Jo « Shqipëri e Madhe » por « Shqipëri Etnike »!

Aktualiteti, Kosova, Personalitete Comments Off

Herë pas here në mediat shqiptare shohim kohët e fundit të flitet për « Shqipërinë e Madhe » duke nënkuptuar bashkimin kombëtar. Kemi të bëjmë këtu me një keqkuptim të idesë së bashkimit kombëtar e cila në të vërtetë nënkupton bashkimin e tojeve etnike shqiptare në një shtet kombëtar shqiptar, apo thënë ndryshe në « Shqipërinë Etnike ». Kurse « Shqipëria e Madhe » nënkupton krijimin e një shteti të madh shqiptar me troje etnike shqiptare por edhe me troje të tjera jo-shqiptare. Ështe një ide e ngjashme me idenë e « Serbisë së Madhe » apo të « Botës Serbe » të trumbetuar sot me të madhe nga Serbia.

Në një artikull të titulluar « Mbledhja e Rambujesë dhe çështja e Kosovës » botuar në nëntor 2001 (http://ermenji.org/?f=artikuj&id=kosovadherambuje.html&ctitle=Mbledhja+e+Rambujes%26euml%3B+dhe+%26ccedil%3B%26euml%3Bshtja+e+Kosov%26euml%3Bs) Profesor Abas Ermenji shkruan: « Në këtë rast, ata që flasin për “Shqipëri të madhe” i bjenë karadyzenit kot duke i bërë jehonë propagandës serbe. Sepse shqiptarët, populli më i vogël dhe më i vjetër i Ballkanit, nuk e kanë pasur kurrë atë prirje që të shtrihen mbi kombësi të tjera më të mëdha. Këtë prirje e kanë pasur serbët vetë, në të gjitha kohët, dhe sot po e tregojnë më fort se kurrë. »

Pra ideja e « Shqipërisë së Madhe » është një shpikje e propagandës serbe, e cila synon të akuzojë shqiptarët se duan të zgjerohen mbi troje që nuk janë të tyret. Kjo propagandë bëhet në destinacion të vendeve perëndimore për t’i bindur ata që të mos ndihmojnë shqiptarët duke i paraqitur këta të fundit si rrezik për paqen në rajon. Në një kohë kur e shohim qartë edhe sot ashtu siç e kemi parë edhe më parë në histori, se është pikërisht Serbia që e ka prishur paqen dhe ka hapur luftëra për shkak të synimeve të saj ekspansioniste në rajon. Prova më e mirë se termi « Shqipëria e Madhe » është propagandë serbe, është se ajo përdoret prej kohësh nga përfaqësuesit e shtetit serb kur akuzojnë shqiptarët.

Prandaj media shqiptare duhet të tregohet e kujdesshme në përdorimin e termave dhe të mos bëhet përsëritëse e propagandës serbe. Kur flasim për bashkim kombëtar të Shqiptarëve në të vërtetë kuptojmë bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm që është Shqipëria Etnike.

Xhemil Meço

Author

Back to Top