Greqia kërkon të ngjallë « Vorio-Epirin »

Aktualiteti Comments Off

Në datën 14 gusht u mbajt në Himarë një protestë për lirimin e Fredi Belerit, i cili në zgjedhjet e fundit vendore ishte kandidat i aleancës « Bashkë Fitojmë », i propozuar nga PBDNJ. Në këtë protestë merrnin pjesë edhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve më të mëdha të Greqisë, Athinës dhe Selanikut. Ajo që kërkohej nga pjesëmarrësit ishte lirimi i Fredi Belerit, i cili dy ditë para zgjedhjeve u ndalua nga policia me akuzën e krimit elektoral të shitblerjes së votës dhe si rrjedhojë nuk ka mundur të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë së Himarës, pas zgjedhjeve të 14 majit ku « fitoi » me 19 vota ndaj kandidatit të partisë socialiste.
Por përse Greqia interesohet kaq shumë për një çështje të brendshme të Shqipërisë? Rasti i dy kryetarëve të bashkive nuk është i pari. Që prej ndalimit të tij, Greqia është përpjekur ta ndikojë drejtësinë në Shqipëri që Fredi Beleri të lirohet dhe të njihet si kryetar i bashkisë së Himarës. Kryeministri i Greqisë, Ministri i Jashtëm, komisionerë grek në Bashkimin Europian, deputetë grekë etj. janë hedhur në sulm ndaj Shqipërisë duke arritur deri atje sa ta kërcënojnë me bllokimin e rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Europian. Është ky një qëndrimi i çuditshëm ku një shtet i BE përpiqet me arrogancë të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti fqinj. Greqia pra po ndërhyn haptas në punët e brendshme të Shqipërisë dhe po përpiqet të ndikojë institucionet e drejtësisë shqiptare.
Ndërhyrja e Greqisë në këtë çështje ka vetëm një shpjegim: ajo po synon të ringjallë fantazmën e Vorio-Epirit dhe të cënojë integritetin territorial të Shqipërisë.
Himara është vënë prej kohësh në shënjestrën e qarqeve ekstremiste vorio-epirote në Greqi, të cilat janë përpjekur ta paraqesin në mënyrë të gënjeshtërt këtë qytet shqiptar si pjesë të minoritetit grek. Duke shfrytëzuar problemet me pronat që, si në të gjithë Shqipërinë, ekzistojnë edhe në Himarë, këto qarqe ka kohë që përpiqen të vendosin në krye të bashkisë një partizan të Vorio-Epirit. Dhe Fredi Beleri duket se është një i tillë. Gjatë fushatës së tij në Greqi flamuri i Vorio-Epirit shfaqej qartas në sfond. Z. Beleri justifikohet dhe thotë se nuk e kishte vënë re, por çfarë ndryshon kjo kur duket qartë se ai ndodhet në mes të qarqeve më ekstremiste greke që promovojnë idenë e Vorio-Epirit.
Duke përkrahur një partizan të Vorio-Epirit, duket qartë që edhe Greqia zyrtare po përkrah idenë e Vorio-Epirit, thënë ndryshe aneksimin e Shqipërisë së jugut.
Por si reagon Shqipëria ndaj këtij sulmi? Për fat të keq, thuajse fare. Në radhë të parë politika shqiptare të lë përshtypjen se nuk e ka idenë e interesit kombëtar dhe as nuk e njeh historinë. Por luan më një çështje kaq të ndjeshme për interesa politike afat-shkurtra duke harruar që janë interesat kombëtare ato që mund të dëmtohen rëndë. Opozita, në mënyrë krejt të pakuptimtë, vendosi të bashkëpunojë me PBDNJ në Himarë dhe ra dakord për kandidaturën e Z. Beleri atje. Duke i ditur lidhjet e tij me qarqet vorio-epirote, por edhe dyshimet për pjesëmarrjen e tij në masakrën e Peshkëpisë, drejtuesit e opozitës nuk duhet të kishin pranuar kurrë një kandidaturë të tillë! Ajo që është për të ardhur keq dhe është shumë skandaloze është se « fitorja » e këtij kandidati, përveç votave të blera dhe ato të emigrantëve që erdhën me autobusë nga Greqia, u arrit edhe me votat e opozitës! Përndryshe Z. Beleri nuk do të kishte mundur kurrë të fitonte në Himarë.
Nga ana tjetër qeveria socialiste dhe insitucionet e shtetit shqiptar e lejuan Z. Beleri të kandidonte lirisht në Himarë edhe kur ai shfaqej në ekrane me flamurin e Vorio-Epirit. Kryeministri i Greqisë para zgjedhjeve shkoi në Himarë dhe bëri fushatë hapur për Fredi Belerin në mes të flamujve dhe thirrjeve nacionaliste greke. Si ka mundësi që qeveria shqiptare e lejoi diçka të tillë? Si ka mundësi që të lejohet kjo në një zonë që nuk bën pjesë në minoritetin grek?
Si ka mundësi që as opozita dhe as pozita nuk e ndaluan apo nuk kërkuan çregjistrimin e kandidaturës së Fredi Belerit ? Me sa duket secila palë vuri interesat e ngushta politike mbi ato kombëtare. Për fat të keq, politika shqiptare nuk e ka sot pjekurinë që të arrijë të ketë konsensus për çështje madhore kombëtare, kur sulmohet dhe rrezikohet integriteti kombëtar.
Por çfarë mund të bëj sot Shqipëria përballë këtij sulmi shovinist të Greqisë?
Në radhë të parë do të duhej një konsensus politik për këtë çështje e cila është mbi politikën. Politika, si pozita dhe opozita, nuk duhet të përpiqet të ndikojë institucionet e drejtësisë të cilat duhet të vazhdojnë punën e tyre. Opozita duhet të ndërgjegjësohet që ka bërë një gabim me kandidimin e Fredi Belerit dhe të bëj kujdes në të ardhmen të mos përsërisë gjëra të tilla. Një provë për opozitën do të jenë zgjedhjet e përsëritura që mund të zhvillohen në Himarë.
Kurse qeveria ka përgjegjësinë që të mos lejojë zyrtarët grekë të bëjnë propagandë për greqizimin e Shqipërisë së jugut. Shteti shqiptar duhet të denoncojë çdo ndërhyrje në punët e tij të brendshme dhe të reagojë ndaj tyre përballë Greqisë.
Nga ana tjetër shteti shqiptar duhet të ndalojë menjëherë procesin për « Marrëveshjen e detit » me Greqinë dhe ta rivlerësojë atë në situatën aktuale. Në fakt, nëse pranohet zgjerimi i hapësirës detare të Greqisë nga 6 në 12 milje, kjo do të thoshte se flota ushtarake greke do të kishte mundësinë të vendosej përballë Himarës duke sjellë pasoja të rënda për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Dhe së fundmi, shteti shqiptar duhet të përpiqet që të gjejnë zgjidhje çështja e ligjit të luftës me Greqinë si dhe ajo e pronave të popullsisë çame në Greqi e cila u largua me forcë nga trojet e veta nga ushtria greke në vitin 1944. Pa u zgjidhur këto dy çështje, paqja ndërmjet dy vendeve nuk do të jetë asnjëherë e sigurt.

Xhemil Meço

Author

Back to Top