ndryshme kuislinge, ishte krijimi i një ‘Shqipërie të Madhe’, në të cilën duhej të përmblidheshin Kosova Metohija si dhe Çamëria.” (San. Trad. f. 77.)
“Në konferencën e parë për formimin e partisë komuniste shqiptare, më 8 Nëntor 1941, u-dënua ashpër pikpamja e ‘gabuar’ që kishin patur gjer atëhere disa grupe komuniste, kur mendonin se ‘zmadhimi i Shqipërisë do të kishte shtuar edhe numrin e komunistëvet e të proletarëvet, të cilët do të na kishin ndihmuar në krijimin e partisë ; kjo është pikpamje shoviniste më e errët dhe në të vërtetën i shërben imperializmit.” (Sang. Trad. f. 44)
E shihni patriotizmën komuniste ?
Edhe ata grupe që, përpara se të formohej partia, ‘e pranonin’ një Shqipëri të madhe, nuk e kishin këtë nga dashuria kombëtare që kërkon të mbledhë mbrenda kufivet ethnike të gjithë bijt e shqipes, por nga pikëpamia e dobisë që do të kish pasur partia komuniste, se “zmadhimi i Shqipërisë do të shtonte edhe numrin e komunistëvet e të proletarëvet, të cilët do të ndihmonin n’organizimin e partisë”.
Komiteti qëndror i partisë komuniste Jugosllave, në një letër të drejtuar komitetit qëndror të P.K.Shqiptare në Nëntorin e 1943-së, i jep udhëzime këtij të fundit se ç’qëndrim duhet të mbajë përsa i përket çështjes së Kosovës e të Metohisë. “Të vesh sot problemin e aneksimit, kjo do të thotë të hedhësh ujë në mulli të reaksjonarëvet… etj..”
Kjo letër e këshillon komitetin qëndror të partisë komuniste shqiptare që të mos shikojë tjetër gjë vetëm luftën kundër okupatorit pse lufta do të sjellë demokracinë e vërtetë në Jugosllavi e Shqipëri, dhe atëhere problemi i Kosovës nuk paraqitet fare, mbasi populli i asajë krahine do të mund të jetojë në vllazëri të plotë me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
“Sot në popullsinë Shqiptare të Kosovës e të Metohisë duhet zhvilluar një dashuri vëllazërore kundrejt popujvet heroikë të Jugosllavisë e për luftën e përbashkët kundrejt shtypësvet Gjermanë. Vetëm nëpërmjet të një lufte të këtillë populli shqiptar mund të sigurohet se lëvizja nacjonal-çlirimtare në Jugosllavi nuk është dhe nuk mund të jetë armike e tij, por mike dhe bashkëpërpjekëse në luftën për një t’arthme më të mirë të të dy palëvet. Jugosllavija e re që po krijohet, do të jetë një vend popujsh të lirë ku nuk do të ketë shtypje kombësish, as edhe për pakicat shqiptare.” (Sang. Trad. f. 116, letër e K.Q. të P.K. Jugosllave drejtuar K.Q. të P.K. Shqiptare)
Origjinale është edhe kjo : – Partia Komuniste shqiptare pret udhëzime nga K.Q. i P.K. Jugosllave mbi qëndrimin që duhet të mbajë në çështjen e Kosovës !
Krijimi i Shqipërisë Ethnike që u-caktua në programin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, në Mukaj, me këmbënguljen e Ballit Kombëtar, qe ajo që u-dogji më tepër këshilltarëvet jugosllavë. Ata e quajnë këtë si një parullë me të cilën ‘vepëronin pushtuesit italianë, gjithë qeveritë kuislige, Balli Kombëtar dhe trathëtarët e tjerë’. Natyrisht, për këshilltarët jugosllave ishin trathëtarë ata që kërkonin këputjen e Kosovës nga Jugosllavija. Por çudija është se këtë fjalë e kishin në majë të gjuhës edhe komunistët shqiptarë, të cilët flisnin si papagalli që përsërit atë çka dëgjon. Me këtë rast, na kujtohet përgjigjja aqë e thjeshtë sa dhe e bukur që Hysni Lepenica u-dha disa komunistëve, kur thoshin se të kërkosh Kosovën është trathëti, passi atë e kërkojnë edhe fashistët.
“Po mirë, tha Hysniu, fashistët hanë bukë, pinë edhe ujë, atëhere të mos hamë bukë e të mos pimë ujë edhe ne pse hanë e pinë ata ? “.
Megjithëse ‘Shqipërija e Madhe’ e fashistëvet me Shqipërinë Ethnike të Ballit Kombëtar janë dy ide aqë të ndryshme sa nata me ditën. Fashistët kërkonin ‘Shqipërinë e Madhe’ vetëm për të përdorur fjalë të mëdha që ishin bomba tymi të stilit fashist, pse, në të vërtetën, Shqipëria ndënë fashizmin, e madhe ose e vogël, ishte mollë në xhep të tjetërkujt. Kurse Balli Kombëtar nuk kërkon ndonjë Shqipëri të Madhe për hatër të madhësisë, por kërkon Shqipërinë e Shqiptarëvet, Shqipërinë Ethnike, një Shqipëri që të përmbledhë mbrenda kufivet të gjithë bijt e saj.
Sipas mendimit të komunistëvet jugosllavë Balli Kombëtar e kërkonte Kosovën i shtytur prej qarqeve reaksjonare të Perëndimit.
“Një nga mjetet me të cilat reaksjonarët e Perëndimit donin t’a minonin lëvizjen nacjonal-çlirimtare, ishte parulla shoviniste e Shqipërisë Ethnike, e veçanërisht e Kosovës dhe Metohisë. Kjo parullë, për shembull, zinte vendin e parë në programin e Ballit Kombëtar.” (Sang. Trad. f. 115).
“Gjithë oficerët anglezë janë barabar t’interesuar në Kosovën. Interesohen shumë të dinë se ç’mendojnë Shqiptarët për’të, që nga fshatari gjer te kryetari i qeverisë, dhe në këto gjurmime janë këmbëngulët.” (Sang. Trad. f. 117).
“Pranë disa grupevet terroristësh (kështu quhen në gjuhën komuniste ata që luftonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë) në Kosovë e Metohi, me 1944 e 1945, ndodheshin oficerë ndërlidhës të një fuqije të huaj perëndimore. Kryetari i gjithë bandavet terroriste (d.m.th. i fuqivet që luftonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë), Ejup Binaku, mbante kontakte të vazhduarshëme me misjonet e huaja në Tiranë. Një nga miqt’e ngushtë të Ejup Binakut ishte Haki Taha, mësues në Tiranë, i cili vrau trathëtish në Prishtinë, më 1945, heroin kombëtar (të cilit komb?!) Miladin Popoviç.” (Sang. Trad. f. 118).
Kjo është puna që bënte Balli Kombëtar në Kosovë. Kurse partia komuniste, jo vetëm që e dënonte idenë e një Shqipërije Ethnike, por më 1945 dërgoi fuqi t’armatosura në Kosovë për të shtypur kryengritjen që kish frymëzuar Balli Kombëtar, dhe për t’i a dorëzuar Titos të nënështruar.
Nga fillimi i 1945-së, komanda e lartë e ushtërisë jugosllave kërkoi hyrjen e dy divizioneve shqiptare në Jugosllavi, gjoja për të ndihmuar në luftën kundër Gjermanëvet. Qëllimi i vërtetë ish që këta Shqiptarë të thyenin lëvizjen e Kosovës duke i treguar popullit Kosovar se Shqipëri e Jugosllavi u-bënë një gjë e përbashkët, dhe se s’ish më nevoja të kërkonin bashkimin e krahinës së tyre me Shqipërinë.
“Divizjoni i pestë shqiptar u-dërgua drejtë për drejtë në Kosovë e Metohi, ku, bashkë me njësitë e ushtërisë nacjonal-çlirimtare të Jugosllavisë, mori pjesë në çlirimin e Prizrenit e të Gjakovës.” (Sang. Trad. f. 69).
Trathëtinë kundrejt Kosovës dhe krimet kundrejt kosovarëvet të pafajshëm i pohon vetë qeveria e Tiranës, si pa gjë të keqe, në përgjigjjen qe i jep qeverisë jugosllave ‘mbi denoncimin unilateral të traktatit të miqësisë dhe të ndihmës reciproke midis të dy vendevet’. Vetëm se këtë faj i a heth Koçi Xoxes, i cili është bërë sot cjapi gjynahqar i të gjitha krimevet komuniste në Shqipëri, kurse këta të shkretët që kanë mbetur tani, janë engjëj të bardhë dhe s’kanë pasur gisht aspakë n’ato krime. Shif gazetën ‘Zëri i Popullit’, datë 23 Nëntor 1949, pikën 14 të notës që i është dhënë qeverisë jugosllave : - “…Populli Shqiptar i Kosovës është masakruar dhe po masakrohet barbarisht, më keq se në kohën e Gestapos, nga organet e U.D.B.-së të qeverisë jugosllave. Me mijëra Kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht, pa gjyq nga organet e U.D.B.-së gjatë luftës dhe pas luftës. Në këto masakra të pashembullta të popullsisë të Kosovës ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gji të qeverisë shqiptare, trathëtari Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur, në cilësinë si ministër i mbrendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e U.D.B.-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën Shqiptare më tepër se 1000 Kosovarë të pafajshëm.”
Këta janë komunistët e Shqipërisë, me ndihmën e të cilëvet oficerët jugosllavë paskan vrarë, vetëm në tokën Shqiptare, më tepër se 1000 Kosovarë të pafajshëm që kishin ardhur të gjejnë strehë në atdhenë-mëmë, si ata zoqt e mjerë kur i shtërngon dëbora ; po merreni me ment se ç’kasapanë është bërë në Kosovë. Qeveria shqiptare i paska ditur krimet që bënin komunistët jugosllavë në Kosovë, duke ‘pushkatuar në masë, ilegalisht, pa gjyq, me mijra Kosovarë të pafajshëm, gjatë luftës dhe pas luftës’ ; dhe, me gjithë këtë, gjer n’atë ditë që u-prish me Moskën, Titua ndodhej “jo në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e popullit Shqiptar” – thosh Enver Hoxha.
Ah, Komuniste ! Vetëm ata qo ju kanë parë për s’afërmi ju njohin juve se ç’ini. Ju monstra që ushqeheni me mish njeriu ; ju fytyra t’errëta e katile që bini erë gjak, që frymëzoni tmerr, ju që, gjer dje, si xhelat-ndihmës të Jugosllavëve, lost satërin mbi Kosovarët, ju na dalkeni sot me një cinizmë të ndyrë, t’i tregoni Ballit Kombëtar detyrat kundrejt Kosovës !
Këto rreshta nuk i shkruam për t’u dhënë ndonjë përgjigjje komunistëvet, se tek komunistët s’ka vend arsyeja. As për t’i treguar popullit në Shqipëri se ç’janë komunistët, pse ai ka vjetë me radhë që po i sheh. Ai e di qe komunistët nuk vepërojnë as pas kokës së tyre as pas llogjikës kombëtare, por zbatojnë pikë për pikë atë çka u vinte dje nga Belgradi, sot nga Moska. Sikurse Balli Kombëtar që u-gdhi befas një mëngjes – me shtytjen e Vukmanoviç-Tempos – organizatë trathëtare, bashkëpunëtore e të huajit, etj., ashtu pesë vjet më vonë Titua, që në mbrëmje ndodhej ‘jo në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e popullit Shqiptar’, me një telegram që erdhi nga Moska pas-darke, u-gdhi fashist, murtajë e nëmur, e djall i zi !
Populli Shqiptar i a ka njohur aqë mirë partisë komuniste natyrën e qenit, të papagallit e të majmunit, saqë s’ka nevojë t’i a tregojmë ne. Por këto rreshta i shkruajmë për ata Shqiptarë që, gjatë këtyre dhjetë vjetëve, kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe s’kanë asnjë ide mbi zhvillimin e ngjarjevet atje brenda. Dhe qe, t’influencuar nga gramafoni i propagandës së Tiranës, nga ndonjë politikan-hamall si Tuk Jakova ose ndonjë cinxami ferre si Behar Shtylla, i hedhin gurë edhe ata Ballit Kombëtar, kësaj organizate martire që, në këto dhjetë vjetë, u-bë kështjellë e përgjakur kundër çdo vale imperjaliste që i u-turr Shqipërisë.
Marrë nga gazeta FLAMURI Janar 1950