Pengesat e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë

Aktualiteti, Historia, Kosova Comments Off

Shqiptarët që në fillim të viteve ’90 kanë zgjedhur të jenë pjesë e botës demokratike. Rënia e komunizmit në Shqipëri u shoqërua me një lëvizje të gjerë popullore e cila e shprehte qartë këtë vullnet: « E duam Shqipërinë si gjithë Europa », pra si i gjithë Perëndimi demokratik. Që atëherë Shqipëria ka bërë hapa të mëdha drejt demokracisë, por pa arritur të ketë një demokraci të mirëfilltë dhe të stabilizuar. Por cilat janë pengesat e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë? 

Trashëgimnia komuniste

Kur komunizmi filloi të binte në të gjithë Europën e Lindjes në fillim të viteve ’90, komunistet shqiptarë u tronditën dhe nisën të mendojnë se si të mos e lejojnë diçka të tillë në Shqipëri. Kryetari i tyre në atë kohë, Ramiz Alia, e kuptoi se rënia e sistemit komunist ishte e pashmangshme dhe vendosi që të lejojë pluralizmin politik por duke e kontrolluar atë me qëllimin që kasta komuniste të mos e humbiste pushtetin politik. Kështu edhe  në Shqipëri u lejua krijimi i partive politike por ato ose kontrolloheshin në një masë të madhe nga  komunistët dhe mund të bëheshin parti pushteti, ose pengoheshin me mjete dhe metoda nga më të ndryshmet dhe nuk lejoheshin të fitonin pushtet. Megjithëse punët nuk shkuan pikërisht ashtu siç i kishte parashikuar Ramiza Alia, kasta komuniste në Shqipëri arriti ta mbajë pushtetin politik dhe është rikthyer sot më e fuqishme se kurrë në këto 30 vjet pas diktaturës komuniste.

Megjithë kontrollin komunist, Shqipëria fillimisht arriti të bënte disa hapa të mëdha drejt demokracisë, nën presionin popullor dhe të vendeve mike perëndimore. Zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë të drejta dhe ka patur deformime të rezultatit të tyre, por deri në vitin 2013 u bënë përmirësime të vazhdueshme dhe me të drejtë mund të shpresohej se me kohë do të arrihej në një nivel të pranueshëm. Shqipëria tashmë kishte hyrë në NATO, po bënte përparime në rrugën drejt Bashkimit Europian, dhe me Pavarësinë e Kosovës roli i faktorit shqiptar në rajon ishte rritur dhe fuqizuar. Të gjitha këto të jepnin shpresë se Shqipëria dhe Shqiptarët po shkonin në rrugë të mbarë dhe se « ditët e mira », që kishte parashikuar Naim Frashëri, më në fund po vinin.

Por ardhja në pushtet e socialistëve me Edi Ramën në vitin 2013 i ndryshoi punët. Shumë shpejt çdo gjë e ndërtuar me aq vështirësi filloi të shkatërrohej. Duke filluar me institucionin e zgjedhjeve të lira dhe duke vazhduar me institucione të tjera të shtetit të së drejtës për të cilat partia socialiste kishte vetëm një synim: t’i kontrollonte plotësisht. Dhe duke përfunduar me marrëdhëniet me Kosovën të cilat Edi Rama i shkatërroi duke u afruar me Serbinë dhe duke hyrë në « Ballkanin e hapur ».

Partia socialiste ndërtoi një mekanizëm manipulimi të zgjedhjeve të bazuar tek « patronazhistët », që janë një organizim i ngjashëm me strukturat e Sigurimit  komunist  por që përdor teknologjitë e reja. Ky mekanizëm ka aftësinë të tjetërsojë rezultation e zgjedhjeve me anë të shantazhit shtetëror, blerjes së votës dhe manipulimit të rezultateve në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, por pa u ndëshkuar sepse drejtësia kontrollohet nga partia socialiste.

Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë sot të lira dhe rezultati i tyre deformohet sistematikisht në favor të partisë socialiste e cila ka mundur në këtë mënyrë të « fitojë » zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 dhe zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Këto të fundit me një rezultat si ai i zgjedhjeve në diktaturën komuniste: 88 përqind ! Një rezultat të ngjashëm rrezikojmë të kemi edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 ku partia socialiste synon të fitojë mbi dy të tretat e vendeve në Kuvend duke i marrë në dorë të gjitha pushtetet, edhe ato pak që mund të kenë mbetur, dhe duke realizuar përfundimisht planin e Ramiz Alisë për kontrollin total të pushtetit politik nga kasta komuniste në Shqipëri.

Është më se e qartë se trashëgmnia komuniste është një pengesë e madhe në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë. Kasta komuniste që mbart këtë trashëgimni i ka penguar vazhdimisht proceset demokratike dhe sot po përgatitet që t’i japë goditjen e fundit demokracisë në Shqipëri duke i hapur rrugën një diktature neo-komuniste. Pasi ka kapur pushtetin ekonomik, dhe tani atë politik, kjo kastë po tenton të fusë  sot nën kontroll edhe institucionet akademike, shkencore dhe kulturore me qëllimin për të kontrolluar totalisht çdo aspekt të jetës së shqiptarëve – një domosdoshmëri kjo për një diktaturë e cila sigurisht do të ketë nevojë të propagandojë versionin e saj të revizionuar të historisë dhe të aktualitetit.

Shtrohet pyejta se si mund të largohet kjo pengesë fatale për demokracinë e Shqipërisë? Përgjigja e vetme janë zgjedhjet parlamentare, largimi nga pushteti i kastës komuniste me votën e lirë. Për arsyet që pamë më lart kjo është shumë e vështirë, por jo e pamundur! Sigurisht do të duhej një mobilizim i jashtëzakonshëm i Shqiptarëve për të kapërcyer të gjitha pengesat dhe marifetet e përdorura nga partia socialiste. Por është ende e mundur që një valë e gjerë populllore e gjithë Shqiptarëve ta rrëzojë sistemin e vjedhjes dhe manipulimit të votës të ndërtuar nga partia socialiste.

Mos-zgjidhja e çështjes kombëtare

Një pengesë tjetër në rrugën e demokracisë në Shqipëri është çështja e pazgjidhur kombëtare. Shqiptarët sot jetojnë të ndarë në disa shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe si minoritete në Mal të Zi, Serbi dhe Greqi. Mungesa e një shteti unik kombëtar dhe ndarja në shumë shtete shkaktojnë ndërhyrje të renda dhe tentativa për destabilizim shumë herë të suksesshme ndaj Shqipërisë. Sepse fqinjët tanë Serbia dhe Greqia i shohin gjithmonë tokat shqiptare si territore që duhet t’i fusin nën sundimin e tyre, duke menduar se janë ende në vitin 1913, kur Konferenca e Londrës u fali gjysmën e tokave shqiptare.

Në vitet 1941-1944 Serbia organizoi, përkrahu dhe ndihmoi partinë komuniste shqiptare që kjo të merrte pushtetin, por në radhë të parë që të shkatërronte nacionalizmin shqiptar. Si rrjedhojë patëm një luftë civile në Shqipëri midis komunistëve dhe nacionalistëve e cila ishte tragjike për Shqiptarët sepse solli gjakderdhje, mjerim dhe një diktaturë komuniste nga më mizoret e cila zgjati rreth gjysëm shekulli. Kjo ndërhyrje u bë me qëllimin e rikthimit të Kosovës nën sundimin e Serbisë dhe e arriti objektivin e saj.

Edhe sot Serbia përpiqet të ndërhyjë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të përçajë Shqiptarët me anën e « Ballkanit të hapur » të cilin kanë vrapuar ta përqafojnë partia socialiste dhe Edi Rama, por që e hedhin poshtë me neveri shumica absolute e Shqiptarëve.

Nga ana tjetër Greqia ka pretendimet e saj. Ajo arriti të aneksonte Çamërinë dhe troje të tjera shqiptare në vitin 1913 në Konferencën e Londrës dhe që atëherë,  ka ndjekur një politikë të spastrimit etnik të shqiptarëve çam, në fillim duke i dërguar Turqi si « myslimanë » në vitet 1920 dhe në fund duke i vrarë dhe çfarosur fare në vitet 1944-1945 me anën e trupave greke të Zervasit, gjithmonë me iniciativën dhe bekimin e Kishës Autoqefale të Greqisë.

Kurse Shqipërinë e jugut, të cilën e quan « Vorio-Epir », Greqia e shikon gjithmonë si një territor të cilin duhet ta pushtojë dhe ndoshta t’i rezervojë të njëjtin fat si Çamërisë martire. Që në vitin 1913 bandat greke,  kanë ndërmarrë ekspedita tmerri dhe terrori mbi popullsinë shqiptare të Shqipërisë së jugut, kanë tentuar edhe ta aneksojnë politikisht duke shpallur « autonominë » e Vorio-Epirit në vitin 1914, por pa ia arritur dot.

Edhe sot, në vitin 2024, Greqia përkrah organizatat ekstremiste vorio-epirote të cilat synojnë greqizimin dhe aneksimin e jugut të Shqipërisë.  Rasti i zgjedhjeve në Himarë tregon qartë përkrahjen e shtetit grek për vorio-epirotët edhe në instancat më të larta të tij, deri në nivelin europian.  Kjo tregon se Greqia ka ende në plan të ndërhyjë në Shqipëri dhe ta destabilizojë shtetin shqiptar sapo t’i krijohet mundësia.

Këto ndërhyrje të jashtme vijnë sepse Shqiptarët janë ende të ndarë dhe fqinjët tanë e mendojnë të mundur aneksimin e tokave shqiptare: Serbia të Kosovës dhe Greqia të Shqipërisë së jugut. Dhe sigurisht demokracia është shumë e vështirë për t’u konsoliduar në kushtet e një destabilizimi të përhershëm dhe të qëllimshëm. 

Bajraktarët politikë në Shqipëri, të cilëve në radhë të parë iu intereson sundimi pa kufi në bajrakun e tyre, janë të gatshëm të bashkëpunojnë me fqinjët tanë ekspansionistë, mjafton t’i lënë të qetë në bajrakun e tyre. Tek këta fqinj ata mund të gjejnë përkrahjen që iu mungon në Perëndim për vendosjen e një diktature neo-komuniste. Nuk është e rastit hyrja në « Ballkanin e hapur » dhe mbajtja e marrëdhënieve të mira me Serbinë, kundër çdo llogjike kombëtare.

Prandaj pa zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, që është krijimi i një shteti kombëtar shqiptar i cili duhet të bashkonte të paktën Kosovën me Shqipërinë, vendosja e një demokracie të vërtetë dhe të plotë është e pamundur në trojet shqiptare.

Sot, si rrallëherë në Histori, Shqiptarët kanë një mundësi shumë të mirë për të krijuar një shtet kombëtar shqiptar demokratik dhe modern, i cili do t’i ngrejë në nivelin e vendeve të tjera të qytetëruara dhe do t’iu hap rrugën drejt një të ardhme të lirë dhe të begatë. Që nga viti 2013 kjo mundësi po shpërdorohet nga ish-kasta komuniste e cila rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një diktature neo-komuniste dhe t’i kthejë tokat shqiptare në pré të fqinjve tanë agresorë. Dy pengesat më të mëdha të përparimit të kombit shqiptar drejt së ardhmes së tij, trashëgminia komuniste dhe çështja e pazgjidhur kombëtare duhen mënjanuar duke larguar me votë nga pushteti kastën komuniste dhe duke i dhënë zgjidhje çështjes kombëtare me anën e bashkimit kombëtar. Vetëm atëherë do të realizohet urimi dhe parashikimi i poetit tonë kombëtar Naim Frashërit i cili thoshte: « Për Shqipërinë / Ditët e mira / Paskëtaj vijnë / Shkoj errësira, / Lum kush të rronjë, T’a shohë zonjë! »

Xhemil Meço

Author

Back to Top