Botohet libri « Abas Ermenji – Një Jetë Për Shqipërinë »

Botohet libri « Abas Ermenji – Një Jetë Për Shqipërinë »

1944-1990, 1990 - Pas rënies së komunizmit, Aktualiteti, Botime, Diktatura komuniste, Historia, Lufta 1939-1944, Personalitete Comments Off

Me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Profesor Abas Ermenjit botohet libri “Abas Ermenji – Një Jetë Per Shqipërinë” me autor Xhemil Meço. Më poshtë mund të lexoni parathënien e këtij libri.

Profesor Abas Ermenjin e kam takuar për herë të parë në fundin e verës së vitit 1990. Sapo kisha arritur si refugjat me ambasadat në Francë me një grup të rinjsh shqiptarë. Autoritetet franceze na kishin vendosur në një qytet të vogël në periferinë e largët të Parisit, dhe Profesori u kishte kërkuar atyre ta lejonin që të vinte të na takonte dhe të na fliste. 

Ishim të gjithë të impresionuar dhe kureshtarë. E dëgjuam në heshtje sepse, megjithëse pak kush e njihte në të vërtetë, të gjithë e kuptonin se bëhej fjalë për një kundërshtar të komunizmit, apo në terminologjinë komuniste një « armik» të tij. Në një sallë ku ishim rreth 50 veta, Profesori na foli për rreth një orë për historinë e Shqipërisë, për nacionalizmin shqiptar, për Kosovën dhe, në fund, për gjendjen e atëhershme në Shqipëri dhe se në çfarë drejtimi duhet të shkohej. 

Historia e Shqipërisë, çështja kombëtare shqiptare dhe zgjidhja e saj do të ishin gjithmonë tema e bisedave me Profesorin, si në ambiente publike por edhe në ato private apo familjare, ku më vonë do të kisha rastin të isha i pranishëm. 

Pas këtij takimi të parë, do ta takoja rregullisht Abas Ermenjin në Paris. Pasi më pyeste për studimet që kisha filluar apo se si po kaloja me hallet dhe problemet e emigrimit, biseda kalonte shpejt në temat e preferuara të historisë dhe politikës. Kishte raste që më fliste edhe për ngjarje, ndodhi apo personazhe të kohës së Luftës, duke sjellë aty një kohë të kaluar, mjaft interesante dhe shumë larg asaj që na lejon të shohim historia në përgjithësi dhe aq më pak historia zyrtare komuniste. 

Gjatë asaj kohe, por edhe më vonë, pas kthimit në Tiranë, pata rastin ta njoh nga afër Profesor Abas Ermenjin. Ndryshe nga ç’e paraqiste propaganda komuniste, Profesor Ermenji ishte një atdhetar i vërtetë, i pasionuar për çështjen kombëtare dhe i përkushtuar për Shqipërinë, atë Etnike sigurisht. E gjithë jeta e tij i ishte kushtuar Shqipërisë dhe asgjë tjetër nuk i interesonte. I rreptë, me autoritet të natyrshëm, por i kuptueshëm dhe shumë njerëzor. Fliste bukur dhe i bënte shumë interesante dhe tërheqëse bisedat. Mund ta dëgjoje pa u lodhur të fliste për orë të tëra për çështjet që i kishte pasion. 

Në pjesën e parë të këtij libri do të gjeni jetëshkrimin e Abas Ermenjit, të bazuar në kujtimet e mia nga bisedat e zhvilluara gjatë qëndrimit të tij në Tiranë midis viteve 1995-2001, por edhe në librat me kujtime të oficerëve britanikë me mision në Shqipëri gjatë Luftës II, si dhe në botime të tjera, të Ballit Kombëtar apo nga autorë të tjerë, përfshirë ato të vetë Profesor Abas Ermenjit. Listën e plotë të tyre mund t’a gjeni në bibliografinë në fund të këtij libri. 

Në pjesën e dytë do të gjeni shkrime të Profesor Abas Ermenjit: artikuj të botuar tek gazeta e Ballit Kombëtar “Flamuri”, e cila botohej në mërgim, thirrje drejtuar shqiptarëve kryesisht pas rikthimit në Shqipëri, botuar tek gazeta «Balli i Kombit» në Tiranë, si ajo e 9 marsit 1999 për Kosovën, por edhe dy poezi, një tjetër pasion i tij. Më tej, do të gjeni edhe disa shkrime kushtuar Profesor Abas Ermenjit, kopje të disa dokumenteve dhe një listë të datave dhe ngjarjeve me rëndësi në jetën e tij. 

Libri mbyllet me një epilog dhe me treguesin e tekstit dhe fotografive. 

Ideja për të shkruar këtë libër nuk është re. Prej kohësh kisha mbledhur artikujt dhe burimet që janë përdorur për shkrimin e këtij libri. Por mendova se tani, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Abas Ermenjit, ishte momenti i duhur. Për tre arsye. 

Në radhë të parë për të sjellë përpara lexuesit shqiptar një pamje të asaj që ndodhte në mërgim në periudhën e diktaturës komuniste, të aktivitetit politik dhe kombëtar që zhvillohej atje. Dhe veçanërisht rolin e madh që ka luajtur Profesor Abas Ermenji në veçanti dhe Balli Kombëtar në përgjithësi në përpjekjet për çështjen kombëtare dhe çlirimin nga diktatura komuniste. 

Në radhë të dytë, për t’iu treguar nacionalistëve shqiptarë, familjeve të tyre, se sakrifica që ata bënë nuk ishte e kotë dhe e pakuptimtë. Kjo sakrificë u bë për çështjen kombëtare, për mbrojtjen e kombit shqiptar kundër armiqve të tij, të mishëruar në komunizmin barbar. Çlirimi i Kosovës nga sundimi serb ishte rezultat i drejtpërdrejt i kësaj sakrifice të madhe. 

Dhe së treti, çështja kombëtare ende nuk është zgjidhur përfundimisht. Ka ende shumë punë dhe përpjekje për të bërë deri tek bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në Shqipërinë Etnike. Dhe personalitete si Abas Ermenji, me shembullin e tyre, na drejtojnë, na japin guxim dhe na tregojnë rrugën që duhet të ndjekim. Rruga e tij dhe e shokëve të tij nuk mund të lihet në mes, ajo duhet vazhduar deri në fund, përndryshe kombi shqiptar rrezikon të bëjë të njëjtat gabime dhe t’i vijnë përsëri të njëjtat fatkeqësi. Prandaj shembullin e Profesor Abas Ermenjit, jetën dhe veprën e tij kushtuar Shqipërisë dhe çështjes kombëtare duhet t’i kujtojmë dhe nderojmë kurdoherë. 

Ky libër i drejtohet gjithë shqiptarëve që dëshirojnë të mësojnë për historinë e Shqipërisë në shekullin e XX-të. Nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët mund të gjejnë shkrime tejet interesante të Profesor Abas Ermenjit për personalitete të Rilindjes Kombëtare por edhe për Luftën e II-të Botërore. Studiuesit e historisë mund të gjejnë gjithashtu analiza, fakte dhe dokumente interesante të asaj periudhe. Kurse bibliografia në fund të librit mund t’i ndihmojë të shkojnë më tej në kërkimet e tyre për t’a kuptuar më mirë këtë periudhë të vështirë të historisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar. 

Xhemil Meço

Shënim: ky libër u përgatit nga “Botimet Balli i Kombit” dhe mund të porositet në Amazon në adresën https://www.amazon.com/abas-ermenji-një-jetë-shqipërinë/dp/2958713202/

Author

Back to Top