Përse partia socialiste përpiqet të kapë Akademinë e Shkencave?

Aktualiteti, Historia Comments Off

Prej disa vitesh në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është Skënder Gjinushi, një ish-ministër arsimi në kohën e PPSH-së dhe drejtues i një partie të majtë në kohën e demokracisë. Mandati i tij  në krye të Akademisë sapo ka përfunduar pa të drejtë rizgjedhje. Dhe pikërisht tani, në formën e një puçi, jashtë afateve ligjore dhe duke shkelur rregulloren e parlamentit, partia socialiste po paraqet një projekt-ligj i cili do t’i mundësojë ish ministrit të PPSH të jetë edhe të paktën një mandat tjetër në krye të Akademisë. 

Por përse gjithë ky mundim dhe gjithë ky nxitim? Përse partia socialiste kërkon medoemos të mbajë Skënder Gjinushin në krye të Akademisë?

Përgjigja është e thjeshtë. Sepse me anë të Akademisë  partia socialiste ka qëllimin që t’u propagandojë shqiptarëve versionin e saj të historisë. KJo parti, pas « fitoreve » të njëpasnjëshme të zgjedhjeve ndihet sot mjaft e fuqishme për të filluar zbatimin haptas të objektivave të saj. Një prej të cilëve është rehabilitimi i periudhës së diktaturës komuniste. Natyrisht, me disa retushime për t’iu përshtatur kontekstit aktual, por me të njëjtin thelb. 

Për partinë socialiste dikatura komuniste është një periudhë « e ndritur » e historisë së Shqipërisë. Natyrisht me disa « gabime ». Vetë kryeministri Edi Rama pati deklaruar se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë. Kurse nacionalizmin shqiptar partia socialiste e konsideron gjithmonë si bashkëpuntor të pushtuesve nazi-fashistë dhe vazhdon të përpiqet  ta denigrojë duke nxjerrë gjoja fakte të reja nga arkivat. 

Propaganda komuniste në Shqipëri u ndërpre përkohësisht në vitet ’90 me fitoren e demokracisë në Shqipëri. Por më pas ajo ka vazhduar në një formë të fshehur dhe indirekte. Vitet e fundit kjo propagandë është rigjallëruar me transmetimin e filmave të kohës së komunizmit pa asnjë kontroll apo kuadër, me botime të ndryshme propagande etj. Por kjo me sa duket nuk u mjafton nostalgjikëve të komunizmit sot në pushtet. Prandaj përpiqen që të kontrollojnë edhe Akademinë e Shkencave, të cilës i kanë përcaktuar edhe misionin e rishkrimit të historisë së Shqipërisë, që do të thotë në të vërtetë imponimin dhe propagandimin e versionit komunist të historisë me disa retushime.

Qëllimi i vërtetë është që kjo të jetë historia zyrtare dhe ajo që do t’iu mësohet nxënësve nëpër shkolla. Do të ishte diçka shumë e rëndë që nxënësit shqiptarë të mësonin se sa e « ndritur » ishte diktatura komuniste apo se nacionalistët ishin « tradhëtarë » që luftuan për Shqipërinë Etnike!

Shndërrimi i Akademisë së Shkencave në një organ propagande të pushtetit socialist do të ishte një lajm i keq për Shqipërinë dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Në radhë të parë do të ishte edhe një goditje tjetër për demokracinë dhe institucionet demokratike. Por do të ishte edhe një përpjekje për të futur në qorrsokak kombin shqiptar, për t’i treguar atij një histori të rreme, të pavërtetë dhe për ta detyruar të veprojë në bazë të fakteve dhe analizave të rreme të cilat do t’i shkaktonin vetëm humbje kohe dhe ndoshta tragjedi të reja. 

Akademia e Shkencave duhet të jetë një insitucion shkencor puna e së cilës duhet të bazohet tek faktet dhe e vërteta nëse dëshirojmë që punimet dhe studimet e saj të kenë një vlerë. Ajo nuk duhet kurrsesi të politizohet dhe kjo fillon me drejtuesit e saj. Vendosja në krye të saj e një politikani është një sinjal i keq dhe e dekredibilizon këtë institucion. Aq më tepër nëse kjo Akademi do të shkruajë historinë e Shqipërisë dhe sidomos atë gjatë Luftës II Botërore dhe të periudhës së komunizmit. 

Por nuk mund ta shkruajnë këtë pjesë të Historisë së Shqipërisë ata që kanë qenë pjesë e elitës së sistemit komunist, sepse kanë konflikt interesi dhe janë të indoktrinuar me ideologjinë komuniste. Këtë Histori mund ta shkruajnë vetëm studiues të rinj, të formuar në vende të lira dhe demokratike, jashtë ndikimeve partiake dhe ideologjike, intreresi i vetëm i të cilëve duhet të jetë e vërteta shkencore që do t’ua transmetojnë brezave.

Xhemil Meço

Author

Back to Top