Opozita shqiptare në rrugë pa krye
Aktualiteti 12 Korrik, 2024, Comments OffShqipëria gjendet sot në rrezikun e rikthimit të një diktature neo-komuniste. Partia socialiste i ka kapur thuajse të gjitha pushtetet dhe ia ka marrë dorën vjedhjes së votave të shqiptarëve. Zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë vendimtare dhe pika e madhe e kthesës në historinë e re të Shqipërisë që do të na tregojë nëse do të mbetemi në një sistem politik demokratik apo do të shkojmë drejt një diktature. Prandaj të gjithë shqiptarët i kanë kthyer sytë nga opozita dhe shpresojnë që ajo do të jetë në gjendje t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke mënjanuar kështu rrezikun monist.
Por opozita shqiptare, ose më saktë partia më e madhe e saj, PD-ja, e ka nisur keq. Pas një gabimi të madh të saj në zgjedhjet e kaluara lokale ku kandidoi në bashkinë e Himarës një vorio-epirot nga Greqia, kësaj radhe po kandidon një vorio-epirot nga Amerika. Të gabohesh njëherë është njerëzore, të gabohesh dy herë është djallëzore – thotë një fjalë e vjetër latine.
Nuk ka asnjë justifikim llogjik për një kandidim të tillë përveç llogarive të vogla politike ku disa shpresojnë ndihmë nga armiqtë e Shqipërisë. Dhe kjo është e papranueshme! Duhet të ishte e papranushme për të gjithë spektrin politik shqiptar, por është në radhë të parë e papranueshme për nacionalizmin shqiptar! Dhe është e papranueshme për të djathtën shqiptare, sepse një nga principet bazë të së djathtës është nacionalizmi. Prandaj akte të tilla duhen denoncuar dhe duhen hedhur poshtë me neveri.
Duke parë këtë kandidim, sot kam bindjen se opozita shqiptare është në rrugë pa krye. Për të fituar zgjedhjet e vitit 2025 opozita duhet të riformatohet dhe të integrojë disa principe bazë i pari prej të cilëve është nacionalizmi. Opozita që shohim sot nuk është e djathtë as në përbërje dhe as në principe. Nuk mund të jesh nacionalist në veri dhe anti-nacionalist në jug. Ose je nacionalist ose nuk je. Për fat të keq klasa politike shqiptare e dalë nga komunizmi nuk e kupton nacionalizmin. Shqipërisë sot i nevojitet një opozitë e djathtë nacionaliste ku partitë tradicionale nacionaliste duhet të luajnë një rol kryesor. Shqiptarët sot janë shumë nacionalistë. Një nga kriteret e votës së tyre është qëndrimi ndaj çështjes kombëtare dhe Himara është një tregues i qartë i këtij qëndrimi. Askush nuk mund t’i gënjejë apo mashtrojë shqiptarët për skandalin e kandidimit në Himarë.
Iu bëj thirrje partive të djathta nacionaliste të distancohen nga ata individë dhe subjekte politike që përkrahin kandidimin e vorio-epirotëve apo minoritarëve për bashkinë e Himarës shqiptare. Dhe përse të mos nxjerrin ato vetë një kandidat shqiptar për Himarën?
Xhemil Meço